“Vila Albani”, ndër muzetë e parë të artit në botë

E themeluar nga kardinali shqiptar, Aleksandër Albani, është një kontribut i çmuar në kulturën botërore.


Nga Prof. Dr. Ferid Hudhri

Sipas disa botimeve të rëndësishme të historisë së artit botëror, Vila Albani e ndërtuar në Romën e shekullit XVII vlerësohet midis muzeve më të hershëm të artit në botë1. Përmendet gjithashtu edhe si një nga kontributet më të çmuara dhe më të hershme nga bota shqiptare në kulturën botërore. Me këtë veprimtari të rrallë në fushën e artit u bë më i njohur emri i ideatorit dhe themeluesit të saj Aleksandër Albani.


Kardinali Aleksandër Albani

Të parët e këtij koleksionisti të shquar emigruan nga Shqipëria e Veriut gjatë shekullit  të shtatëmbëdhjetë. Sipas dokumenteve arkivore dëshmohet se në vitin 1664, në Urbino të Italisë u regjistrua kryefamiljari me emrin Mikel Laci (Michaele Lazi) bashkë me tre djemtë e tij Gjergjin, Filipin dhe Andrean. Disa vite më pas, kur familja u shtua me më shumë pasardhës dhe disa nga pjesëtarë e saj filluan të shquheshin më shumë midis vendasve, për fisin Laci përdorej mbiemri Albani, emri i vendit nga kishin ardhur. Rreth vitin 1700 trashëgimtarët  me prejardhje nga Shqipëria u vendosën në Romë. Brenda një kohe të shkurtër Albanët  arritën të krijonin një nga familjet më të njohura dhe më fisnike të kohës të kryeqendrës romane2. Prej atij trungu familjar doli papa Klementi XI Gjon Francisco Albani (1649-1721), shtatë kardinalë dhe disa figura tjera të njohura.


Medaljon me portretin e Aleksandër Albanit dhe godinës së Vilës Albani

Aleksandri ka qenë një prej më të shquarve midis gjithë pinjollëve të familjes Albani. U lind në Urbino në vitin 1692 nga i ati Orazio dhe nëna Maria Bernardina. Babai, Orazio Albani (1663-1712) ishte vëllai i vogël Gjon Francisco Albani që u bë Papë në Vatikan. Me mbështetjen e të atit dhe nën kujdesin e veçantë të ungjit të tij, Papa Kelmentit XI, Aleksandri mësoi nga profesorët më në zë të kohës së tij në Universitetin Romak Sapienza. Karrierën e filloi si ushtarak. Në moshë të re u emërua kolonel i ushtrisë së Papës, por shumë shpejt e kuptoi se nuk i shkonte natyrës së tij.  Para se ta heqë dorë nga detyra e kolonelit, Aleksandri kishte shfaqur interes për veprimtari të ndryshme kulturore, artistike, diplomatike, shkencore dhe fetare. Për pasionin që tregoi në zbulimin, studimin dhe grumbullimin e veprave të artit dhe objekteve të tjera arkeologjike të periudhës greko-romake, u zgjodh anëtar nderi i Akademisë San Luca të Romës. Ka kryer detyra diplomatike si ambasador në Vjenë, Sekretar i Memorialeve të Papëve në Vatikan, është zgjedhur Perlat i Dhomës së Apostujve. Në vitin 1721 Aleksander Albani mori titullin e lartë Kardinal nga Papa Inocenti XIII, që erdhi në krye të Vatikanit menjëherë pas vdekjes së Papa Clementi XI Albani.


