Thanas Papa, heroi i heshtur i arteve pamore!

“Medalje e Artë” në Institutin “Rjepin” . Martesa fatkeqe me rusen Valentina. Kalvari i pamerituar i një skulptori të madh.


Nga Dash Frashëri

Thanas Papa!

Skulptor i jashtëzakoshëm! Një hero i heshtur i arteve pamore!


Busti i Thanas Papës, i realizuar nga i biri, edhe ai skulptor, Besart Papa 

“Medalje e Artë” në Institutin më të famshëm në botë për Artet Pamore, “Ilia Efimoviç Rjepin” në Shën Petërsburg! Kryeqyteti perandorak i Perandorisë Ruse.

I përndjekur nga Sigurimi i Shtetit për shkak të martesës me një ruse. I dënuar nga regjimi komunist, nga një artist në një punëtor.

Shumë u përpoqën ta shkatërronin, por ai mbeti një simbol i mbijetësës përmes daltës së tij të artë!

Një jetë e tërë për Artin e Madh!

LICEIST TE “JORDAN MISJA”

Thanas Papa u lind në vitin 1931, në fshatin Paftal të Beratit. Babai i tij, kishte mbaruar “Normalen” e Elbasanit, dhe për disa kohë në fillim të viteve ’20-të, ishte zgjedhur sekretar i Shoqërisë ‘Bashkimi”, duke qenë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Avni Rustemit dhe ku bënin pjesë intelektualë me emër si Sejfulla Malëshova, Zai Fundo, Tajar Zavalani, Zoi Xoxe, Haki Stërmilli, Selim Shpuza. etj.

Babai i tij ishte një mësues dhe një përkrahës i madh i Luftës Nacional-Çlirimtare. Gjatë luftës ka pasur njohje me Fiqiret Shehun, bashkëshorten e Kryeministrit më jetëgjatë në Shqipëri, e cila më vonë e ndihmoi disa herë Thanasin.

Thanasi, pasi mbaroi shkollën unike në Berat, në vitet 1945-47, fitoi një bursë shtetërore dhe erdhi në Tiranë, për të vazhduar Liceun Artistik “Jordan Misja” Në klasën e tij asokohe mësonin, Dhimitër Buda, Jorgji Gjinari, Kristaq Rama, Jakup Keraj, Shaban Hadëri, Gjinovefa Heba, Kujtim Spahivogli, etj., emra që më pas do të bëheshin artistë nga më të njohurit, që kishte Shqipëria.


Liceu i vjetër


Thanas Papa duke modeluar një portret në Lice

Thanasi ishte një ndër nxënësit më të talentuar të Liceut, në degën e vizatimit dhe nisur nga kjo, mësuesi, skulptori Dhimitër Çani, që i jepte atë lëndë, insistoi, që Papa të vazhdonte më tej studimet e larta.


Busti i Babë Dudë Karbunarës në qendër të Beratit, realizuar nga skulptori Dhimitër Çani. Foto e vitit 1937

STUDENT TE  INSTITUTI I FAMSHËM “ILIA EFIMOVIÇ RJEPIN”

Pas mbarimit të maturës, Thanasi dhe piktori i ardhshëm, shkodrani Jakup Keraj, mundën të fitonin nga një bursë shtetërore, për të vazhduar studimet e larta studimet e larta në Institutin e Pikturës, Skulpturës dhe Arkitekturës “Ilia Efimoviç Rjepin” në Leningrad (sot Shën Petërsburg) të ish-Bashkimit Sovjetik (sot Rusia).

Në atë Akademi kanë studiuar dhe studentët e tjerë që vite më vonë do të bëheshin mjeshtrit e mëdhej të pikturës e skulpturës shqiptare si Kristaq Rama, Guri Madhi, Vilson Kilica, Sali Shijaku, Jakup Keraj, Agim Zajmi, Llambi Blido, Shaban Hadëri,, Rafael Dembo, etj.

Lidhur me këtë, Thanasi kujton për “Memorie.al”: “Nga ne nxënësit e degës së vizatimit, Ministria e Arsimit na dha të drejtën për të vazhduar studimet e larta, me bursë shtetërore në Bashkimin Sovjetik, vetëm mua dhe Jakup Kerajt. Pasi, plus lëndës së vizatimit, ku ne paraqiteshim më mirë, kishim dhe notat në lëndët e tjera shumë të mira. Kështu në vitin 1954, udhëtuam në Bashkimin Sovjetik, për të filluar studimet në institutin “Rjepin”, të Akademisë së Arteve të Bukura të Leningradit, sot (Shën Petersburg) i cili ishte krijuar 220 vjet më parë. Në atë institut, unë studiova për 6 vjet dhe në vitin e fundit, kur erdhi koha për mbrojtjen e diplomës, unë zgjodha për të punuar ‘Skënderbeun mbi kalë’.


Thanas Papa, së bashku me Jakup Keraj dhe një artist nga vendet lindore.

Thanasi shkëlqen në detyrat e kursit.

Në institut flasin për talentin e tij të jashtëzakonshëm. Aftësinë e tij kompozicionale ne grup skulptural.

