Shaban Hadëri, “dalta” monumentale!

“Skulptor i Popullit”! Laureat i Çmimit të Republikës.Një prej themeluesve të shkollës shqiptare të skulpturës.


Nga Dash Frashëri

Shaban Hadëri! “Artist i Popullit”! Laureat i Çmimit të Republikës.

Një prej themeluesve të shquar të shkollës shqiptare të skulpturës.

Një nga mitet e daltës përmes veprave monumentale që ai krijoi!

***

Shaban Hadëri u lind, më 28 mars 1928 në Palavli të Delvinës, rrethi i Sarandës.

“Ishte një fshat i vogël, por me tradita patriotike. Rridhnim nga një familje e kamur. Shkollën fillore e kam bërë në fshatin ngjitur në Kopaçes. Bëja gjysmë ore me këmbë për të shkuar në shkollë. Më vonë, në kohën kur Shqipëria po pushtohej nga Italia fashiste, familja jonë zhvendoset në Delvinë”, tregoi  Shaban Hadëri ,gjatë një interviste për gazetarin Albert Zholi (18 nëntor 2008).

Në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, ai dhe i ati Halili, qenë partizanë të Ushtrisë Nacional Çlirimtare Shqiptare. Shabani mori pjesë në brigadën e 14-të sulmuese si udhërrëfyes, shpërndarës porosish, sinjalizues për partizanët.

Pas mbarimit të luftës dhe me çlirimin e vendit, i përkushtohet hapjes së shkollave në Shqipëri dhe organizimit të pjesëmarrjeve të nxënësve në to.

Ishte piktori i njohur Nexhmedin Zajmi, ai që zbuloi talentin te Shabani i vogël.

“Pas lufte shkova tek disa të afërm të mi, të cilët më futën në shkollën shtatëvjeçare (ashtu ishte atëherë). Këtu një mësuesi im më pikasi si talent. Ai më mbante afër dhe më thoshte do bëhesh piktor apo skulptor i mirë. Mësuesi quhej Nexhmedin Zajmi. Kishte mbaruar studimet në Romë. Ishte një mësues i pashëm, babaxhan, i dhënë shumë pas mësimdhënies. Por mbas 7-vjeçares unë fillova shkollën teknike, megjithëse kisha shumë talent. Rastësisht në shkollë vjen mësues Nexhmedini dhe habitet kur më pa. Kishte kohë që më kërkonte. Ai i thotë mësuesit tim kujdestar që këtë nxënës mos e mbani këtu. Niseni direkt për në Liceun Artistik. Të nesërmen u gjenda në Lice”

Në vitin 1947 filloi Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Mësoi në këtë shkollë dhe u njoh me artistët më të njohur shqiptarë të kohës, që ishin dhe mësues në këtë shkollë si Abdurrahim Buza, Nexhmedin Zajmi, Sadik Kaceli, dhe skulptori Odise Paskali.

Nga bankat e kësaj shkolle dolën mes të tjerëve edhe: piktorët e skulptorët: Vilson Kilica, Kristaq Rama, Hektor Dule, Thoma Thomai, Mumtaz Dhrami, Ksenofon Dilo, Sali Shijaku, Fuat Dushku, Danish Jukniu, Thanas Papa, Naxhi Bakalli, etj.

Abdurrahim Buza dhe Odhise Paskali

Liceun artistik e përfundoi në vitin 1951 dhe për dy vjet radhazi (1952-1953) drejtoi Galerinë e Arteve, duke u bërë drejtor i parë i këtij institucioni, i pasuar nga Pali Dhimitri, e me radhë Nexhmedin Zajmi, Odhise Paskali, etj.


Galeria e vjetër e Arteve Figurative (viti 1954)

Në vitet 1952-1958 Shaban Hadëri ndoqi studimet e larta në Institutin e Pikturës, Skulpturës dhe Arkitekturës “Ilia Efimoviç Rjepin” në Leningrad (sot Shën Petërburg) të ish-Bashkimit Sovjetik (sot Rusia

Në atë Akademi kanë studiuar dhe studentët e tjerë që vite më vonë do të bëheshin mjeshtrit e mëdhej të pikturës e skulpturës shqiptare si Guri Madhi, Vilson Kilica, Sali Shijaku, Jakup Keraj, Agim Zajmi, Llambi Blido,, Thanas Papa, Rafael Dembo etj.


Shaban Hadëri me piktorin Vilson Kilica, në Shën Petërburg

Studenti Hadëri studoi në atelienë e skulptorit dhe pedagogut Lishev Vsevolod Vsevolodovich.

