Bajram Mata, piktori modern dibran!
Bajram Mata u dallua për një konceptim modern dhe jashtë klisheve të artit realist akademik shqiptar të realizmit socialist
Nga Ylli Drishti, studiues arti
Bajram Mata (Leiçan, Peshkopi 18.11.1940 – Peshkopi 05.03.1983) është piktor i grupit të piktorëve të provincës shqiptare, por me një dimension dhe vizion modern për kohën kur ai jetoi dhe krijoi.
Mata i përket grupit të artistëve shqiptarë të realizmit socialist që u formuan në Institutin e Arteve, në Tiranë pasi ndërprenë studimet në Akademitë lindore në vitin 1961.
Bajrami vinte nga fshati Leiçan, Gollobordë (Peshkopi), në Tiranë, ku kreu studimet e mesme për pikturë në Liceun Artistik “Jordan Misja” (1955-1960) nën drejtimin e pedagogëve Guri Madhi (vizatim) dhe Kel Kodheli (pikturë).
1958 – VITI I TRETË I PIKTURËS NË LICEUN ARTISTIK – Nga e majta: Alajdin Tabaku, Llazar Taçi, Adriana Priftuli, Myrteza Fushekati, Guljelm Mosi, Kujtim Buza, Prof. Kel Kodheli, Isabet Petrela, Skënder Kamberi dhe Liljana Çefa. Të ulur: Ferdinand Paci dhe Bajram Mata (në rreth).
Viti 1960. Maturantë të Liceut Artistik. Të ulur: Nevruz Roçi e Viktor Zhusti. Në këmbë: Roland Çene, Llazar Taçi, Pedagogu i fiskulturës Rexhep Reçi, Bajram Mata (në rreth) dhe Qazim Arifi.
Në vitin 1960-1961, Bajram Mata studjoi pjesërisht për pikturë në Institutin e Pikturës, Skulpturës dhe Arkitekturës në Leningrad “V.I. Rjepin” (ish BRSS, sot Shën Petërburg, Federata Ruse).
Pas ndërprerjes së studimeve në ish BRSS, u diplomua në vitin 1965 në Institutin e Arteve në Tiranë.
Artisti Mata ishte në të njëjtin atelje me piktorët Skënder Kamberi, Naxhi Bakalli, Gavril Priftuli, Llambi Blido, Fatmir Haxhiu.
1960. Kursi IV me pedagogun e vizatimit, Prof. Guri Madhi. Në rrjeshtin e pasëm, në këmbë: Stavri Çati,Alajdin Tabaku, Nevruz Roçi, Valentina Balli (Kuçi), Guljem Mosi. Prof.Guri Madhi, Qazim Arifi, Liljana Çefa, Ksenofon Kostaqi, Kujtim Buza, Llazar Taçi dhe Spiro Loli. Të ulur: Myrteza Fushekati, Pirro Dollaku, Bajram Mata (në rreth), Bahri Jubani, Skënder Kamberi dhe Ferdinand Paci.
Pedagogu kryesor i tyre ka qenë Vilson Kilica, por edhe Danish Jukniu.
Pas studimeve kthehet në vendlindje, në qytetin e vogël të Peshkopisë ku dhe punoi si piktor skenograf në Shtëpinë e Kulturës, mësues vizatimi në disa nga shkollat e qytetit.
Piktori Mata mori pjesë në disa ekspozita kombëtare me tablo kompozicionale me temë nga aksionet e rinisë dhe realizoi kryesisht tablo me tema nga bujqësia dhe krahina e tij, Golloborda (Peshkopi).
Që në dy punimet (kompozimet e tij të para) Aksionistet, (1968-GKA) dhe Aksionistet, (1969-GKA), Mata, u dallua për një konceptim modern dhe jashtë klisheve të artit realist akademik që realizohej në Shqipërinë e viteve 1960-1970. Brenda tematikës socialiste ai krijoi tablo dekorative, tonale dhe me prirje moderne për kohën.
Po këto elementë artisti i shpalosi edhe në disa nga kompozimet e tij të viteve 1985, ku ndjehet lirshmëria e penelatave, koloriti i pasur dhe zgjidhjet kompozicionale të veçanta.
