Perikli Çuli, skulptori i “Universit”
“Skulptor i Merituar” dhe”Laureat i Çmimit të Republikës”. Një nga skulptorët modernë në artet pamore.
Nga Dash Frashëri
“Arti është ndjeshmëri. Arti nuk është filozofi. Nuk është shkencë. Nuk është politikë. Arti është një spiritualizëm i jashtëzakonshëm, ku derdhen emocionet dhe estetika më e bukur që qëndron rreth e qark njeriut”.
Kjo është filozofia artistike që ka shoqëruar për rreth 65 vite krijimtari, “Skulptorin e Merituar”, Perikli Çuli. Laureat i Çmimit të Republikës.
Skulptura e Perikli Culit është e ndjeshme dhe e fortë. Më shumë se gjysmë shekulli krijimtari, ai është një nga protagonistët e rëndësishëm të historisë së skulpturës shqiptare.
***
“Unë jam Perikli Çuli, kam lindur më 13 shtator 1938 në Përmet”.
Çuli – mbush 86 vjeç në shtator – është krenar për origjinën e tij, Permetin, të konsideruar si “atdheun e skulptorëve” në Shqipëri dhe që ka nxjerrë emrat tillë të mëdhenj si Odhise Paskali, Janaq Paço, Hektor Dule, apo dhe të mirënjohur si Qazim Arifi, Dhimo Gogollari, Niko Thano, Uran Hajdari, etj.
“Skulptorët e Popullit” Odhise Paskali, Janaq Paço dhe Hektor Dule
Perikli Çuli e vlerëson në maksimum veprën e Odhise Paskalit dhe peshën që zë ai në historinë e skulpturës shqiptare.
“Unë kam pasur një afërsi të jashtëzakonshme me dy përmetarët, skulptorët më të talentuar në Shqipëri, si me Odhise Paskalin ashtu dhe me Janaq Paçon. Njëri vinte nga Italia, tjetri nga shkolla e Greqisë. Të dy kanë monumentet e tyre të Skënderbeut”.
Janaq Paço dhe Odhise Paskali në studiot e tyre.
“Kam punuar me Odhise Paskali, tre vjet. Janë të rrallë skulptorë si ai”, thotë Çuli.
“Studio Paskali- sipër nga e majta: Niko Thana, Hektor Dule, Odhise Paskali, Andrea Mano. Poshtë majtas: Perikli Çuli, Fuat Dushku, Pleurat Sulo.
***
I mbetur jetim qysh në moshë të vogël, pas vdekjes së nënës (pas plagosjes nga një bombardim) dhe rritjes për katër vite në “Strehën Vorfnore”(së bashku edhe motrën dhe një vëlla tjetër)- në pamundësi kushtesh askokohe nga ana e babait – jeta e vështirë e kaliti djaloshin Çuli, i cili më pas konkurroi për të hyrë në Liceun Artistik “Jordan Misja” (1951)
“Jeta ime nuk ka qenë e lehtë “, tregon Çuli përmes lotësh, gjatë një interviste për gazetarin i njohur Ben Andoni në emisionin e tij “Autor”, në RTSH.
Por, si u bë skulptor?
“Për herë të parë kam konkurruar në lice për muzikë dhe më doli shkolla për muzikë, për trombon me Robert Radojën, ku bëra tetë muaj. Më pas bëra një tjetër konkurs brenda liceut, për skulpturë, sepse unë atë doja, skulpturën. Liceu ka qenë një shkollë shumë e mirë, pasi të gjithë pedagogët që kanë qenë aty ishin pedagogë që kishin studiuar jashtë, që nga Abdurrahim Buza, Sadik Kaceli, Odhise Paskali, Kel Kodheli”, tregon Çuli.
Ai bëri 7 vjet liceun për skulpturë, por edhe dy vjet kanto, duke pasur shok klase edhe të madhen Vaçe Zela.
Abdurrahim Buza dhe Odhise Paskali
Perikli Çuli i vazhdoi studimet në Rumani, një vend “frankofon” dhe jo shumë lindor. Akademia e Arteve në Bukuresht ishte themeluar 5 tetor 1864, ndërsa Instituti i Arteve Plastike “Nicolae Grigorescu” që ndoqi skulptori i ri shqiptar ishte themeluar në vitin 1948. Në të njëjtën akademi, vite më parë kishte studiuar edhe Lasgush Poradeci.