“Unë studioja në Petërburg. Shkolla në Rusi jo vetëm ma shtoi këtë dëshirë, por më mësoi edhe shumë gjëra nga arti i skulpturës. Unë ndenja 6 vjet në Rusi 1952-1958. Nga këto, një vit ishte diploma. Të gjithë shokët e mi të kursit ideonin skulptura heronjsh. Tema e luftës ishte tema e ditës. Rusia kishte një shkollë shumë profesionale për përgatitjen e piktorëve dhe skulptorëve. Pedagogët ishin të gjithë të moshuar dhe me tituj shkencorë. Kërkesa e llogarisë ishte maksimale”, ka thënë Hadëri gjatë një interviste me Albert Zholin.


Pedagogu rus Lishev Vsevolod Vsevolodovich dhe një nga veprat e tij

Shaban Hadëri e mbrojti dhe diplomën e punimin “Shokët”.  Ky punim, kompozim me 3 figura, u ekspozua në Moskë, në ekspozitën e 13 ish-vendeve socialiste. Autori, bocetin e këtij punimi e gdhendi në dru.


Grupi skulptural, “Shokët” (Beton)

“Ishte një skulpturë që e bëra me shumë dashuri. Ishte për diplomën, ku dy shokë tërhiqnin në mes të rrezikut shokun e tyre të plagosur në luftë. Kjo skulpturë u ekspozua në Moskë mes shumë skulpturave të tjera të krijuesve nga vendet ish-komuniste. Pra ishin 13 shtete që paraqitën krijimet. Pra nga Petërburgu në Moskë. Ishte viti 1958, viti i fundit që bëja diplomën. Unë nuk e dija që skulptura ime kishte shkuar në Moskë. E mora vesh më vonë pasi në atë kohë unë erdha në Shqipëri se martova motrën. Atë vepër e paraqitën si të Shqipërisë. Ajo vepër ka ngelur në Rusi”, tha Hadëri në të njëjtën intervistë.

Në 1958 kthehet në Shqipëri.

“Grupet e para të të diplomuarve nisën të ktheheshin aty nga gjysma e dytë e viteve ’50. Emra si Sali Shijaku, Kristaq Rama, Jakup Keraj, Zef Shoshi, Kujtim Buza, Agim Zajmi, Llambi Blido, Rafael Dembo, Mumtaz Dhrami, Shaban Hadëri, Thanas Papa, Vilson Kilica e Guri Madhi studiuan në Bashkimin Sovjetik, ndërsa Thoma Thomai, Hektor Dule, Ksenofon Dilo, Halim Beqiraj e Llazar Myzeqari në Pragë; Hysen Devolli, Perikli Çuli, Spiro Kristo e Isuf Sulovari në Bukuresht; Danish Jukniu e Shaban Hysa në Varshavë e Aristotel Papa në Zagreb”, shkruan Dr. Ermir Hoxha në librin e tij studimor, “Arti në Shqipëri në vitet 1945-2000”.

Ai u emërua, filimisht mësues në Liceun Artistik “Jordan Misja”, dhe dy vite më vonë në 1960, me hapjen e Institutit të lartë të Arteve, Hadëri emërohet si pedagog në degën e skulpturës së bashku me skulptoren Kristina Koljaka dhe piktorët Guri Madhi dhe Vilson Kilica.

 


Perikli Çuli, Sadik Kaceli, artisti belg Leo Van Drogenbruk, Shaban Hadëri (në rreth) dhe Muntaz Dhrami.


Pedagogët Thoma Thomai, Shaban Hadëri, Agim Zajmi, Mumtaz Dhrami, Hektor Dule dhe studenti Besim Caushi


Prof. Hadëri dhe skulptori Vasiliev Nini , i cili asokohe ka qenë asistenti i tij.

 


Në Gjirokastër. Petro Kukushta, Ismail Lulani, Shaban Hadëri (në rreth), Nestor Jonuzi dhe Agron Dine

***

Hadëri ka ekspozuar në të gjitha ekspozitat lokale dhe kombëtare që nga viti 1958. Pedagog Docent, titull i dhënë në vitin 1970 , si dhe Skulptor i merituar” dhe “Skulptor i popullit”( në vitin 1979). Gjithashtu ai është nderuar me disa urdhra, dekorata, dhe ka fituar disa çmime gjatë kësaj periudhe.

“Në vazhdimësi të krijimeve të rëndësishme, skulptorë si Muntaz Dhrami, Kristaq Rama dhe Shaban Hadëri, mbajtën peshën kryesore të veprave më të rëndësishme që do tё realizoheshin edhe përgjatë gjithë viteve ‘80. Bashkë me ta, vazhduan krijimtarinë e tyre dhe skulptorë si Perikli Ҫuli, Hektor Dule, Fuat Dushku e më vonë edhe Thoma Thomai, ndërsa porosi më pak të rëndësishme iu besuan artistëve Halim Beqiraj, Stefan Papamihali, Ksenofon Papamihali, Kiço Krisiko, Sofokli Koci, etj. “, shkruan studiuesi i artit, Dr. Ermir Hoxha.

