Buza, i pari piktor modern shqiptar

“Ai mbetet për mua më kompleksi, më origjinali  dhe më i jashtëzakonshmi piktor shqiptar i shekullit të kaluar”


Nga Bashkim Ahmeti Izano

Buza është mbase i pari piktor modern shqiptar. Sido që të jetë, ai është  i pari piktor modern ndër piktoret që jetuan në Shqipëri në shekullin e njëzetë.

Kjo mbase në vetvete nuk ka ndonjë rëndësi, mirëpo, ashtu siç ndodh  shpesh me të parët, për ca arsye të çuditshme ai mbetet për mua më kompleksi, më origjinali  dhe më i jashtëzakonshmi piktor shqiptar i shekullit të kaluar. Jeta e gjatë artistike e tij është një rrugëtim në kohët e turbulluara që kaloi Shqipëria dhe ai bashkë me artin e tij në shekullin e kaluar. Buza mori një edukim të plotë akademik. Filloi të vizatonte si një nxënës që mëson të vizatojë nga natyra. Më pas ai e stërviti mjeshtërinë në Akademinë e Artit në Firence duke u njohur dhe studiuar mjeshtërinë nga piktorët e Rilindjes Italiane, e thjeshtoi atë në vazhdim si piktorët e treqindëshit italian dhe mbërriti me një qartësi të rafinuar te stili i tij vetjak që gjithsesi që në fillimet e tij duket të jetë i influencuar nga piktura moderne e viteve ’20-’30. Stili i tij është shprehje e talentit, edukimit dhe gërshetimeve kulturore e historike që shënjojnë personalitetin e tij të çuditshëm. Në kundërshtim me çfarë në përgjithësi mendohet për shqiptaret e ditur  të këtyre viteve, ata  e kishin fituar aftësitë dhe vetëbesimin e nevojshëm për të krijuar e lartësuar  kulturën dhe artin e kultivuar kombëtar shqiptar. Mbas njëqind vitesh rilindje kombëtare, tani në shtetin e tyre të porsa krijuar ata ishin të bindur për bukurinë e mbijetuar të kulturës  e qytetërimit shqiptar i cili porsa  po institucionalizohej me shtetin kombëtar. Ata ishin  plot ëndrra të shqetësuara. Buza i kishte hyrë me thjeshtësi dhe natyrshëm kësaj rruge që në Akademinë e Arteve në Firence. Së bashku me një tjetër talent të madh, Odise Paskalin, si në Torino ku studiuan së bashku, si në Tiranë ndërkohë që ata po ngrinin shkollën e vizatimit, mendonin dhe flisnin për tiparet e artit shqiptar që po mëkëmbej, dhe shikimin e hidhnin larg. Paskali me Buzën ia dolën të krijonin artin e tyre të madh edhe pse plot me gropa e pjesë të munguara e të këputura në mënyrë dramatike për arsye të katastrofave politike nga kaloi historia. Ka shume vite që jam i ndërgjegjësuar për këtë dhe sa herë që më  ndodh të rikthehem rastësisht  te punët e Buzës, ato më rrëmbejnë në boten e tyre më fort se më parë. Si nxënës në Liceun Artistik të Tiranës i pa mësuar me gjuhën e pikturës moderne, m’u desh një kohë të arrij ta lexoj stilin vetjak të Buzës edhe pse e ndjeja fort  bukurinë dhe çudinë e artit të tij që ishte  shumë ndryshe nga gjithë  bashkëkohësit e tij. Sot ai është lehtësisht i lexueshëm për këdo që e pëlqen artin e pikturës.  Unë shumë shpejt u dashurova përgjithmonë me artin e tij.

Për mua ende mbetet  mister vet Buza. Ai i jashtëzakonshmi, ai i fshehuri mbas modestisë se një burri të sjellshëm e të qeshur, që i pëlqente të bisedonte e të bënte shaka. Ku ishte vallë gjeniu, ai që nuk e lëshoi asnjëherë ëndrrën e tij kryeneçe? Ku ishte çudia e artistit tek ai mësues strikt e shembullor që respektonte rregullat e punës e të shtetit?

I shikoj punët e tij dhe mendoj që atje është ai vet i pranishëm në pikturat e tij. Këto punë janë idetë e tij, mendimet e tij të fshehta janë dora dhe syri i tij. Aty është rruga që ai ndoqi në jetë, rruga që ndoqi arti i tij, që në fakt ishte jeta e tij e vërtetë; ajo që ai e jetonte i vetëm pa iu hapur kujt deri në fund. Shpeshherë edhe ai mundohej të hapej por siç duket e kishte  të vështirë edhe vet ta shpjegonte pikturën e tij, atë që e kishte berë si dhe atë që do të donte të kishte bërë.

