Skulptorja Suzana Varvarica Kuka, studiuese e shkëlqyer e arteve pamore

Skulptore. Piktore kostumesh. Kuratore. Studiuese e Artit. Autore librash. Sot feston 69-vjetorin e lindjes.


Nga Dash Frashëri

Suzana Varvarica Kuka!

Skulptore. Piktore kostumesh. Kuratore. Studiuese e Artit. Ligjëruese. Autore monografish artistësh dhe librash kushtuar arteve pamore. Moderuese.

“All in one”.

Në fakt, e kam shumë të vështirë për të shkruar një portret për një studiuese të shkëlqyer si ajo dhe njohëse e thellë e arteve pamore, jo vetëm shqiptare, por dhe ato ndërkombëtare. Më duhet të gjej fjalët e duhura për ta përshkruar, ashtu siç dhe ajo e meriton.


Studiuesja Suzana Varvarica Kuka dhe Dash Frashëri, botues i portalit “DashArt”, kushtuar Arteve Pamore.

***

Suzana Varvarica Kuka u lind, më 19 korrik 1955, në Tiranë dhe sot mbush 69 vjeç. Një jetë kushtuar artit!

E nderuar dhe e vlerësuar për kontributin e saj.

Rrugëtimi i Suzana Varvarica Kukës në art ka ndjekur rrugën normale të një artisti të kompletuar. Nxënese e Liceut Artistik “Jordan Misja”, me profesor skulptorin e mirënjohur, Janaq Paço. Pikërisht, shkrimi i parë i është kushtuar Paços.

“Më pas kam studiuar në degën e skulpturës monumentale, prej 5 vitesh në Akademinë e Arteve” (1974 -1979).


Jan Kukuzeli (1987) – Skulptore Suzana Varvarica Kuka

“Si çdo student që sapo mbonte diplomën duhej të merrte një vend pune, një emërim, më çuan në Kinostudion “Shqipëria e Re” dhe më emëruan si piktore kostumesh. ka qenë një eksperiencë e shkëlqyer për njohjen e jetës, në kuptimin e mirë të fjalës, njohjes së njeriut, njohjes së personazheve dhe natyrësh, njohjes së shtatë proceseve që ishin në film dhe që kishin të bënin me artet. “, tregon ajo gjatë një interviste për televizionin “Report TV”.

Piktore kostumesh në disa filma, përfshirë të mirënjohurin “Nëntori i Dytë”, i regjisorit Viktor Gjika, “Artist i Popullit”.

Pas rreth pesë vitesh si piktore kostumesh, nisi punën si piktore-regjisore në filmat e animuar. “Arrita të krijoja dy filma vizatimorë: “Gara e milingonave” dhe “Qershiza mendjelehtë””, tregon ajo.

Më pas punësimi te Qendra e Realizimit të Veprave të Artit.,  e cila kishte të bënte edhe me krijimin, edhe me restaurimin, por kishte të bënte edhe me prodhimin e mediumeve të ndryshme për skulpturën, për mozaikun, për pikturën murale, për afreskun, për qeramikën.

“Dhe kam filluar në sektorin e materialeve të forta, ku bënte pjesë edhe hekuri i rrahur, por edhe skulptura monumentale e derdhur në bronz.”, tregon ajo në intervistën për gazetaren Dhurata Hamzai.

Odisea e Varvaricës vazhdon në Galerinë Kombëtare të Arteve, në vitin 1995. Drejtor asokohe ishte Alush Shima. U pranua në punë, falë edhe një studimi të shkruar për profesorin e saj, Andrea Mano.

Drejtori i ardhshëm, Gëzim Qendro, vendosi që të bëhej një revistë për Galerinë Kombëtare të Arteve, e quajtur “PamorArt”, e cila sot nuk botohet më. Suzana ishte ndër kontributoret më të dalluara: me shkrime dhe intervista.

Suzana është një autore librash të shumtë dhe shumë skrupuloze në misionin e saj.

Libri i saj i parë monografik i kushtohet skulptores së parë shqiptare të shekullit të XX, Kristina Koljaka (Hoshi), e diplomuar në Itali dhe mësuese në Liceun Artistik “Jordan Misja”, por me një jetë të trazuar dhe e lënë mënjanë nga regjimi komunist, për shkak të të atit të saj.

Më pas vijnë një duzinë librash tematikë dhe monografikë, duke filluar nga libri për Kristaq Ramën, për Andrea Manon, Gjelosh Gjokën, Alush Shimën, Jakup Kerajn, Simon Rrotën, Vangjush Mion, Faruk Bashën, etj.

 

Suzana është e pranishme në shtypin e shkuar, përmes shkrime të shumta apo intervistave që ajo jep.

Ligjërata e fundit e saj ishte ajo e mbajtur në Akademinë e Shkencave, me temë “Krijuesit e ndaluar në artet pamore – Edison Gjergo dhe koha e tij”.

Suzana Varvarica ka kuruar shumë ekspozita dhe ka drejtuar disa projekte.

Më 23 korrik do të hapet një tjetër ekspozitë me kuratore Varvaricën.

Suzana është e ftuar shpesh në emisione të ndryshme televizive. për të folur rreth arteve pamore dhe jo vetëm.

Ta gëzosh Ditëlindjen Zana!

________

Tiranë, më 19 korrik 2024

 

“Viti Zero” i Gazmend Lekës

"Piktura e Lekës ngjan si një dekriptim i gjësendeve ku jeta dhe vdekja lëkunden në fill të perit në një…

Qazim Arifi, skulptori më i mirë i Bienales “Usa Tour 2023-2024”

Arifi ekspozoi punët e tij në "Bienalen Usa Tour" në Los Anxheles, Uashington, Miami dhe Nju Jork.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.