Vila Albani në Romë, gravurë e vitit 1769, nga Giovani Battista Piranesi

Veprimtaria më e çmuar e Albanit i përket fushës së artit. Për shumë vjet iu përkushtua grumbullimit të veprave artistike nga periudha antike gjer tek ajo bashkëkohore, duke u bërë një nga koleksionistët më të njohur të kohës së vet. U vlerësua posaçërisht për themelimin e Akademisë së Antikuariatit, qysh kur ishte ende në moshë të re. Por ajo çka i dha emër në fushën e koleksionimit të artit është themelimi i Vilës Muze. Veprat e shumta që grumbulloi gjatë viteve kërkonin edhe më shumë ambiente për ekspozim e ruajtje. Kështu, midis viteve 1746-1760, në rrugën e njohur Salaria, pranë qendrës së Romës, nën drejtimin e vetë Aleksandrit u ndërtua Vila Muze. Në Europë ishin ndërtuar edhe më parë vila të tilla. Por vila e Aleksandrit, e cila që në fillim u quajt Vila Albani, u vlerësua nga bashkëkohësit si shembulli më i mirë i tipit të ri të muzeve, për konceptimin e përparuar të saj qysh nga struktura arkitektonike e godinës, nga hapësira dhe mënyra e ekspozimit të objekteve, sikurse edhe nga koleksioni i pasur e i larmishëm i veprave të artit.


Rafael Mengs, Alegoria e Parnasit, afresk i pikturuar në Vilën Albani, në vitin 1761

Për ta realizuar sa më mirë projektin që kishte ideuar, Aleksandri bashkëpunoi me disa nga figurat e shquara të kohës. Projektimin e ndërtesës ia besoi arkitektit dhe skulptorit të njohur Carlo Marchionne (1702-1786). Vila u ngrit në dy kate, me salla të gjera dhe të larta. Kopshtet e gjelbëruara rreth vilës u përshtatën për një ekspozim sa më të dukshëm të skulpturave antike. Fasada u dekorua sipas stilit të kohës dhe për gjithë këto vlera arkitekturore Vila Albani është quajtur si një përmendore tërheqëse e madhështore.

Dy prej skulpturave në mermer nga koleksioni i Vilës Albani

Për t’i dhënë një karakter të mirëfilltë muzeor, Aleksandër Albani u lidh me artistin e njohur gjerman Anton Raphael Mengs (1728-1779). Tek ai porositi afresket që do të dekoronin sallat. Veprat e piktorit Mengs u bënë një tjetër pasuri e çmuar për Albanin, krahas koleksionit që kishte grumbulluar më parë. Vetëm tabloja e titulluar Alegoria e Parnasit, që vlerësohet si një nga krijimet më të bukura të Mengs-it, thuhet se ka kushtuar 400 000 skude, një çmim shumë i lartë për atë kohë. Kështu vepra më e rëndësishme, ajo që i dha famën këtij piktori, u realizua me porosi të koleksionistit të njohur me origjinë shqiptare, kardinalit Aleksandër Albani. Tabloja Parnassus (paraqitja alegorike e Parnasit), u pikturua në vitin 1761. Në qendër të kompozimit është pikturuar Apollo, patron i Arteve dhe udhërrëfyes i Muzave, me atributet e tij: lirën në dorën e majtë dhe dy kurorat me dafina, njëra në kokë dhe tjetra në dorën e djathtë. Në anën e majtë qëndron e ulur Mnemosyne, nëna e Muzave dhe Muza Thalia (e komedisë), Calliope (e poezisë epike), Polhymnia (e himneve heroike dhe e arteve të imitimit) dhe Terpsichore (e vallëzimit dhe këngës). Në anën e djathtë janë pikturuar muzat, Clio (e historisë), Erato (e poezisë së dashurisë), Euterpe (e poezisë lirike), Melpomene (e tragjedisë) dhe Urania (e astronomisë). Subjekti i saj ishte i përshtatshëm për vendin ku u pikturua, në një prej shtëpive të para muze të Europës, ndërsa stili i pikturimit të afreskut shënoi ngjarje në zhvillimet e artit europian të kohës. Përmes kësaj vepre të Mengs-it, mund të shihet fundi i stilit barok dhe lindja e neoklasicizmit. Madje, në shumë tekste të Historisë së Artit, afresku vlerësohet si dokumenti më përcaktues apo si një manifest i neoklasicizmit në pikturë3. Pas realizimit dhe ruajtjes së kësaj vepre të rëndësishme qëndron koleksionistit të njohur shqiptar, kardinalit Aleksandër Albani.


Një nga relievet antike të vilës Albani

Bashkëpunëtori tjetër i Albanit për Vilën ka qenë edhe arkeologu, esteti dhe historiani i njohur i artit John Winckelmann (1717-1768), i cili njihet si këshilltari dhe miku i tij më i ngushtë në dhjetë vitet e fundit të jetës. Nën kujdesin dhe me mbështetjen e Albanit, Winckelmann i përfundoi katalogun e monumenteve antike, një nga punimet më të rëndësishme për dokumentimin dhe studimin e artit të lashtë.

