Lumturi Blloshmi, guximtarja e modernizmit shqiptar!

Nadire Buzo: Lumturi Blloshmi, personalitet i veçantë i pikturës shqiptare! Ylli Drishti: Energjike dhe ambicioze!


Nga Dash Frashëri

Lumturi Blloshmi është një personalitet i veçantë i pikturës shqiptare. Një nga piktoret e suksesshme, gjithmonë në kërkim të formave të reja artistike. Hyri në rrugën e artit modern me një guxim të madh, me koncepte të qarta për jetën dhe artin”.

Kështu e përcakton studiuesja e artit, Nadire Buzo, piktoren Lumturi Blloshmi (1944-2020), pjesë e artistëve bashkëkohës modernë shqiptarë.

***

Lumturi Blloshmi lindi më 23 gusht 1944, në Tiranë, nga martesa e Aziz Blloshmit dhe Nadire Blloshmit nga familja Myderizi, Durrës. Kishte një vëlla, Dragush Blloshmin piktor dhe skulptor, i cili ndërroi jetë në SHBA në vitin 2022.


Babai Azis Blloshmi, mbaruar akademinë ushtarake në Austri

Babai i Blloshimit ishte oficer i Qeverisë së Mbretit Zog i dhe u ekzekutua nga komunistët kur Lumturia ishte vetëm dy muajshe. Kur ishte pesë vjeç ajo humbi dëgjimin pas një infeksioni me meningjit.

Mbaroi, me rezultate të shkëlqyera Liceun Artistik “Jordan Misja (1959-1963 )dhe Institutin e Lartë të Arteve (1968).


Portret i studentes Lumturi Blloshmi, realizuar nga skulptori Perikli Çuli (1966)


Autoportret, 1966

Autoportret, 1967


Autoportret, 1968

Në vitin 1973 bëhet pjesë e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve por nga viti 1974 deri në 1984 i hiqet leja krijuese duke mos e lejuar të ekspozojë dhe vazhdojë praktikën e saj krijuese.

Punoi si punëtore offseti në stabilimentin“Mihal Duri”. Më vonë në Ndërmarjen e Mjeteve Mësimore dhe shtëpinë botuese “8 Nëntori”, si piktore në ilustrimin e librave për fëmijë.


Në Gjirokastër. Ismail Lulani, Lumturi Blloshmi, Edi Hila dhe Danish Jukniu

Pas viteve `90, punoi në Galerinë e Arteve, dhe Institutin e Monumenteve të Kulturës, deri sa doli në pension.

“Ambicia e saj e vazhdueshme nuk e lë atë të dehet nga sukseset. Energjike dhe impulsive ajo e ndjente se nuk do t’i shternin forcat deri në fund”, shkruan studiuesi i artit, Ylli Drishti, në një profil kushtuar Blloshmit për faqen zyrtare të Galerisë Kombëtare të Arteve.

Pjesëmarrja e saj në rreth 70 aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare, si konkursi kombëtar “Onufri” në Tiranë, në Bienalen e Aleksandrisë në Egjipt, në Bienalen e Ankarasë në Turqi. Në konkursin ndërkombëtar të Budapestit, Hungari, ekspozitat në Poloni, Francë, Egjipt, Itali, Greqi, Holandë, Amerikë e etj.

Lumturi Blloshmi, ishte fituese e disa çmimeve të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare.

***

 

Piktorja Blloshmi filloi krijimtarinë në prag të ngjarjeve të vështira që kalonin artistët në Shqipëri në vitet 1973-1974, ku mjaft udhëheqës të lartë të Partisë dhe shtetit si dhe krijues artistë u dënuan me burgime nga diktatori i atëhershëm Enver Hoxha.

Pra, në këtë atmosferë ajo punoi kryesisht pejzazhe e portrete me të cilat prezantohet në ekspozitat kombëtare të kohës, të cilat janë realiste.


Aksioniste, autoportret


“Në kompleksin industrial”, 1974


“Fshati Dardhë”, 1984


“Piramida”, 1987

Ekspozita e parë personale i përket vitit 1988 (Berat) dhe po atë vit ajo është pjesëmarrëse në Bienalen e Ankarasë (Egjypt).