Buzës i  pëlqente jeta. Vishej me kujdes, kërcente  përsosur vals e tango, i pëlqente vera e mirë dhe fliste me shaka me shokët e mi pogradecarë për verën, për peshkun koran e për kajkushkat. Ai e shijonte kafen, pinte duhan  dhe shpjegonte pa ndrojtje  proporcionet fizike të bukurisë femërore. Megjithatë, mbrapa këtij burri tërheqës e buzagaz ishte një tjetër  burrë. Një  i shqetësuar e dramatik. Shpesh kalonte befas në një heshtje serioze. E shihje të kalonte korridorit të shkollës me shikimin të përqendruar diku i thithur në vetvete. Ne na dukej kjo e natyrshme për një artist të shquar. Me siguri ai shqetësohej për kohën që po ikte, për muralet që nuk i beri kurrë, për botën e imagjinuar prej tij, atë që pikturonte  dhe atë që ëndërronte të pikturonte.

Përmbysjet e mëdha e dramatike që e shoqëruan hyrjen e Shqipërisë në sistemin komunist sigurisht që e turbulluan edhe artin e tij për ca kohë, ndoshta përgjithmonë. Ai mbase e besoi se mund të pikturonte edhe sipas rregullave të reja. Ai provoi të pikturonte “Boten e re”. Bëri disa piktura me temë nga kantieret e punës vullnetare  por menjëherë hoqi dorë. Botën e imagjinuar prej tij e kishte  shumë të forte brenda vetes. I përkushtuar ndaj  punës së mësuesit ai për një kohë pothuajse nuk pikturonte më. Në tregimet e tij i kthehej shpesh asaj kohe dhe tregonte si më vone e gjeti  përsëri veten në fund të të pesëdhjetave e në fillim të të gjashtëdhjetave që ishte një moment i shkurtër liberalizmi kulturor mbas vdekjes së Stalinit. Në ato vite u kthyen nga shkollat e vendeve komuniste piktore të rinj. Ata ma pëlqenin pikturën, thoshte Buza, dhe kjo kishte  shumë rendësi  sepse ata vinin drejt e nga Meka e komunizmit. Guri{Madhi}, Kristaqi{Rama} e Vilsoni{Kilica} e kuptonin  çpo bëja unë dhe unë isha shumë  mirë dhe po punoja, mirëpo kur erdhi në gjashtëdhjetekatrën fjalimi i Ramizit {Ajia{ për revolucionarizimin e jetës së vendit çdo gjë ndryshoi. Kërkohej përsëri një pikturë tjetër dhe unë nuk po mujsha të pikturoja ashtu. Nuk  mundem unë ta pikturoj një grua me lopate dhe një burrë me kazmë, dhe e ngrinte dorën me  qeshur  sikur mbante një kazmë. Unë kam në mend një tjetër gjë, thoshte me një tenge të fshehtë gjatë një vizite në studion e tij. I tha këto dhe e ktheu në shaka. E di çfarë dua unë të pikturoj, një nuse  pusi dhe një malësor që kalon aty dhe e sheh plot kureshtje por ngaqë asht shume  serioz  nuk e jep veten. Ja këto dua unë të pikturoj, tha me vetë-ironi dhe duke qeshur. Në fakt ai e dinte se çfarë donte të pikturonte. Ai donte të pikturonte Shqipërinë epike, Kosovën që kishte mare me vete brenda tij. Në njëzetë- tridhjetat  gjysma e atdheut i  prerë brutalisht shkaktonte dhimbje te të gjithë. Veçanërisht të të shkolluarit. Buza i takon kësaj gjenerate që e kishin atdheun fe e përmbi fe.

Kur  shkoi për vizitë në Kosovë mbas 35 vjetësh ai u takua edhe me një grup artistësh kosovarë, kryesisht abstraktë. Është shumë mirë, iu tha, që ju jeni të lirë të pikturoni çfarë të doni por ju duhet t’i lini edhe të tjerët të pikturojnë çfarë duan. Po të bëjnë të gjithë pikturë abstrakte kush ka për ta pikturuar Kosovën, bukuritë, dhe luftën e saj.