Instituti i Arteve Plastike “Nicolae Grigorescu”, Bukuresht
Çuli studion pranë skulptorit të njohur rumun, Constantin Brâncuși (1876-1957), i cili ishte njëherësh edhe piktor dhe fotograf, dhe nga ana e tij kishte studiuar në Francë. I konsideruar si një nga skulptorët më me ndikim të shekullit të 20-të dhe një pionier i modernizmit, Brâncuși quhet patriarku i skulpturës moderne.
Constantin Brâncuși
Për shkak edhe të rrethanave gjeopolitike të krijuara në kampin e vendeve socialiste, Çuli u detyrua t’i ndërpriste pas tre vitesh studimet në Rumani dhe të vazhdonte në Shqipëri, ku edhe u diplomua, në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) të porsakrijuar.
“Grupet e para të të diplomuarve nisën të ktheheshin aty nga gjysma e dytë e viteve ’50. Emra si Sali Shijaku, Kristaq Rama, Jakup Keraj, Zef Shoshi, Kujtim Buza, Agim Zajmi, Llambi Blido, Rafael Dembo, Mumtaz Dhrami, Shaban Hadëri, Thanas Papa, Vilson Kilica e Guri Madhi studiuan në Bashkimin Sovjetik, ndërsa Thoma Thomai, Hektor Dule, Ksenofon Dilo, Halim Beqiraj e Llazar Myzeqari në Pragë; Hysen Devolli, Perikli Çuli, Spiro Kristo e Isuf Sulovari në Bukuresht; Danish Jukniu e Shaban Hysa në Varshavë e Aristotel Papa në Zagreb”, shkruan Dr. Ermir Hoxha në librin e tij studimor, “Arti në Shqipëri në vitet 1945-2000”.
Grupi i parë i skulptorëve të Institutit të Lartë të Arteve me pedagog Shaban Hadërin. Studentët: lart Hektor Dule, Perikli Culi. Poshtë nga e majta Agim Mullisi, Nelo Llukaci, prof. Shaban Haderi, Avni Bilbili dhe Sotir Kosta.
Pas mbrojtjes së diplomës, ai u emërua pedagog në Institutin e Lartë të Arteve . Drejtori i saj ishte piktori Vilson Kilica, i cili kishte studiuar në .Institutin e Pikturës, Skulpturës dhe Arkitekturës “Ilia Efimoviç Rjepin” në Leningrad (sot Shën Petërburg) të ish-Bashkimit Sovjetik (sot Rusia) . Një pedagog poliderik! I vlerësuar me titujt më të lartë të kohës “Piktor i Merituar” (1969) dhe “Piktor i Popullit” (1987).
Pedagogë në atë kohë ishin edhe Shaban Hadëri, Danish Jukniu, Sali Shijaku, që kishin mbaruar në shkollat më të mira.
Çuli, fillimisht jepte lëndën e dizajnit dhe më pas vazhdoi me lëndën e skulpturës.
Nga e majta në të djathtë, Perikli Çuli, Kaceli, artisti belgjian, Shaban Hadëri dhe Muntaz Dhrami.
Skulptorët Perikli Çuli dhe Shaban Hadëri
“Nudoja ishte një temë deri diku tabu për moralin shqiptar të kohës. Mbi këtë Agim Faja kujton se: “Në ekspozitën vjetore të vitit 1962 që u çel në sallën e ekspozitave të ndërtesës së Komitetit për marrëdhënie me Botën e Jashtme, u ekspozua edhe një nudo me madhësi natyrale e studentit skulptor Perikli Çuli. Qe nudoja e parë që ekspozohesh në ekspozitat tona jo vetëm studentore, por edhe ato kombëtare. Ne, studentët duke qeshur ç’nuk thonim, madje edhe propozonim që përpara skulpturës të vihej dhe një kovë, gjithsesi… por ju them sinqerisht që nuk pat asnjë reaksion negativ, përkundrazi e sodisnin me kënaqësi…”, shkruan Dr. Ermir Hoxha, në temën e doktoraturës.
Në fakt, nudot si detyra mësimore, u ndaluan në vitin 1973, kur u mbajt Plenumi i IV-të i Komitetit Qendror të PPSH, për të ashtuquajturën luftë kundër ndikimeve të huaja borgjezo-revizioniste: konservatore dhe liberale. Që atëherë në Akademinë e Arteve nuk u pikturua më nudo, madje as tors jo. Ato u futën në listën e herezive.
