Sadik Kasa, i dashuruar përjetësisht me peizazhin

Fjala e mbajtur në ceremoninë e hapjes së ekspozitës së piktorit Sadik Kasa, në Pogradec.


Nga GAZMEND LEKA

Të nderuar Zonja e Zotërinj,

Mirembrema!

Është kënaqësi ta mbyllësh ditën me një ngjarje jo të zakonëshme si kjo e sotmja, në sallat e një ekspozite, ku piktura bëhet shkak për t’u takuar e ritakuar me miq të rinj e të vjetër, ku ajo të ngacmon të kuptosh, se përtej ditëve të njëtrajtëshme, ka dhe të tilla të veḉanta që të ushqejnë shpirtin!!! Është rasti t’ju uroj një piknik të këndëshem apo një shëtitje të bukur nëpër peisazhet që na ofron Sadiku!

E falenderoj, që më dha mundësinë të flas në ekspoziten e tij personale dhe bëri shumë mire, pasi njihem me të që student, në atelienë e pikturës së I.L.A, në një nga periudhat më të rëndësishme të jetës sonë, periudhë kur formohet karakteri i njeriut.

I dashur Sadik, nuk e kam të vështirë të të prezantoj sot, pasi me krijimet e tua, ti njihesh mjaft mire, e tashmë je bërë shumë i dashur për publikun, që e do pikturën, e që këtë mbrëmje është këtu me ty në këtë sallë. Edhe më pak të vështirë e kam të të prezantoj tek artistët, ne miqtë e tu e po ashtu tek koleksionistet, që në koleksionet e tyre private, ruajne teserina nga mozaiku i madh prej qindara punësh që ke krijuar, ku vëndin më të rëndësishëm e zënë peisazhet. Ata i trajtojnë veprat e tua si të jenë një pasuri e patundëshme!!!

Ti Sadik, në thelb nuk ke ndryshuar fare, je po ai i viteve studentore kur ishim te rinj, tek mbillnim e vetem mbillnim, pa e ditur se kur do vinte stina e korrjeve. Sot është një nga ato ditë korrjesh të mbara!

Është e veḉantë e me bollëk sepse, jo vetëm që ekspozita është personale, por është dhe një retrospektive, një udhëtim yti ndër vite, stine pas stine.

Ti Sadik nuk e pëlqeje shumë orarin e shkollës, vendosur nga njerëzit, sepse shijoje sikurse edhe sot, oraret e natyrës e ty të pëlqente shumë orari i saj! Ndiqje orën e saj biologjike, ndryshimin e stinëve, atë të gjëndjeve ditore ḉast pas ḉasti, e ti edhe kur braktisje orën e mesimit, vrapoje për të rrokur një copëzë nga bukuria e saj, që ajo t’a ofronte plot bujari, sepse e dinte që ti do ta kishe për të dashur gjithë jetën. Edhe sot, ti rri më shumë pranë saj sesa në atelje, pasi ajo është në të vërtetë ateljeja jote.

Ti Sadik ishe nje “bredharak” e si i tillë mbete. Bredh kudo me kavaletin tend, aq sa e ke bërë zgjatimin e shpirtit tënd. Peisazhet e tua kanë një spektër shumë të madh admiruesish! Ato i shijojnë edhe ata, që pa e rafinuar gjuhën, flasin si me zhargon për pikturista që bëjnë “fytyra njeriu”, për pikturista që bëjnë “vazo me lule” si dhe për pikturista që bëjnë “panorama”!

E duan “panoramën“ tënde, sepse dallojnë në të një të vërtetë të drejtëpërdrejtë që prek zemrën e ḉdokujt. Por shumë e më shumë ta duan e ta shijojnë pejsazhin, njohësit e piktures, që i ke të panumert! Për ta, ti je një pejsazhist i shkëlqyer! Ai tipari yt “i drejtëpërdrejtë”, për këta të fundit, përkthehet si një gjuhë personale, gjuhë e sinqertë e plot elokuencë. Besoj shumë, se do të mbahesh mënd fort mirë për këto cilësi, që i japin jetë bukurisë së veprave të tua!