Ikonografia e pikturës së tij është e thjeshtë. Është epike ashtu si edhe stili i tij. Buza imagjinoi një figurë, me saktë një burë e një grua. I pikturonte  ata në gjendje të ndryshme. Në rrugë, në valle, në mort, në mal, në tokë, në qiell dhe në arrati, në ferr. Figurat e tij janë të pa krahasueshme ose të krahasueshme vetëm me mjeshtrit e mëdhenj. Ai krijoi një siluetë të përgjithësuar si në afreskët e Giotto-s. Në përgjithësi figurat janë në profil si në relieve. Saktësia e vizatimit dhe e anatomisë së figurës njerëzore dhe kthjelltësia vizuale të sjell nder mend aty për aty mjeshtërit e rilindjes italiane si edhe De Chirico. Burrat dhe gratë e pikturave të tij edhe pse me vëllime dhe peshë e rëndese janë prapëseprapë në një gjendje fluturuese, siç e ka shprehur Kadareja. Në një ecje fluturuese që u vjen nga mënyra si i vizaton këmbët  që sa e prekin dheun, si në valle. U vjen nga  forma e trupit ose mbase thjesht nga kostumet  dhe opingat që kane veshur. Format i ka përgjithësuar me detaje të thjeshtuara për hir të kthjelltësisë vizive. Çdo gjë është në vendin e vet. Nuk ka gjëra të tepërta dhe rrëmujë e kaos në artin e tij. Ky është arti i mjeshtërve, arti i madh.

Gjithë kjo është rezultat i talentit, i rastit dhe rrethanave por në fund ishte qëndresa e personalitetit të tij  të jashtëzakonshëm që e shtyu përpara ëndrrën dhe vizionin e tij për pikturën. Stili i tij është sigurisht rezultat i edukimit dhe eksperiencave të jetës së tij.

Është rezultat i asaj që ai solli nga Kosova, asaj që ai solli nga Firence dhe i asaj që gjeti në Tiranë. Është misteri që nuk e gjejmë dot me fjale por veçse mundemi ta shohim e përjetojmë tek arti i tij.

Si u kthye nga Firence ku kreu studimet e larta për arte dekorative dhe pikture monumentale Buza filloi të pikturojë në Tiranë. Bënte piktura të vogla, portrete dhe peizazhe. Në studion e tij gjendet midis disa pikturave të sjella nga Italia edhe një nudo me ngjyra të freskëta sikur të ishte punuar dje. Për të, siç thotë Kujtim Buza, i ka pozuar gruaja e tij në kohët e para të martesës se tyre. Kjo pikturë është si një përcaktim, një thënie për jetën e tij të mbas shkollës. Ai jepte mësim në shkollën e vizatimit në Tiranë, në shkollën pedagogjike dhe besoj që ishte i lumtur. “Kur shkonin me shokët në piknik në rrethinat e Tiranës, Buza merrte me vete bllokun e  vizatimeve ose një telajo të vogël  për të pikturuar në natyre. Merr një më të  madhe, i thoshin shokët, por ai që është duke u përgjigjur, mjaft e kam.