 

DIPLOMA ME “MEDALJE TË ARTË”

Thanas Papa u diplomua si skulptor me “Medalje të Artë”.

“Në atë institut, unë studiova për 6 vjet dhe në vitin e fundit, kur erdhi koha për mbrojtjen e diplomës, unë zgjodha për të punuar ‘Skënderbeun mbi kalë’. 


Puna e diplomës së Thanas Papës, “Skënderbeun mbi kalë”

“Pasi e paraqita projekt-diplomën, skulptori i famshëm, Manizer (Matvey Genrikhovich Manizer), që ishte zv/Presidenti i Akademisë dhe kryetari i komisionit të vlerësimit të diplomave, tha: ‘Ajo që kërkon të bëjë Thanasi, është jashtë të gjitha mundësive të një studenti’. Por unë, ngula këmbë se do ta realizoja atë projekt dhe kështu m’u aprovua”, tregon Thanasi.


Skulptori rus, Matvey Genrikhovich Manizer dhe një nga veprat e tij më të famshme

“Punën e realizimit të ‘Skënderbeut mbi kalë’, që kishte një lartësi mbi dy metra, e fillova në muajin tetor të vitit 1956 dhe e përfundova, në qershorin e vitit 1957, duke punuar 12 deri 14 orë në ditë. Në qershor u bë mbrojtja e diplomave dhe kryetar i komisionit, ishte skulptori i famshëm Tomsky, i cili kishte realizuar bustin e Stalinit në Tiranë.


Skulptori dhe pedagogu rus, Nikolai Tomsky

“Komisioni e vlerësoi punën time, si diplomë e shkëlqyer, duke më akorduar “Medalje Ari”, së bashku me studentin rus, Jevgeni Nikollajeviç, gjë e cila nuk kishte ndodhur në atë Akademi, që prej dhjetë vitesh. Pas këtyre vlerësimeve maksimale që m’u dhanë, komisioni vendosi që puna ime e diplomës, pra “Skënderbeu mbi kalë” të derdhej në bronz dhe ajo u ekspozua në ekspozitën e përgjithshme të Bashkimit Sovjetik, për vendet e Europës Lindore, duke e bërë edhe kartolinë”, tregon Thanasi.

Gjatë ceremonisë, skulptori i famshëm Kerbel u shpreh: ‘Unë nuk kam ardhur rastësisht këtu në këtë mbrojtje diploma, me këto dy lulëkuqe që simbolizojnë dy vendet mike, Shqipërinë dhe Bashkimin Sovjetik’.

Në fakt, ndikimi i pedagogut rus Nikolai Tomsky është i dukshëm në stilin e veprave të mëvonshme të Thanas Papës.


Karl Marksi i realizuar nga Tonsky (majtas) dhe Karl Marksi i realizuar nga Papa (djathtas)


Portretet e Kajo Karafilit dhe Kostandin Kristoforidhit, realizuar nga Thanas Papa, në Tiranë

Gjatë viteve që Thanasi ishte student në atë akademi, ai paralelisht vazhdonte dhe një institut tjetër.

“Kur isha në vitin e dytë të fakultetit, me insistimin e një pedagogu rus, u regjistrova në Institutin e Mbrojtjes dhe Restaurimit të Monumenteve të Kulturës. Gjatë asaj kohe që studioja aty, më dhanë për të punuar disa punë në periferi të Leningradit, në një godinë aristokrate, të cilën e kishte marrë përsipër që ta restauronte Inspektorati Shtetëror për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës së Leningradit”.

Plot, 38 vepra të restauruara në Shën Petërsburg, mbajnë firmën e shqiptarit Thanas Papa.

“Për realizimin e atyre punëve, unë morra si ndihmës, bashkatdhetarët e mi, Shaban Hadërin, Kristaq Ramën dhe Sali Shijakun, të cilët i paguaja rregullisht, në bazë të punës që bënin, pasi për restaurimin e tyre unë merrja një pagë, që ishte shumë e kënaqshme për një student. Gjatë atyre viteve, unë mora dhe një diplomë tjetër për “Restaurimin e Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës”, tregon ai.

***

BUSTET E HERONJVE, NGA MUSA FRATARI TE MEHMET SHEHU

“Kur erdha në Tiranë, takova zv /Ministrin e Arsimit, Pipi Mitrojorgjin, i cili më tha se nuk kishte vende pune për skulptor dhe unë u dërgova për të punuar në Universitetin e Tiranës, pranë Muzeut Arkeologjik, në sektorin e Artit Mesjetar. Aty, unë bëja një punë fare të rëndomta, duke ngjitur poçet e thyera, që gjendeshin në ekspeditat e ndryshme arkeologjike.  Nisur nga kjo, pas katër vjetësh, në prillin e vitit 1960, e braktisa atë punë në shenjë proteste, pasi doja të punoja në profesionin tim, ku kisha shumë porosi dhe kisha mundësi të nxirrja rrogën time. Rektorati i Universitetit, u revoltua shumë nga veprimi im dhe më hodhi në gjyq, për braktisjen e punës.  Pas kësaj ata më regjistruar në një inventar të imët, të gjitha plaçkat e mia, pasi u vendos që unë duhet të paguaja të gjithë bursën shtetërore, që kisha marrë për 7 vitet e studimit. Ky vendim më pas u pezullua dhe më dërguan si pedagog në Liceun Artistik “Jordan Misja”.

