Rekuem për një shpirt

Shtëpia e piktorit Ramadan Karanxha ishte e mbushur plot me tablo, punime në kocka e brirë bagëtish dhe rrethuar me relike të vjetra.


Nga Agim Janina, studiues arti

***

Shtëpia e piktorit Ramadan Karanxha ishte e mbushur plot me tablo, punime në kocka e brirë bagëtish dhe rrethuar me relike të vjetra. Kishim një copë herë që po bisedonim e kishim dëgjuar disa incizime ariesh dhe muzikë simfonike dhe piktori u harrua pas tingujve.

Pastaj zuri të më tregonte një seri pikturash, heshti e duke më parë në sy ia bëri:

– Do të të tregoj diçka ndryshe.

U ngrit nga divani, iu afrua dollapit dhe si e hapi zuri të rrëmonte në rrobat e varura.

Dania gjithnjë në bisedë do të rrëfente diçka befasuese. Një herë zuri të tregonte, se kur ishte nxënës në Lice Artistik, sapo kishin mësuar mbi kërkimet anatomike të Leonardos me hapje kufomash dhe një ditë kishte shkuar në varrezat e qytetit dhe si kishte gjetur disa varre të braktisur dhe pa emër u kishte zbuluar eshtrat. Më pas i kishte larë e pastruar për t’i vizatuar.

“Kam zhvarosur mbi dhjetë kufoma. I kam nxjerrë me duart e mia. Shkoja natën, mbas orës dy, se kisha frikë se mos më shikonin rojet. I zbuloja kufomat, i laja me gëlqere dhe i ndërtoja përsëri skeletet. E mbusha studion plot.

Një herë erdhi edhe piktori Skënder Kamberi për ta provuar dhe nuk erdhi më.

Kam punuar shumë deri natën vonë. Nuk dija sa ishte ora dhe se sa ishte data. Ngrihesha mahmur dhe nuk dija ishte mëngjes apo darkë.

Nuk kishim ku të mësonim. Mësuesit na kishin ngulitur në kokë njohjen e thellë të anatomisë së njeriut. Kështu kishin vepruar Leonardo, Mikelangelo për të mbrritur te Rembrandti me tablonë e famshme “Mësimi i anatomisë”, ndaj dhe u detyrova të shkoja të zbuloja varret. Të tjerët kishin frikë.

Atëhere ishte e vështirë se të fusnin brenda, por edhe mund ta merrnin vesh familjarët e të vdekurve dhe dilte problem e ta.

Si mjeshtrat e mëdhenj dhe ne!”

Ndërsa piktori Kamberi kujtonte, “shkuam në Konostudio, ku ishte një varrezë e harruar dhe varret ishim pa emër. Me vete kishim disa qese plasmasi, një lopatë të vogël, një kaci dhe me to rrëmuam. Mbaj mend kur mora në duar një kafkë kishte një të çarë dhe kur e ngrita e shikova. I gjithë truri ishte bërë dhé. Përr… prej brimës rrodhi e gjithë ç’kishte brenda… Ndoshta mund të ishte ndonjë i pushkatuar…”

Më vonë Dania kuturisi dhe u mor me prodhimin e ngjyrave. Ishte një ndërmarrje tejet e madhe dhe pas një shkrimi lavdërues në gazetë mori vëmendjen e Kryeministrit Mehmet Shehu.

Pas takimit me të, Danes iu vu në dispozicion gjithë stafi pedagogjik i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Dega e Kimisë me në krye dekanin Karajani, të cilët përktheni faqe të pafundme, që caktonte Dania nga librat që porosiste në gjuhë të huaj.

Dania botoi edhe një libër, titulluar “Teknika dhe kimia në pikturë”. Vërtet bojrat u prodhuan dhe u ngrit një repart në NISH Kimike, por nuk ishin ngjyra për pikturë edhe pse u përdorën nga piktorët, por gjetën përdorim të madh, duke hequr nga importi shumë produkte ngjyrash.

Disa herë së bashku me të shoqen Afërditën, piktoren e talentuar, u orvat edhe të arratisej, por nuk ia doli. “Kujdes profesor se po të ndjekin!” – e paralajmëroi një arsimtar, në shtëpinë e të cilit kishin bujtur, në Vermoshin e largët. “U tymosëm atë natë, rrëfente piktori. Më ka lënë përshtypje sa nuk do ta harroj gjithë jetën. Ndërsa ishte ngrysur dhe nata kishte mbuluar dhenë, hapet dera dhe hyn djali i arsimtarët, dy metra i gjatë, i hijshëm sa më s’ka. Sikur kishte zbritur Apolloni! Më la pa mend e kokës.

Dania u ngrit nga kolltuku, ku ishte ulur dhe iu drejtua dollapit të rrobave. Diçka rrëmoi në të dhe u kthye. Në dorë, të varur mbante një kostum të zi.

– Është kostumi i Alberto Sordit, foli dhe në buzë iu var një buzëqeshje.

Ishte në kufijtë e të pabesuesshmes. Kostumi i Alberto Sordit në shtëpinë e Ramadan Karanxhës!

– Si është e mundur?!

– He…, – piktori buzëqeshi përsëri. E kam takuar. I kam bërë një portret. Ia dhurova dhe ai më dha si kujtim kostumin e tij.

– Dhe ti e mban në dollapin e rrobave?

– Ku ta mbaj tjetër. E kam të shtrenjtë.

Çudia e Danes! Kostumi i aktorit të madh komik mund të rrinte fare mirë në një muze. Jo, Dania e kishte të shtrenjtë dhe e donte për vete, sepse atij ia kishte dhuruar.

Alberto Sordi ka interpretuar në mbi 200 role, duke dhuruar buzëqeshje, lot dhe gëzim. Ai që ka shkruar historinë e Kinemasë Italiane! Një cohë nga shtati e shpirti i tij mbyllur në dollapin e rrobave të Ramadan Karanxhës!

Ishte i çuditshëm Dania, shumë i vështirë në bashkëbisedim dhe duhejt t’i gjeje anën.

Gjithnjë takimi me të sillte të papritura dhe punët e tij në ekspozita tërhiqnin vëmendjen për trajtimet teknike të përpunimit të ngjyrave, llakimet dhe profesionalizmin e veçantë…

 

 

 

Resul Jusufi fiton “Golden Award” në Korenë e Jugut

Artisti nga Kosova i cili jeton dhe krijon në Austri, është i mirënjohur ndërkombëtarisht për punimet e tij.

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.