Janë pak piktura të tij të kësaj kohe. Janë portrete nga natyra në një stil që unë do ta quaja ekspresionist  por qe sidoqoftë është një mënyrë krejt ndryshe nga piktoret e tjerë bashkëkohës Shqiptare. Piktura me ngjyra të forta e vizatim gjithashtu të thjeshtuar fort. Për mbi të gjitha pikturoi “Autoportret” dhe “Profil fëmije” që do t’i bënin nder çdo mjeshtri të madh dhe çdo muzeu në bote. Në shtatëdhjetat kur unë isha student në akademinë e arteve këtë dramacitet të pikturave të tij të pakta e shpjegonin me depresionin dhe pesimizmin që kishin njerëzit e shkolluar në kohën e mbretërisë por sigurisht që këto shpjegime ishin propagande komuniste. Janë pak punë të asaj kohe. Kryesisht portrete. Punime të bëra gjatë ditëve të pushimit në Pogradec prej nga ishte gruaja e tij. Sidoqoftë ai vizatonte shume. Buza ishte një lloj grafomani. Nuk e hiqte lapsin nga dora. Mirëpo si perfeksionit që ishte ai nuk mund të ulej kudo dhe të fillonte të pikturonte vrullshëm. I vinte për të qeshur kur dikush në klasë ia fillonte pikturimit drejt e në kanavacë të bardhe e me gjestikulacione. në klase këmbëngulte qe të bënim dhjetëra skica për të kompozuar në letër, qoftë  edhe  një objekti të thjeshtë. Këmbëngulte për ta vizatuar çdo gjë më pare e pastaj për ta hedhur me katrore dhe me konture të qartë në kanavacë. Ai vinte nga shkolla e afreskut të mjeshtërve italianë që bënin punë përgatitore për pikturat e tyre. Vite me vone kur unë vet pikturoja afreske e kuptova se sa shume kishte luajtur rol  për pikturën e Buzës eksperienca e tij me afreskun,  sidomos për të ndërtuar teknikën  që e ka përcaktuar mjaft edhe stilin e tij. Prej eksperiencës me pikturën murale ai ishte i lidhur me bojërat e ujit, qoftë akuarel ose tempera. Janë të pafundme skicat e tij me bojëra uji. Në vitin 1976 pikturoi një tufë me kartolina {post cards} për t’i dërguar në shok e miq për të uruar vitin e ri. I befasuar e i lumtur, edhe unë në Gjirokastër mora një kartolinë të tillë. Një vajzë fshatare me një bredh në sfond e pikturuar me akuarel në një letër të vogël e të fortë. Siç duket, ai nuk harroi as ish nxënësit e tij. Ishte vërtet i çuditshëm Buza. Piktura e afreskut e kishte mësuar t’i shmangte korrigjimet në piktura, mirëpo edhe me ngjyrat e vajit ai insistonte ta ndërtonte pikturën me të prekurën e parë, pa bërë korrigjim, njësoj si në tekniken e afreskut. Korrigjimi, thoshte, ta prish gjurmën e penelit dhe ta ndot bojën. Kur bënte një gabim, në vend që ta korrektonte me një prekje të dytë, e ndreqte duke bere një tjetër gabim. Dy gabime bëjnë një të drejte. Me një lente në dorë dhe me pikturën në tjetrën të tregonte plot entuziazëm prej edukatori se si thureshin penelat, si e kishte thithur bojën kartoni dhe ku ngjyrat e prishnin njëra-tjetrën keqaz. Kaq shumëe ishte i preokupuar për tekniken, prekjen e penelit dhe gjurmën sa shpesh kritiket e quajnë post-impresionist. Mbase edhe për shkak të ngjyrave e të harmonisë. Në fakt, peneli i tij është tradicionalisht post-impersionistik, i afërt me Renoir, edhe pse ai zhvilloi stilin e tij personal ku paleta me ngjyra të gjalla është një ndër tiparet e këtij stili. Në këtë gjykim stilistik ai është me shume një paralele me Bonnard,  që edhe pse i dalë nga post-impresionizmi, gjithsesi, edhe ai është një piktor modern.

Zhvillimet e tjera artistike nuk e interesuan Buzën. Jo vetëm se ishin rreptësishtë të ndaluara por besoj se me të vërtetë nuk i interesonin. Ai bëri udhëtime në disa vende por zor se do të gjesh ndonjë ndikim të tyre tek arti i tij. Nga vizita e tij në Ermitage ai tregonte për Danaen e Rembrandt-it që e kishte pare aty  dhe veçanërisht për dy piktura të Van Gogh-ut. Nuk e kisha pare Van Gogh-un më parë në origjinal, tregonte një mbrëmje. Kur më dolën përballë  pikturat e tij  Ermitage, tregonte sa here që binte fjala për dritën e brendshme të pikturës, u hutova. Jashtë kishte dëborë, piktura e Van Gogh-ut ndriçonte njësoj si dritarja. Dola jashtë dhe shkova bleva një paketë cigare. E kisha lenë duhanin. E fillova perseri.   

Kubizmi surrealizmi nuk patën influence tek ai. Nuk fliste për to, ndërsa s’pushonte së foluri për Renoir, Cezanne, Matisse dhe vizatimet e Picassos. Renoir e gjeti befas si zbulim. Filloi të kopjoje pikturat e Renoir në një karton diçka më pak  se një metër. E mori me radhë një libër të tërë dhe e mbushi kartonin me kopjet e Renoir në rresht njeri mbas tjetrit. Here me Skënder Lakon e herë me Gjergj Markon i shkonim në studio të shikonim si po shkonte kjo punë. Ai nuk përtonte dhe na shpjegonte stilin e Renoir dhe sa shume donte t’i kishte parë në origjinal punët e tij. Sigurisht që edhe ne donim shume t’i shihnim ato në origjinal. Nuk e fshehte që i vinte keq për ne.