“Piktorja Lumturi Blloshmi” – Nga piktori Vlash Droboniku

“Artistja Lumturi Blloshmi veçanërisht pas viteve ’90 vlerësohet dhe evidentohet si një nga piktoret më të mira bashkëkohore në artet pamore shqiptare. Duke filluar nga viti 1992 ajo realizoi një cikël tablosh me nudo, ku vërehen shpërthime ekspresioniste dhe një modelime monumentale të figurës, ngjeshje të formës që shoqërohet me sfonde të qetë njëngjyrësh, apo dhe me sfonde me dritë të qartë”, shkruan studiusi i artit, Ylli Drishti, në një profil kushtuar piktores.

Interesi i piktores për temat e rëndësishme sociale dhe shpirtërore shpalosen në zgjidhje të ndryshme kompozicionale në tablotë e saj “Martesa” (1995), “Misteri Biblik” (1995), “Etaloni perfekt” (1995), “Piktori i kryqëzuar” (1995). Cikli më interesant i kësaj periudhe është ai kushtuar eksodit (ai përbëhet nga dy grupe në formë triptiku).


Dy portrete të Lumturi Blloshmit, realizuar nga piktori Buron Kaceli

“Piktorja Blloshmi është në këtë periudhë ndër të paktët artistë shqiptarë që pasqyrojnë me një gjuhë simbolike figurative eksodin e madh të shqiptarëve drejt Italisë të viteve 91 – 92”, shkruan Drishti.

Në tablotë e saj (kolazhe) ajo është e papritur dhe përdor mbi telajo edhe sende e objekte të marra nga jeta. Megjithatë, ajo mbetet një piktore figurative që përcjell mesazhe të rëndësishme sociale me një gjuhë artistike bashkëkohore. Blloshmi ka realizuar edhe vepra në instalacion në disa ekspozita vetjake, duke zgjedhur tema nga lindja (Menu KamaSutra) dhe nga bashkëkohorja duke marrë personazhe nga figurat politike aktuale (projektet: “Obsession”, 2002;” The Pyramid; Rrugë utopike – The utopian Road; Ambiguity (2003); Pushtimi i hapësirës – The invasion of the space; Paradox; Duality).

“Goditja që fati i rezervoi Lumturi Blloshmit qysh në fëmijërinë e hershme ishte shumë më penguese se handikapi i Frida Khalos. Piktorja jonë gjatë gjithë jetës në vazhdim nuk mund të dëgjonte, kurse të folurin e kishte të penguar. Me një aftësi prej titani Lumturi Blloshmi e vuri poshtë handikapin e madh dhe përmes artit të saj arriti të komunikonte mjeshtërisht me një publik të gjerë, jo për të përcjellë informacione rutinë të përditshmërisë, por për të na dalë krahë që të zbulojmë lirizmin e ngjyrave në pejsazhe e në natyra të qeta dhe pastaj për të shijuar edhe gjykimin e mprehtë, humorin e hollë dhe ironinë e zgjuar në tablotë dhe instalacionet e pasviteve ‘90”, shkruan Çapajev Gjokutaj.

“Artistja nuk i pranonte kufijtë e realitetit. Ajo udhëhiqej nga kufijtë e mendimit. Mendimi i mendimit të saj shkonte përtej krijimit. Piktura e saj është mundimi i rikthimit përmes vështrimit” , shkruan studiuesja Nadire Buzo, në në profil kushtuar piktores Blloshmi, të botuar në gazetën “Mapo”.

Krijimtaria e saj shfaqet si art-sintezë, performancë, instalacion, fotografi, vizatim, pikturë, të konceptuara në mënyrë moderne dhe bashkëkohore. Në vazhdimësi Blloshmi, në studion e saj realizoi natyra të qeta me lule, të cilat i ka pasion.

Në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë ndodhen tetë punime të artistes.

Në vitin 1995 botohet Katalogu “Lumturi Blloshmi An albanian contemporary artist”, në vitin 2009 “Lumturi Blloshmi – është një botë burrash” (It’s a Wonderful Life) dhe në vitin 2016 Galeria Kombëtare e Arteve botoi katalogun “Lumturi Blloshmi”.