Krijimtaria e Shaban Hadërit ndahet në dy periudha. E para ndërmjet viteve 1950-1990. Në këto vite ai ka një krijimtari të pasur. Ajo filloi me ekspozimin e suksesshëm për kohën, të punimit të diplomës në vitin ’58-’59. Ky punim ndiqet nga trajtimi i shumë portreteve, kompozimeve, relieveve dhe monumenteve.


Skulptori shkodran Ferid Kola (m) së bashku me skulptorin Shaban Hadëri, në Shkodër

Në këtë periudhë ai krijoi “Portret vajze” 1966, “Luftëtari i lirisë 1912”, “Sportisti” 1964, “Pas betejës” 1967, “Portret malësoreje” 1985; “Kapedani i Delvinës” 1982; “Isa Boletini” 1978; “Heronjtë e Vigut”, 1966; “Busti i Skënderbeut” 1967; “Monumenti i Pavarësisë” 1972, bronz Vlorë, punuar së bashku me skulptorët Kristaq Rama dhe Muntaz Dhrami, “Relievi i 1920”, punuar me bashkautorësi me skulptorin Muntaz Dhrami, “Nëna Shqipëri” përsëri me grupin e njohur të skulptorëve Rama, dhe Dhrami.


“Pesë heronjtë e Vigut”, Shaban Hadëri (në rreth)


Shtatorja e Isa Boletinit, në Shkodër.

“Monumenti i Pavarësisë” 1972, bronz Vlorë, punuar së bashku me skulptorët Kristaq Rama dhe Muntaz Dhrami, konsiderohet si një nga kryeveprat e skulpturës monumentale shqiptare.

Grupi skulpturor –  ku në qendër është figura e Ismail Qemalit, kryetarit të parë të shtetit shqiptar – është një nga më të bukurit e krijuar ndonjëherë. Është nderuar me Çmimin e Republikës, Klasi i Parë.

Shaban Hadëri,

Video nga vendosja e Monumentit të Pavarësisë, në Vlorë (1972)


Shtatorja “Nëna Shqipëri”, skulptorët Kristaq Rama, Shaban Hadëri dhe Muntas Dhrami

Shaban Hadëri është autor i relievit në fasadën e Kryeministrisë, në bashkautorësi me skulptorët: Kristaq Rama, Hektor Dule dhe Muntaz Dhrami (1974).


Grupi i skulptorëve që realizuan në vitet 70 përmendoren e luftës 1920 e vendosur në qafën e Koçiut Kaninë, Vlorë: Shaban Hadëri (në rreth), Kristaq Rama, Mumtaz Dhrami dhe Hektor Dule.

Monumenti i Enver Hoxhës, bronz 1988, i cili u vendos në qendër të Sheshit Skënderbe u realizua sipas bocetit të kryer prej skulptori Hadëri, i cili u hoq prej andej nga revolta popullore e vitit 1991.

(Foto të marra nga libri kushtuar Shaban Hadërit me autor Rael Hoxha)

Ky monument u punua prej skulptorit së bashku me piktorin Sali Shijaku që konkurroi në grup me Shaban Hadërin, për katër monumentet që iu kushtuan Enver Hoxhës.

Po në këtë periudhë skulptori pëson një paralizë, e cila e dëmton në tru, trup dhe e tërheq pothuajse tërësisht nga krijimtaria në skulpturë.

Shaban Hadëri gjatë një interviste që më ka dhënë në vitin 2004 për gazetën “Telegraf” ka rrëfyer: “U bë një konkurs kombëtar. Morën pjesë rreth 140 piktorë dhe skulptorë. Ishte një konkurs, ku çdo gjë kalonte në vrimë të gjilpërës. Një konkurs që zgjati kohë. Ishte një impenjim i madh. Në fund fitova unë dhe piktori Vilson Kilica. Pra bashkuam idetë, mendimet. Ndërsa për punimet u bëmë një grup i tërë. Punë në grup. Të gjithë punonin me përkushtim. Nuk luhej dot në atë kohë me figurën e Enver Hoxhës. Pyesnim pafundësisht njeri-tjetrin për çdo gjë të vogël. Derdhja e bustit të Enver Hoxhës u bë në Tiranë, por bronxi u ble në Itali. Pra kanë qarkulluar shumë zëra se derdhja është bërë në Itali. Jo. Aspak. Unë shkova vetë posaçërisht në Itali për të blerë bronxin, pasi duhej i cilësisë më të mirë. Shkova në disa vende dhe së fundi blemë 8 ton bronx të cilësisë më të mirë. Pikërisht në Romë shkova në disa uzina prodhimi. Pastaj derdhjen e bëmë në Tiranë. Lartësia e bustit ishte parashikuar 7 metër. Ishte një punë kolosale. Pra lartësia pa bazamentin ishte 7 metër. Bazamenti ishte një tjetër punë e vështirë. Duhej përshtatur sipas idesë së portretit dhe vendit ku do të vendosej. Nuk numërohen skicë-idetë edhe për këtë rast”.