Sadik, në pamje të parë, duket sikur peisazhet e tua lindin nga spontaniteti. Edhe pse nuk është e gjitha, ka një të vërtetë të madhe aty brenda, pasi edhe natyra e tillë është. Ḉast pas ḉasti ajo e ndryshon pamjen e saj si Proteu. Nga e qeshur e plot diell, vrënjtet nga një re e zezë rastësore që kalon. Nga një qetësi shurdhuese, papritur fëshfërin nga një erë, apo zhurmon nga një rrebesh shiu i rastit. Ti këtë fikson, të papriturën e saj në qëndrueshmërinë e saj, pasi veprat e tua të tilla janë, të ekuilibruara, ku virtuoziteti yt rrëfen për një qëndrushmëri në thelb. Natura është e befasishme kur shpërfaq gjëndje të lehta ngazellyese, sikurse ti bën shaka me shokët e afërt. Të pëlqen të hedhësh romuze, të bësh kalambure, të polemizosh për të gërvishur seriozitetin falls të bisedës. Edhe kënaqësia që ti rezaton me shakatë e tua, është sinkrion me ngazëllimin e natyrës.

Ti loz sikurse loz natyra!

I dashur Sadik! Kjo që pikturon ti, duket si një lloj reklame turizmi, për të vënë në vemëndje bukurinë e natyrës shqiptare, por është ndryshe në esencë. Kjo jotja është turizëm elitar, turizem shpirtëror, turizëm kulturor. Mbasi je joshur vetë mirë e mirë nga bukuria e peisazhit, na e servir ta shijojme edhe ne. Ështe reklamë ndjellëse turizmi për të ushqyer shpirtin, sepse në fund të fundit, turistë jemi të gjithë e të tillë do mbetemi të tërë në këtë botë!

Këtë lloj joshjeje e bën një plejadë e madhe piktorësh shqiptarë, ata që merren me pejzashin dhe ashtu siḉ vendoset figura e Ismail Qemalit në murin qëndror të institucionit, ashtu edhe ata kenë të vendosur në krye figuren e Vangjush Mijos, që ti e do dhe e vlerëson shumë! Ti ruan tiparet e Mijos. Sikurse ai edhe ti, bredh me kasetën në krah, zgjedh vendin, ulesh dhe fillon të pikturosh. Fillon të përkthesh nartyrën në telajo, pasi ajo e ka gjuhën e vet të vështirë e jo ḉdokush mund ta kuptojë atë! Ti tashmë je mësuar të bisedosh me të! Peisazhet e tua janë shënime të bisedave të tua me qiellin, pemën, lumin, malin, fushat, etj!

Kur ne i lexojmë këto shënime, në të vërtetë ne shijojmë shpirtin tend!

Ne shijojmë perkthimin e mrekulluëshem tëndin, si të një përkthyesi perfekt. Ti përkthen natyrën në ngjyrë, përkthen tingujt e saj, përkthen heshtjen e saj, përkthen zhurmat, zhegun, të ftohtit, gjelbërimin, shiun e kështu na servir Sadikun e padukshëm. Ti e pikturon atë pa paragjykime. Ḉdo telajo e re për ty është një aventurë e re plot të papritura. Ti gëzon vehten më parë e pastaj ne të tjerëve!

Peisazhet e tua, kanë një shenjë të dukëshme që gjithmonë e dalloj sa herë i shoh. Nuk është se ti thjeshtë i pikturon me zemër, ato kanë zemrën e tyre si ḉdo organizëm që frymon. Ty, ato ta vjedhin ndërsa pikturon. Zemra e pikturës tënde është ritmike. Ajo e pompon dhe e oksigjenon pejsazhin deri në kapilaret më të hollë, deri në detajet më të vogla.

Kaq sa thashë është e dukëshme dhe manifestohet në të gjitha veprat e tua në ekspozitë. Por ajo që është e padukëshme, të cilën vetëm miqtë e tu e dallojnë përtej kanavacës, është Tatjana, bashkëshortja jote. Më pëlqen ta përmend atë këtu, sepse ajo i takon atyre bashkëshorteve, që sakrifikojnë deri edhe ëndrat e tyre për t’i dhënë jetë ëndrave të artistit që ka në krah, si në rastin tënd. Tatjana ëshë prezente kudo me punët e padukëshme, apo me punët e bekuara të shtëpisë, siḉ e ka thënë aq mirë Kazanzaqi, për të të krijuar ty qetësinë, ku të mbjellësh krijimin tend!!!

Miku im, të uroj shumë sukses me ekspozitën tënde!

Faleminderit!

_____

Tiranë / 25 korrik / 2024 /

Lexo më shumë nga

“Nata me yje”, zjarri që ndez përjetimet e Vincent van Gogh

"The Starry Night" (Nata e Yjeve), e realizuar në vitin 1889, gjatë kohës kur Van Gogh qëndroi në një azil…

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.