“Nuk kisha qenë asnjëherë në studion e piktores Lumturi Blloshmi, ku brenda një hapësire të vogël ndjeva një kënaqësi tepër të madhe për aq pak sa pashë, pasi zbulova një artiste me një potencial të jashtëzakonshëm, edhe pse unë më shumë pëlqej pikturën e kavaletit sesa instalacionet, ku arti i saj konceptual është akoma më i theksuar”, shkruan shkrimtari Luan Rama.

Lumturi Blloshmi u nda nga jeta më 27 nëntor 2020, në moshën 76-vjeçare, si pasojë e Covid-19.


“Lumturi Blloshmi” – Vizatimi nga Meri File


 Lumturi Blloshmi, Miradie Mulliqi dhe Meri Lalaj

Punimet e Lumturi Blloshmit vazhdojnë të ekspozohen nga kuratorë të ndryshëm.

“Monument kulturor” (2003) – Piktore Lumturi Blloshmi, punë në ekspozitën e hapur te Galeria FAB: “Reflektim mbi pasqyrimin vibrues të artit shqiptar në Shekullin XX” (Korrik 2024). Kuratore Suzana Varvarica Kuka.

Ekspozita të artistes
(Nga studiuesi Ylli Drishti)
1987: Cinqueme Croisiere de l’Art, Essone, Francë
1987: Bienale Ndërkombëtare, Aleksandri, Egjypt
1989: Ekspozitë vetjake, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë, Shqipëri
1988: Bienale Ndërkombëtare, Ankara, Turqi
1988: Ekspozita e parë personale në Berat
1989: Ekspozitë në grup, Romë, Itali
1991: Kongresi i Grave të Ballkanit, Selanik, Greqi
1992: Ekspozitë në grup, Romë, Itali
1992: Ekspozitë në grup, Selanik, Greqi
1992: Ekspozitë në grup, Fondacioni “Soros”, Tiranë, Shqipëri
1993: Ekspozitë në grup,Madrid, Spanjë
1994: Ekspozitë Ndërkombëtare, Budapest, Hungari
1994: Ekspzozitë në grup, Lion, Francë
1994: Konkursi Nërkombëtar “Onufri ‘94”, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë, Shqipëri
1995: Ekspozitë personale në Stamboll (Turqi)
1997: Konkursi Nërkombëtar “Onufri ‘97” , Fituese e çmimit të parë, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë, Shqipëri.
1997: Ekspozitë në grup ,Paris, Francë
1998: Ekspozitë Ndërkombëtare në grup e grave artiste, Bishket, Kirgistan
1998: Ekspozitë në grup “Mediterranea 1”, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë, Shqipëri
1999: Ekspozitë vetjake, Misioni i BE, Tiranë, Shqipëri
2000: Ekspozitë në grup “1/2000”, Galeria Jacque Cartier, Cheney, Francë
2002: Bienale Ndërkombëtare, Austri
2004: Ekspozitë Ndërkombëtare Galeria Zenith, Breshia, Itali
2004: Ekspozitë vetjake, Galeria Zenit, Tiranë, Shqipëri
2005: Ekspozitë në grup “My change”, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë, Shqipëri
2006: “Menu Kama Sutra”, Chelsea Art Museum, Neë York, SHBA, me kuratore Julia Draganovic
2007: Çmimi “Kult 07”, Tiranë, Shqipëri
2009: Ekspozitë në grup,Mali i Zi
2009: Ekspozitë vetjake “I’ts a Wonderful Life, Galeria Zeta, Tiranë
2010: Ekspozitë vetjake “Okazion, likuidim total” Galeria Zeta, Tiranë
2011: Ekspozitë në grup, Galeria Pogradec dhe Galeria “Vangjush Mio”, Korçë, Shqipëri
2012: Terrain insecure, Shqipëri
2013: Homage to Damien Hirst, Tiranë, Shqipëri
2014: Zarabanda Plus, dance & performance, Torre Venezia, Durrës, Shqipëri.
2016: Ekspozitë personale konceptuale, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë, Shqipëri.

KOLAZH PUNËSH NGA LUMTURI BLLOSHMI

 

Lexo më shumë nga

Ekspozita “RINart”, në zemër të Belshit!

Ekspozita organizohet nga Universiteti i Arteve të Bukura, nën kujdesin e dekanit Prof. Sadik Spahia. Kurator Helidon Haliti

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.