Gjithmonë kam menduar përse Renoir? Eksperiencat punktualiste të Chini-t, mësuesit të tij italian, me siguri që ishin në memorien e tij. Mirëpo ai si të gjithë piktorët e vërtetë, ishte i preokupuar për shenjën e tij, prekjen spontane të penelit, mënyrën si boja le gjurmë mbi sipërfaqen e pikturës. Dhe për ketë, Renoir i dukej një shok i mirë. Zef  Kolombi në vitet tridhjetë kishte provuar  ta kishte një prekje punktualiste e disi impresioniste por paleta shumëngjyrëshe e Buzës kapërceu guximshëm të gjithë shokët e tij duke përfshirë edhe Kodrën dhe Sabri Fetahun që duke jetuar jashtë Shqipërisë komuniste u rreshtuan me artin modern. Mbas eksperiencave me Renoir, piktura e Buzës vjen në një stad ku ai nxjerr nga dora vetëm kryevepra. në periudhën e parë mbas shkollës  ai pikturonte çfarë shikonte por e bënte ketë duke luajtur me ngjyrat dhe duke e thjeshtuar vizatimin. Sidoqoftë ngjyra ishte subjekti, gëzimi dhe kënaqësia e pikturimit. Më pas ai e zbuloi Shqipërinë epike që e kishte në trurin e tij dhe tani pikturonte vetëm atë. Buza është mbase i vetmi piktor arti i të cilit duket i lidhur me idetë e lëvizjes  letrare të kohës. Janë vetëm disa piktura peizazhe qe ai i kishte bërë gjatë luftës se dyte botërore.  Po të heqësh  nja dy piktura me partizanë  që i punoi më vone për ekspozita me temë përvjetorët e çlirimit, zor se mund të gjesh gjurme të epopesë partizane në artin e tij. Fëmijëria dramatike, ëndërrimi dhe kërshëria për realitetin epik të malësorëve janë ato që e shtynin Buzën për të rikrijuar përmes pikturës  një realitet tjetër, ku veprojnë ligje të ndryshme nga graviteti i  botës që e rrethonte. Kjo botë e artit të tij është krejt e pa prekur nga jeta reale ku jetonte. Arti i tij është një stil personal që vjen nga raporti i tij personal me fëmijërinë,  Shqipërinë e përjetshme dhe pikturën moderne. Shekulli i njëzetë, po të heqësh disa piktura me teme nga aksionet vullnetare të bëra gjatë viteve të para të mbas luftës, mungon krejt në pikturën e tij. Edhe në rastet kur jeta reale hyn në artin e tij ajo merr një pamje legjendare. Ai ishte në një gjendje konstante të kërkimit të një pikture qe nuk ishte e botës ku jetonte, por diçka që ishte e ndryshme, e veçantë, e pazakontë.  Realiteti i imagjinuar i pikturave të tij  ishte në mendjet e shume njerëzve  bashkëkohës dhe temat e  idetë e pikturave të tij ishin  shqetësim i brendshëm për shume njerëz. Gjithsesi kjo botë e artit të tij me zor i përshtatej ligjeve të botes reale ku jetonim, ishte  jashtë ligjeve dhe normave të jetës që sundonte përtej derës së shtëpisë dhe vetes së gjithsecilit. Disa piktorë vizituan Prishtinën në fund të shtatëdhjetave. Ata ktheheshin prej andej me dosjet me vizatime e me piktura. Buza u kthye plot mbresa e biseda por nuk pash asnjë vizatim të sjellë prej andej. A pikturove aty gjatë udhëtimit,  e pyeta dhe menjëherë e kuptova që pyetja ishte pavend. Ai bëri sikur nuk e dëgjoi dhe vazhdoi tregimin.

Mbrëmjet në Tiranën  e 1970-ës ishin plot mërzi. Java kalonte në shkolle, në atelietë ose në librarinë e shkollës. Po të mos kishte ndonjë film për të qenë në kinema, fundjavat ishin veçanërisht të trishtuara. Sidomos kur binte shi. Më kujtohet sikur gjithë dimrit binte shi. në të tilla pasdite të vona duke dale nga akademia me Lakon, Gucin, Markon e Kocin dikush propozonte: Le të shkojmë te plaku. Kjo kuptonte të vizitonim studion e Buzës ku gjithmonë na hapej dera. Në shtëpinë e tij ishin dy piktorë Buza, Kujtimi dhe Buza plaku, ne trokisnim në derë, patjetër pa njoftuar më parë sepse një grusht njerëzish kishin telefon. Derën përgjithësisht e hapte Shpresa, gruaja e Kujtimit. Ajo na mirëpriste e qeshur a thua se gëzohej nga vizita jone para darke. Mbase me të vërtete gëzohej për Buzën që siç duket kënaqej nga vizitat tona. Kujtimi  nuk përzihej  në vizitat tona të mësuesi. Ai vetëm se ia ndante Buzës vizatimet me dosje ku shkruhej “Jo për studentët”. Plaku nuk i bindej dhe na i tregonte ato kur nuk ishte i biri në shtëpi. Kjo punë e dëfrente por gjithashtu ai donte ta ndante me në ç’kishte bërë. Ishte kureshtar të dinte ç’mendonim ne për punët e tij të reja. Ne veç mrekulloheshim.