Pas largimit me motive të paqarta si pedagog, Perikli Çuli, përfundon në Ndërmarrjen Artistike “Migjeni”, të cilën e drejtonte Hamit Mëzezi, për një periudhë 3-4 vjeçare, si shef i Byrosë së Krijmitarisë, ndërkohë që në 1982 niset për specializim në Itali, në Milano, Volterra, Piza, Venecia, Romë, për të parë teknikën e punimeve në alabastër. Ndërmarrja më pas hapi repartin e punimeve në alabastër.
***
Puna e parë e tij e rëndësishme është busti i kryekomandantit të Kështjellës së Krujës, Tanush Topia. Skulptori e realizoi në vitin 1967, me kërkesë të Muzeut Historik të Krujës, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.
Tanush Topia (1967)
Vepra e parë e madhe ku u angazhua Perikli Çuli janë katër heroinat e Mirditës.
Monumenti i Heroinave të Mirditës, vepër e skulptorëve Dhimo Gogollari , Fuat Dushku, Perikli Çuli dhe Andrea Mano ishte vendosur në Rrëshen dhe i kushtohej Marta dhe Prenda Tarazhit, Shkurte Carës dhe Mrika Lokës, një punë që u desh pesë vjet punë të mbaronte.
Skulptori Perikli Çuli në një bashkëbisedim mbi realizimin e monumenteve thekson faktin që bashkëpunimi me grupe arkitektësh ishte praktikë më se e zakonshme për kohën, për të arritur një vendosje sa më profesionale e estetike të veprës.
Skulptori përmetar ka disa nga veprat më të spikatura në Shqipëri. Monumentet e Çulit të vendosura në hapësira publike, si “Toka jonë” (në qendër të Lushnjës), “Ylli i lirisë” (Qukës, Librazhd-Përrenjas), “4 heroinat e Mirditës” (Ishte i vendosur në Rrëshen), apo një ndër monumentet më ekspresivë si “Tanush Topia” janë njësuar me ambientin dhe qytetin ku ndodhen, aq sa konsiderohen nga njerëzit e thjeshtë e ata të kulturës si pjesë përfaqësuese e vendit të tyre.
“Toka jonë” – Grupi skulptural, i vendosur në Lushnjë. Çuli punoi 13 vite për këtë vepër dhe realizoi 13 bocete, përpara se të merrte aprovimin e nisjes së saj.
“Bijtë e Shqipes”
Piktorja Lumturi Blloshmi, portret nga Perikli Çuli
“Ylli i Lirisë”, Pishkash – 1978. Perikli Çuli dhe Agim Rada, Lapidar kushtuar marshimit të Brigadës së Parë Sulmuese.
***
Perikli Çuli konsiderohet si një nga skulptorët më bashkohorë në Shqipëri. Me vepra me frymë moderne, në format dhe realizimin e tyre.
Gjatë inaugurimit të ekspozitës “Universi” mes miqve, kolegëve edhe familjarëve, vet artisti, i cili këtë ekspozitë ia dedikon bashkudhëtares së tij më të mirë në jetë, gruas së tij, Lejlës, shprehu dëshirën që të ketë një “matës” për bukurinë.
“Arti është ndjeshmëri. Arti nuk është filozofi. Nuk është shkencë. Nuk është politikë. Arti është një spiritualizëm i jashtëzakonshëm, ku derdhen emocionet dhe estetika më e bukur që qëndron rreth e qark njeriut. Prandaj artisti është gjithmonë në përpjekje, si ta bëjë bukur, që ta pëlqejnë. Si ta bëjë që të jetë edhe e përshtatshme me kohën”, është shprehur Çuli gjatë një interviste për televizionin “Report TV”.
Piktori Gazmend Leka e veçon Çulin si një nga personalitet më të fuqishme të artit shqiptar, ndërsa studiuesja Suzana Varvarica Kuka vlerëson kontributin e tij në konsolidimin e artit të mirëfilltë shqiptar.
“Perikli Çuli bën pjesë në atë grup të skulptorëve shqiptarë që i kanë dhënë fizionominë, zhvillimin dhe vazhdimësinë shkollës shqiptare të artit. Sot, Perikli Çuli është një nga artistët që trajtojnë dhe ekspozojnë skulpturën moderne. I shkolluar në një prej shkollave më të mira të Europës Lindore (Akademia ‘Nicolae Grigorescu’, Bukuresht) ai e orienton me mjeshtëri artin e tij si një përfaqësues i artit bashkëkohor modern në vendin tonë”, shprehet Varvarica për gazetën “Panorama” (shtator 2019), me rastin e hapjes së ekspozitës “Universi”.