Në këto punime edhe pse larg rretheve artistike, i izoluar në një qytet të vogël, kuptohet qartë interesi dhe pasioni i artistit drejt magjisë së ngjyrave, lëvizjeve të figurave dhe një dekorativiteti gati fluid. Duke qenë tablo në dimensione modeste ato janë ekspozuar në manifestimet vjetore të artit pamor (Ekspozitat Kombëtare) të atyre viteve të organizuara nga Ministria e Kulturës dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Bajram Mata ka realizuar dhe një cikël me peizazhe me imazhe nga zona e Peshkopisë, Kukësi, Tropoja, Lura, Bulqiza që ai i realizonte direkt nga natyra.
Në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë ndodhet një koleksion me njëzet e tetë punime të ndryshme në vaj, akuarel, vizatim, ndërmjet të cilave dhe dy autoportrete të tij.
Në Galerinë e Arteve, Durrës ndodhen dy kompozime të artistit dhe mbi 10 punime kanë qenë pjesë e koleksionit të Galerisë së Arteve në Peshkopi. Një pjesë e koleksionit të artistit ruhet nga familjarët e tij.
Biografia
18 nëntor 1940 Lindi Bajram Mata në fshatin Leiçan (Peshkopi) në familjen e ndërtuesit Nuredin Mata (1912-1997). Nëna e tij Kadife (Hoxha) Mata (1922-2008) ishte shtëpiake. Në vitin 1966 familja Mata transferohet me banim në qytetin e Peshkopisë dhe nga viti 1972 Nuredini jetoi dhe punoi në KukësBajrami shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa atë 7 vjeçare në fshatin Ostren. Daja i tij Oruç Mia, një drugdhëndës i njohur e inkurajoi dhe e mbështeti Bajramin që të vazhdojë studimet në Tiranë në Liceun Artistik “Jordan Misja”.
1955-1960 Kreu studimet për pikturë me rezultate të larta në Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë. Ai ishte bashkënxënës me piktorët Ferdinand Pacin, Skënder Kamberin e Kujtim Buzën, Valentina Balli, Hasan Çapari, LLambi Blido, Naxhi Bakallin.
1960-1964 1960-1961 Bajram Mata studjoi pjesërisht për pikturë në Institutin e Pikturës, Skulpturës dhe Arkitekturës në Leningrad “V.I. Rjepin” (ish BRSS, sot Shën Petërburg, Federata Ruse) dhe ishte bashkëstudentë me piktorët Kujtim Buza dhe Llambi Blido.
1961-1965 Kreu studimet për pikturë në Institutin e Arteve, Tiranë nën drejtimin e pedagogëve Vilson Kilica dhe Danish Jukniu. Ai ishte në të njëjtën atelie me ish studentët Fatmir Haxhiu, Ferdinant Paci, Naxhi Bakalli, Kujtim Buza, Llambi Blido, Andon Lakuriqi, Llazar Myzeqari, Sotir Capo, Gavril Priftuli dhe Skënder Kamberi
1965-1983 kthehet në vendlindje, në qytetin e vogël të Peshkopisë dhe ishte piktor skenograf në Shtëpinë e Kulturës, mësues vizatimi në shkollat e qytetit dhe pedagog në shkollën e mesme pedagogjike.
Ndahet nga jeta në moshën 43 vjeçare nga një hemorgji cerebrale.
Disa nga veprat e artistit
1969 Pjesëmarrës në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative kushtuar 25 vjetorit të çlirimit me veprat “Aksionistet” në vaj “Portret aksionisteje”, në vaj dhe (pjesë të fondit të GKA).
1970 Pjesëmarrës në Ekspozitën Kombëtare e Piktorëve dhe Skuptorëve të rinj “Rinia në punë dhe në jetë” me veprat “Festë në malësi” dhe “Aksioni i Ndërtimit të banesavë” (bocet).
1971 Pjesëmarrës në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative kushtuar 30 vjetorit të themelimit të PPSH me veprat “Kooperativistja” në vaj (pjesë e fondit të GKA).
1974 Pjesëmarrës në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative kushtuar 30 vjetorit të çlirimit “Qyteti i minatorëve, Bulqizë”, në vaj (pjesë e fondit të GKA).
1976 Pjesëmarrës në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative kushtuar 35 vjetorit të themelimit të PPSH me veprën “Pejzazh” në vaj (pjesë e fondit të GKA).
1986 Pjesëmarrës në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative kushtuar 45 vjetorit të themelimit të PPSH me veprën “Pas shiut”.