Shokët e mi të dhomës së konviktit, Robert Guci e Gjergj Lako, u kthyen një darke të lagur nga shiu por plot entuziazëm. E di, më thanë, ishim  Buza. Dhe e di çfarë? Plaku po pikturon “çupka” , “nimfa”. Jo malësore, jo vullnetare aksioniste por “naivka”. Kështu ne quanim me të tallur në mënyrë Lasgushiane  një lloj vajze qytetëse.  Herën tjetër kur shkova në studion e tij pashë “Leda me patën” dhe “Nimfa”.

Mësuesi i tij në Firence ishte Gallileo Chini, një piktor i zoti që pikturonte në stile të ndryshme por më së shumti Art Nouveau gjë që e dallonte prej shumicës së piktoreve italianë bashkëkohës. Kur i heton pikturat e tij jo se e gjen kaq shume Buzën ndër to, por sidoqoftë  ngjyrat e forta, ngjyrat spektrale si edhe një lloj ekspresionizmi që në Itali e emërtonin ndryshe, dekorativitet dhe punktualizëm, Buza siç duket i trashëgoi prej Chini-t edhe pse po të mendosh për lidhjen e tij me kostumet kosovare kjo mund të mos  duket bindëse. Chini si ia konstatoi shqiptarit të ri paletën shumëngjyrëshe e këshillonte ta  ruante mënyrën e tij spontane me ngjyra parake. Kjo influence  nuk më pengon ta quaj atë të parin piktor modernist shqiptar aq më tepër që kontaktet e piktorëve shqiptarë me pikturën moderne u ndërprenë përgjithmonë  mbas luftës së dytë. Të tjerë piktorë modernë shqiptare ishin jashtë shtetit shqiptar. Abedin Dino jetonte në Francë,  Sabri Fetahu në Stamboll, Kodra në Milano. Buza, i vetëm në Tiranë, përpiqej ta lidhte stilin e tij modern  me temat patriotike ose e kundërta dhe ta ekspozonte artin e tij. Në biseda me të ai ngulte këmbë që ta bënim artin tonë të tillë që të ekspozohej. Rregullat e shtetit duhej të zbatoheshin por pastaj  secili duhej të bënte artin e tij atë qe kishte brenda vetes. Në vitet shtatëdhjetë me Ekspozitën e Pranverës, të tjerë piktorë provuan  me teknikat e artit modern por përfunduan burgjeve. Buza u la. Mbase talenti i jashtëzakonshëm është hutues, dhe sugjestionues. Mbase ai nuk bënte njeri xheloz dhe nuk  konfrontonte njeri me atë “folklorizmin” e tij, me ato “historizmat” e “kosovarizmat” e tij. Këto cilësi nuk të ndihmonin as në karrierë e as në radhën elitare. Partishmëria socialiste ishe ajo qe të ngrinte në poste dhe të bënte objekt të zilise së kolegeve. Snobizmi  të afronte me elitat. A e mbronte atë pozita shtetërore e fëmijëve të tij? Patjetër  që po. Në këtë kuptim ai ishte me shume fat mirëpo prapëseprapë kur diktatura vendoste ta godiste dike nuk kishte njeri  që ta shpëtonte. Sidoqoftë ai ju kishte shpëtuar goditjeve të censurës për kaq shume vite. Prej kohesh ai ishte pozicionuar me “kulturën popullore” dhe ai e bënte këtë me poza naive. Ai i shpjegonte në mënyrë disi fëminore pikturat e tij. Mbase nuk i hiqej nga mendja që unë isha nxënës. Kisha qene nxënës i tij në klasën e dekoracionit dhe pllakatit në moshën 14-15 vjeç. A ishte naivizmi modernizëm? Sidoqoftë jo për një qe pikturonte malësore e malësore dhe vizatonte figura me anatomi të rregullt. Ai ishte një mësues shembullor qe nuk gabonte kurrë. Si shume të brezit të tij ai kishte një  besim hyjnor tek arsimimi. Tregonte për vizitën në Prishtine mbas gati 40 vjetësh. Aty i afroheshin idhtarë të PPSH qe kishin qene në burg. Ata dukej qe ishin krenare për këtë. Ata ishin të rinj në moshën qe duhej të ishin në shkolle. Ruajuni burgut ju thoshte. Shkolla, universiteti do ta çlirojnë Kosovën. Me shumë kujdes ai  iu shmangej  pozave të heroit dhe shfaqej me shumë si një nostalgjik naiv i fëmijërisë