Me koleksionin e pasur të veprave të artit, Vila Albani u bë një nga muzetë më të vizitueshëm, ndërsa për artistët italianë si dhe për artistë e intelektualë të shquar europianë që vinin në Romë, ajo u shndërrua në një qendër takimesh, bisedash dhe ballafaqimi përvojash artistike. Ndërkohë, ajo është kthyer në objekt studimi nga autorë të ndryshëm, europianë apo amerikanë, si një nga muzetë e parë të artit në Europë. Rëndësia që i kushtonte A. Albani bashkëpunimit me figurat më të shquara të kohës, ndikoi dukshëm në shndërrimin e Vilës në një qendër artistike, ku grumbulloheshin artistë jo vetëm nga Italia, por edhe nga vendet e tjera. Edhe për themelimin e institucionit më të hershëm të ngritur prej tij, Akademinë e Antikuariatit, Albani ngarkoi një nga njohësit më të mirë të antikitetit, romanin Francesco Bianchini (1662-1729). Po ashtu edhe bashkëpunëtorët për ndërtimin, pasurimin dhe funksionimin e Vilës, si arkitekti C. Marchionne, piktori R. Mengs, studiuesi J. Winckelmann, ishin po aq të shquar. Ndërsa skulptori Bartolomeo Cavaceppi u bë i famshëm duke punuar si restaurues i skulpturave antike nën kujdesin e Albanit dhe Winckelmann-it, gjatë periudhës që ai punoi aty.


Costantin Hansen, Kopshti i Vilës Albani, tablo e vitit 1841, Galeria Kombëtare e Arteve të Danimarkës, Copenhagen

Sipas studiuesit anglez L. Lewis, Alessandro Albani ka pasur lidhje të vazhdueshme me Londrën; ka bashkëpunuar njëherësh si për periudhën e artit të antikitetit, ashtu dhe për atë të artit bashkëkohor. Nëpërmjet prezantimeve të Horace Mann-it, A. Albani kontribuoi në formimin e koleksionistëve anglezë me vepra nga antikiteti romak. Po ashtu ai i hapi dyert e Vilës Muze në mbështetje të piktorëve, skulptorëve dhe studiuesve nga e gjithë bota, që vinin në Romë. Në mjediset e Vilës Albani pasuruan njohuritë e tyre për artin Richard Wilson, Joseph Wilton, William Chambres (që u bë njohës i famshëm i antikitetit), Robert Ada, Robert Strange dhe James Barry. Në vitin 1749, A. Albani ndihmoi M. Brettingham-in për të blerë statuja nga e gjithë bota për llogari të kontit Leicester. Ndërsa nga viti 1753 deri më 1755 ai mbikëqyrte punimet e artistëve P. Costanzi, P. Batoni, A. R. Mengs dhe A. Masucci që krijonin vepra arti në llogari të dukës së Northumberland-it. Në vitin 1761 Aleksandër Albani u bë anëtar i Shoqatës së Antikuarëve të Londrës.

Nga dëshmitë më të bukura sa i përket vlerësimit të Vilës Albani janë vizatimet, akuarelet dhe tablotë kushtuar asaj prej artistëve të shumtë europianë. Imazhi i saj nis me gravurën e parë të piktorit Giuseppe Vasi në vitin 1761, kohë kur ende nuk kishte përfunduar dekorimi i gjithë Vilës. Më pas, herë pas here,  deri në vitet e fundit, asaj iu kushtuan dhjetëra e dhjetëra vepra arti. Midis autorëve më të njohur vlerësohen vizatimet dhe tablotë nga Giovani Piranesi, Camille Corot, Hubert Robert, Jakob Philipp Hackert, si dhe ato nga Pier Leone Ghezzi, Marguerite Lecompte etj., të cilët kanë realizuar gjithashtu edhe portrete të figurave më të shquara të familjes Albani.