“Kur hyn në hollin e Muzeut Historik Kombëtar, të duket vetja sikur po hyn në një tjetër dimension. Planeti i artit, i dashurisë, është aty. Është një krijimtari e tërë, krijimtaria e skulptorit Perikli Çuli, i cili ka derdhur aty gjithë jetën e tij. Pata kënaqësinë sot, ta kisha guidë në “Universin” e tij 60-vjeçar.“, shkruante ministrja e Kulturës, Elva Margariti, pas vizitës në ekspozitën “Universi”, të hapur në Muzeun Historik Kombëtar, më 3-17 shtator 2019, ku ai ekspozoi 80 vepra me rastin e 80-vjetorit.
Ekspozita zbulon edhe disa prej punimeve të paekspozuara të skulptorit si: “Vajza në heshtje” (dru arre, 1965), “Dashuria” (mermer gri, 2007), “Zogu rrezatues” (mermer i bardhë, 2008), instilacioni me gurë natyrorë “Obelisk” (2011), “Në hapësirat e Universit” (alabastër, 2013), instilacioni “Rrezatime Universi” (material miks, 2013), skulptura e parkut “Kapriço gurësh” (gurë natyrorë, 2014), “Tre dizajne me ngjyra mbi universin” etj.
Krijesat e Çulit ishin në mermer, alabastër, gur natyror, qeramikë, instilacione metalike, vepra konceptuale, grafika e imazhe të universit si edhe postera, fotografi etj. 60 vite rrugëtim artistik, që çelen me praninë në vepra të figurës femërore, ëndrrave, dashurisë.
***
Presidenti i Republikës, Ilir Meta në veprimtarinë e organizuar në Presidencë (22 nëntor 2017) “Java e Fëmijëve pa përkrahje prindërore” solli si shembuj për fëmijet jetimë disa nga artistët tanë më të shquar të kombit shqiptar qe dolën nga kategoria shoqërore e fëmijëve jetimë.
“Po sot shpreh nderimin më të thellë për personalitetet e jashtëzakonshme që dolën nga kjo kategori shoqërore me të cilët është nderuar vendi, kombi dhe shoqëria jonë si artistët e shquar: Ibrahim Rugova, Farudin Hoxha, Violeta Manushi Eno Koco, Margarita Xhepa, Xhevahir Spahiu, Shyqyri Sako, Ema Qazimi, Bejkush Birce, Andon Qezari, Limos Dizdari, Viktor Zhusti, Perikli Culi, Mimika Luca, Kico Fotiadhi, Bilal Xhaferri, Ibrahim Kodra, Kadri Roshi, Serafin Fanko, Zoica Haxho, Besim Levonja, Qamil Grezha, Kolec Traboini, Petraq Qafzezi autor i romanit të mirënjohur ‘Bonjakët’, profesor Lek Sokoli, Mimika Luca, e sa e sa personalitete të tjera të çmura, të cilëve u kërkoj falje që nuk mund t’i përmendim në këtë ceremoni, por që do të mbeten kurdoherë në mendjen dhe në zemrën tonë për kontributet dhe vlerat e çmuara që ata i kanë dhënë shoqërisë. Këto janë modelet më të mirë për fëmijët sot”, – theksoi asokohe Presidenti Meta.
Më 20 maj 2022, me rastin e Ditës Kombbëtare të Jetimëve, Bashkia e Tiranës i dha medaljen e lartë të mirënjohjes Ilir Çumanit, drejtor i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë. Mirënjohje morën edhe Perikli Culi, Ema Qazimi, Tefta Cami, Kolec Traboini, Shyqyri Sako, Lëkë Sokoli, Mimika Luca, Bujar Asqeriu, Bejkush Birce. Të gjithë kishin një kujtim nga fëmijëria e tyre, si personalitete të rritur jetim.
Më 29 shtator 2022, Bashkia e Përmetit, përmes një cermonie mbresëlënëse e shpalli skulptorin Perikli Çulli, “Qytetar Nderi i Përmetit”, në një aktivitet ku mori pjesë Kryetarja e Bashkisë, Alma Hoxha, por edhe shkrimtarja Diana Çuli dhe i biri, regjisori Hervin Çuli.
______________
Tiranë, më 16 korrik 2024