dhe  vendlindjes se e tij. Unë,  thoshte  me të qeshur, duhej  isha martuar me një kosovare. Nuset kosovare me veshjet dhe krehjet e tyre janë një bukuri artistike, dhe një çudi kurioze. Kostumi i tyre është si  teatër i vizatuar plot fantazi e kuptime  fshehta. Nusja ngrihej më herët, përgatiste mëngjesin dhe vishte kostumin për  pire kafen me burrin dhe për ta përcjellë  punë. Mbas kësaj e hiqte prapë dhe vishej për pune. Në mbrëmje vishte përsëri kostumin e çmuar sa  vinte ora e gjumit. Këto ai i thoshte me një ndjenje shakaje por është e vërtetë që ai jetonte me këtë bote imagjinarë. Mbas gjysmës së të pesëdhjetave ky admirim për Kosovën nuk quhej shumë i rrezikshëm. Në fakt deri atëherë ai ekspozoi shumë pak. Punës si mësues i ishte kushtuar me të gjithë energjitë dhe kjo njëfarësoj e bënte të lumtur. Kam në kujtesë dy-tre njerëz që simbolizojnë për mua  figurën e mësuesit. Buza është një prej tyre. I veshur me sqimë, me kostume të pastra dhe me buzët e mëngëve të ngrëna nga përdorimi. Serioz por gjithmonë me një buzëqeshje të lehtë. I gatshëm për ta kapërcyer me një shaka të holle çdo situate dramatike.  Ditën e pare në Liceun Artistik behej ndarja e nxënësve  në dy grupe. një grup për skulpture dhe një grup  për pikture. Askush nuk donte të shkonte me skulpturën, të gjithë donin të bëheshin piktore. Mbasi mbaronin argumentet për cilësitë që ai gjente në vizatimin e secilit nga ku ai kuptonte se kush duhej të behej skulptor e kush piktor ai fillonte një tjetër argument. E keni menduar ndonjëherë, thoshte Buza, se sa shume para fitojnë skulptoret? Paco u pagua për Skënderbeun e Krujës një milionë lekë. Skulptoret fitojnë shume ndërsa piktorët paguhen më pak. Nuk ishte e zakonte të flitej për paratë në shkolle. Ne nuk i kishim ditur këto gjera megjithatë askush nuk donte të behej skulptor. Ka shumë skulptorë, vazhdonte Buza, që mbasi janë bërë  tillë, gjë që u mundëson  fitojnë shumë para, mund  bëjnë edhe pikturë, sepse mjeshtëria e vizatimit është baza për  dyja. Në fund ai ia arriti qëllimit. Gjysma u regjistruan në klasën e skulpturës. Në studion e tij në Tiranë janë të ruajtura dy tre paleta të tij. Ato të sjellin ndërmend një rrobe të leshtë shumëngjyrëshe. Ngjyra të thurura me kujdes. Ngjyrat në pikturë ai i ka të shndritshme dhe të gjalla plote disonanca me të kuqet dhe jeshilet të mbivendosura me kujdes. Ai mundohej  pikturonte me ngjyrat e luleve, thotë Kujtim Buza. Kjo duhet të jete e vërtete për përudhen e tij të pare. Sidoqoftë ai ishte një lloj ekspresionisti edhe pse në pikturat e tij nuk ka gjest të ekzagjeruar dhe penelatat ai i vë me kujdes mbi një vizatim strikt të fiksuar më parë. Ky lloj ekspresionizmi duket më mire se kudo tek autoportreti  i tij  i rinisë. Buza ishte një ekspresionist i mbështetur te natyra. Kujtim Buza e shpjegon këtë mbështetje tek natyra me lidhjet e artistit me realizmin  edhe për shkak të bindjeve demokratike e Fanoliste të Buzës së ri. Po ta lidhesh këtë me respektin e madh që ai kishte për Bajram Currin që e ndihmoi të shkollohej kjo duket bindëse mirëpo unë nuk gjej ndonjë preokupim të Buzës për politikën. Më vonë në vitet e para të diktaturës komuniste ai duket më pak shumëngjyrësh dhe më realistik. Edhe pse në studio janë mjaft piktura që tregojnë Buzën e vërtetë siç është “malësorja me lulëkuqe” çudirat në fakt filluan më vonë me “Shqipëria Vallëzon”, me nuset kosovare dhe pastaj me Azem Galicën që është nga më të bukurat piktura që më kanë parë sytë.