Akuarel sipas një relievi në Vilën Albani, Muzeu Britanik, Londër
Vila tani e ka humbur shkëlqimin e dikurshëm, ndërsa veprat e shumta të artit që u grumbulluan aty, u shpërndanë në disa nga muzetë më të njohur të botës. Thuhet se një nga statujat e para të Vilës Albani u bë baza e muzeut të ri të Kapitolit në Romë, një përzgjedhje medaljesh formoi bërthamën e parë të koleksionit në muzetë e Vatikanit. Nga mbreti i Anglisë George III është blerë një koleksion i pasur me vizatimet më të çmuara italiane dhe franceze të shekullit XVIII. Tani këto vepra ruhen në koleksionin mbretëror të Kështjellës Windsor në Londër. Në rikonstruksionin e përgjithshëm që iu bë Muzeut të Luvrit në Paris, më 1989, u vendosën në pozicione më të dukshme disa nga skulpturat e marra nga Vila Albani, një pjesë prej të cilave ishin të blera nga Luigji XVII.

Edhe pasi e humbi shkëlqimin e saj, Vila Albani vazhdoi të tërheqë vëmendjen e artistëve europianë. Tablotë e piktorëve danezë Christoffer Eskersberg dhe Bertel Thorvaldsen janë disa prej krijimeve të frymëzuara nga koleksioni i madh e veprave të artit që u grumbulluan paranë Vilës. Duke vizatuar veprat e artit antik që ruheshin aty, piktorë dhe skulptorë nga vende të ndryshme përvetësuan mjeshtërinë e tyre artistike. Një akuarel i vitit 1848, realizuar nga piktori anglez Edward Lear apo vepra të tjera të asaj periudhe nga Sarah Windsor, Robert Cheney, Costantin Hansen, si dhe tabloja Villa Albani e piktorit rus Vasili Raiev e vitit 1853, dëshmojnë për jehonën e shkëlqimit të dikurshëm të atij muzeu që zgjati edhe shumë e shumë vite më pas.


Christoffer Eskersberg, Vila Albani në Romë, tablo e vitit 1915, Galeria Kombëtare e Arteve të Danimarkës, Copenhagen

Sipas të dhënave që sjellin studiuesit gjermanë Herbert Beck dhe Peter C. Bol4, Aleksander Albani, para se të ndahej nga jeta kishte lënë testament që Vila të mos shitej asnjëherë, të vazhdonte të njëjtin destinacion dhe të kalonte në pronësi të trashëgimtarëve të familjes Albani. Por nuk ndodhi ashtu si dëshironte krijuesi i saj. Disa vite pas vdekjes së Aleksandrit, në bashkëpronësi të Vilës u fut edhe fisi Chigi që kishte krijuar lidhje të ngushta me familjen Albani. Ndërsa në vitin 1866 Vila Albani i është shitur bankierit të njohur italian Alessandro Torlonia. Ndonëse pronari i ri e ruajti të njëjtin destinacion (për koicidencë ishte me të njëjtin emër si themeluesi i saj Alessandro Albani), emri i Vilës u ndryshua. Tani quhet Vila Torlonia. Ndërkohë në çdo botim të ri apo  në çdo hartë të Romës, krahas emrit të ri “Torlonia”, shënohet gjithnjë: gia Albani (dikur Albani), ndërsa rruga pranë vilës vazhdon të quhet me të njëjtin emër, Via di Villa Albani.

________________________

1.    S. R, Albani, famille de collectionneurs italiens, originaire d’Albani. Petit Larouse de la peinture, vol. I,  f. 23, Librarie Larousse, Paris, 1979.

2. Visconti: Famiglie Nobili, attualmente essitenti. Punt.2, f. 3-16, Roma, 1843.

3.    Purificato, D.: Alegoria del Parnaso, Roma, Villa Albani, Come legere un quadro, f. 106-107, Rusconi Immagini, Milano, 1985.

4.    Beck, H., Bol, P.:Forschungen zur Villa Albani, Antike Kunst, f. 110, 115, Berlin, 1982 (cituar nga  Zenelaj, E.: Gjenealogjia e familjes shqiptare Albani, Faik Konica, Prishtinë, 2009).

Lexo më shumë nga

Ekspozita “RINart”, në zemër të Belshit!

Ekspozita organizohet nga Universiteti i Arteve të Bukura, nën kujdesin e dekanit Prof. Sadik Spahia. Kurator Helidon Haliti

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.