 

 

Shaban Hadëri ishte gjithashtu, pjesë e grupit të punës në ndërtimin e Muzeut Historik Kombëtar, në Tiranë (i inauguruar, më 28 tetor 1981), se bashku edhe me nga personalitete të shquara si: Gani Strazimiri, Koço Miho, Besim Daja, Skënder Luarasi, Valentina Pistoli, Sami Pashallari, Ilia Papanikolla, Robert Kota, Latif Lazimi, Guri Pani, Maksim Mitrojorgji, Magdalena Furxhiu, Odhise Paskali, Kristaq Rama, Shaban Hadëri, Foto Stamo, Fatmir Haxhiu, Guri Madhi, Ndreçi Plasari, Stefanaq Pollo, Kristo Frashëri, Aleks Buda, Selami Pulaha, Skënder Anamali, Emin Riza, Selim Islami, Burhan Çiraku, Kleanthi Dede, Ballkize Haxhihyseni, Taqi Miho, Iljaz Goga, Rrok Zojzi, Abaz Dojaka, Ramadan Sokoli, Enver Faja, Nina Shehu, Vilson Kilica, Fatmir Haxhiu, Myrteza Fushekati, Met Deliu, Aleksandër Meksi e shumë të tjerë.

Gjatë periudhës së transformimeve politike të filluar nga viti 1990, të cilat përfshinë dhe artet figurative, nuk do të ishin plotësisht efikase për skulptorin Hadëri, që edhe ai të arrinte të paraqiste tërësinë e zhvillimeve aktive në krijimtarinë e tij.

Megjithëse sëmurë ai realizon punime të përmasave të vogla, të cilat i plotësojnë atij dëshirën dhe nxitjen e intuitave të trajtimit të volumeve, por ai e ka më të lehtë të shprehet në artin e pikturës duke realizuar piktura të përmasave të vogla.

Skulptori Shaban Hadëri ka trajtuar gjininë e grafikës dhe punimet me vaj.

Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve Tiranë, ruhen 27 punime të Hadërit.

.***

Shaban Hadëri e kishte pasion pikturën dhe vizatonte shpesh.


Duke vizatuar, në Holandë (2007)


Familja Hadëri në Holandë, Shabani, bashkëshortja Vasilika dhe vajza Linda (me djalin)

Shaban Hadëri u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare, më 14 janar 2010., për t’u kujtuar si një “daltë” monumentale, nga familja dhe dashamirësit e artit të tij.

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i shprehu ngushëllimet më të ndjera familjes Hadëri për ndarjen nga jeta të Skulptorit të Popullit, Shaban Hadëri.

“Skulptori i Popullit që me punimet e tij përçoi talentin dhe ndjeshmërinë e një artisti të rrallë, do të mbetet i paharruar si për ata që e njohën personalisht, ashtu edhe ata që e admirojnë për veprat e tij kudo nëpër Shqipëri. Monumentet e Shaban Hadërit, do të vazhdojnë të frymëzojnë brezat e ardhshëm me ndjenjat më të forta të atdhedashurisë e krenarisë historike”, shkruante Presidenti Topi në mesazhin e tij.

Në 15 korrik 2014, Universiteti i Arteve, vendosi vlerësimin e disa figurave artistike dhe pedagogjike, me portretizimin me medaljon dhe vendosjen e në hollin qëndror të Rektoratit të Universitetit të Arteve, të personaliteteve të propozuara: Drita Pelinku, Vangjush Furxhi, Agim Zajmi, Danish Jukniu, Kristaq Rama, Shaban Hadëri, Ibrahim Madhi, Tonin Harapi dhe Gjergj Antoniu.

Shaban Hadëri do të kujtohet gjithmonë, si skulptori që skaliti disa prej monumenteve më të bukura!

____________________

Tiranë, më 5 gusht 2024

 

“RINArt”, 400 punime ekspozohen te Galeria “2 Botë”

Kryebashkiaku i Belshit, Tafani: Faleminderit Universitetit të Arteve të Bukura, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Helidon Halitit

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.