Piktori Bashkim Ahmeti Izano

Unë nuk e çaja kokën shumë për artin modern, më tha Buza gjatë një bisede. Çdo vere vija  nga Firence  Tirane dhe nuk shkova asnjëherë  France edhe pse para kisha mjaft, se bursa ishte mjaft e madhe. Mendoja se kisha kohe pa fund. Jeta ishte e bukur  Tirane, me mbrëmjet  Kursal dhe piknikët çdo fundjave. Nuk nxitohesha as për  pikturuar. Kodra po. Ai ishte i zgjuar. Ai shkonte vazhdimisht  Francë dhe kishte shoke aty. Njihte edhe Pikason. Ai nuk vinte hiç për  verë  Tirane. Unë nuk shkova kund edhe pse rroga e mësuesit  kohën e Zogut ishte e madhe dhe pushimet e verës ishin tre muaj  gjata. Kur isha i ri nuk ma mbushte shumë mendjen këmbëngulja e profesorit për të na bindur që ngjyrat e tij parake, spektriale i dilnin vetvetiu. Nuk me besohej që aty në Itali ai nuk kishte kthyer sytë nga arti modern. Chini insistonte që Buza të mos shikonte shokët, të mos influencohej prej tyre. Ti, i thoshte, je ndryshe, vjen nga një vend ndryshe. Kjo duket  punët e tua dhe t’i duhet ta ruash këtë, i thoshte Chini. Më kujtohet që në studion e vjetër të tij, Buza kishte në mur pikturën e Kujtimit, punën e diplomës të Liceut Artistik. Piktura e Kujtimit varej në krah të portretit të mrekullueshëm “Nusja me lulekuqe”. Pikturat e tyre ishin kaq të ndryshme nga njëra-tjetra në gjithçka. Baba e bir pikturonin në menura krejt të pa lidhje me njëri-tjetrin. Kjo më çudiste, më dukej  si një gjë gabim. Si kishte mundësi që Kujtimi nuk ishte rrëmbyer nga paleta e lulëzuar e të atit? Mirëpo Buza fliste me krenari për pikturën e të birit, sidomos për faktin që ai nuk influencohej nga i ati. Kujtimi kishte pikturuar një skene nga jeta e përditshme, një skenë nga një ndeshje futbolli. Kujtimi, thoshte plaku, luan futboll prandaj edhe e ka bere kete pikture. Secili duhet të pikturojë atë që pëlqen vet dhe jo të niset nga të tjerët. Rruga e suksesshme që Kujtimi ndoqi në artin e tij kuptohet që është merite e Buzës plakut që e ruajti  birin prej atit  të jashtëzakonshëm. Me siguri këto ishin porosite e hershme  të mësuesit të tij Chini-t që Buza na i përcillte ne nxënësve. Megjithatë Chini duket aty këtu në idetë piktorike të Buzës. Ai  përpiqej ta shmangte bisedën rreth kësaj. Me vone e kuptova qe nuk ishte politikisht në rregull qe ai të pranonte  influenca nga një piktor italian. Diploma e tij në Firence ishte projekt për një mozaik  në aeroportin e Tiranës. E kishte pikturuar me tempera në letër. Ai shpresonte qe aeroporti do të ndërtohej se shpejti por kjo nuk ndodhi sepse erdhi lufta dhe gjerat ndryshuan. Dikur nga fundi i viteve shtatëdhjetë Buza e pikturoi  një variant të punës së diplomës me bojëra vaji në katron por pa shume sukses. Shume gjera kishin ndodhur me stilin e tij, dhe ai ishte tani një piktor tjetër, bile edhe një njeri tjetër. Ai e kishte bere ndërkohë pikturën e tij shqiptare me një stil të rafinuar, një pasuri qe na e ka lënë që ta kemi kur të na duhet të dimë se kush jemi ne shqiptarët në këtë botë të trazuar. Mund  kisha qëndruar  Firence mund  kisha ikur  Stamboll dhe pastaj  Francë, më tha një dite mbas një vizite në Kruje në muzeun e Skënderbeut kur unë punoja për afreskun “Kuvendi i Lezhës’’.  Kishte ardhur për vizitë në Shqipëri shoku i tij i fëmijërisë qe ishte bërë drejtor i Akademisë se Arteve të Stambollit, piktori shqiptar Sabri Fetah Berkel. Kur kishin mbaruar akademinë në Firence ai i kishte propozuar qe të shkonin se bashku në Stamboll ku ai kishte familje por Buza nuk pranoi. Më vone ai me tregoi një katalog me punët e Berkel. I lëvdoi me krenari punët e shokut të tij dhe më tha: Unë bëra mirë që u ktheva  Tirane apo jo? Unë nuk fola. Nuk isha i sigurt. Duhej t’i kisha thënë, po profesor patjetër! Sepse t’i bëre piktura shqiptare, ato që ëndërroje.

Marrë nga ExLibris

Resul Jusufi fiton “Golden Award” në Korenë e Jugut

Artisti nga Kosova i cili jeton dhe krijon në Austri, është i mirënjohur ndërkombëtarisht për punimet e tij.

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.