Vepra e parë e tij në Shqipëri, pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik, ishte busti i “Heroit të Popullit”, Musa Fratari, i rënë dëshmor në Luftën e Spanjës, në vitin 1938. Një vepër e derdhur në bronz nga vetë Thanasi, kur ai ishte asokohe 29 vjeç.


Busti i Musa Fratarit, i vendosur në qytetin e Këlcyrës

Më pas ishte busti i Nikita Hrushovit, i cili u bë me porosi për t’u vendosur, në një nga sallat e Hidrocentralit “Karl Marks” mbi lumin Mat. Bashkë me bustin e Hrushovit, u porosit edhe ai i Enver Hoxhës, të cilin e realizoi Shaban Hadëri.

Thanas Papa ka realizuar edhe bustin e vetëm të ish-kryeminstrit të vetëvrarë (apo vrarë?), Mehmet Shehu, dhe që e paraqiste atë në kohën kur ai ishte luftëtar në Luftën Civile të Spanjës. Për model, me porosi të Mehmet Shehut, pozoi djali i tij, Vladimiri, i cili thuasje ishte një kopje e të atit të tij kur ai ishte i ri.

“Hajredin Çeliku i’a dërgoi dhuratën me rastin e ditëlindjes dhe siç më tregonte Foto Stamo, Mehmeti e kishte pëlqyer shumë dhe kush i shkonte në shtëpi, ai e çonte te korridori, ku kishte vendosur bustin dhe i thoshte: “Ja si kam qenë në Spanjë”. Më vonë më mori Fiqiretja në telefon dhe më tha: “Thanas, na ke befasuar të gjithëve dhe në veçanti Mehmeti e ka pëlqyer shumë”, tregon Thanasi për “Memorie.al”.

Kopjen e bustit të Mehmet Shehut, ai e mbajti në studio, nuk e theu: “E fsheha dhe e ruajta të padëmtuar, deri pas viteve ’90-të”

Një sërë veprash mbajnë firmën e Thanas Papës.

 

 

NDËSHKIMI SI PUNËTOR DHE KRIJIMI I FONDERISË ARTISTIKE

Peripecitë e Thanas Papës nuk përfunduan edhe pas ndarjes nga gruaja e tij ruse, por hija e saj do ta ndiqte pas, për shumë vjet me radhë.

Kështu vazhdoi jeta e tij, vazhdimisht në buzë të greminës, nga e cila e shpëtuan disa rastësi, si për shembull fakti që kishte komshi vëllanë e Kadri Hazbiut, apo që në vitin 1960, iu kërkua t’i bënte një bust Mehmet Shehut, për realizimin e të cilit pozoi për ditë me radhë, i biri, Vladimiri, meqë i ngjante shumë të atit në atë moshë. Këto njohje do e mbronin, kur anëtarë të tjerë të kupolës politike, vendosnin ta sulmonin.

“Mbas letrës së hapur të Komitetit Qendror të PPSH-së, në 1966-ën, mua më thirrën dhe më thanë, që të shkoja në Berat, për të punuar si punëtor në prodhim. Unë natyrisht, nuk kisha dëshirë që të largohesha nga Tirana dhe për më tepër nga profesioni im. Për këtë i kërkova takim Nexhmije Hoxhës, që asokohe mbulonte artin e kulturën dhe i thashë që të rishikohej mundësia, që unë të punoja në profesionin tim të skulptorit. Ajo ma preu shkurt duke më thënë: ‘Të shkosh në Berat, atje ku të kanë caktuar, sepse të gjithë nuk do të bëhemi skulptorë’. Pas kësaj, unë përsëri nuk pranova që të shkoja në Berat dhe në vendin tim atje dërguan, shkrimtarin Fatmir Gjata”

Në 1966, Thanas Papa u dërgua si punëtor në fonderinë e Uzinës “Dinamo” në Tiranë, ku punoi për pesë vjet, deri në 1971-in.

“Në këtë vit, më caktuan që të organizoja nga ana teknologjike, Fonderinë për Derdhjen e Monumenteve, në të cilën punova edhe pesë vite të tjera, deri në 1975-ën. Atje, çdo gjë e nisa nga e para, duke i kursyer shtetit, miliona lekë me derdhjen në vend, pasi më pare, ky proces pune bëhej jashtë vendit”, tregon Thanasi.

Edhe pse Thanasi u detyrua dhjetë vjet që të punonte në prodhim, me gjithë sulmet e padrejta, ai nuk e lëshoi kurrë daltën nga dora, por vazhdoi që të punonte në heshtje në studion e tij. Ai ka marrë pjesë në të gjitha Ekspozitat Kombëtare, që janë organizuar para viteve ’90-të, duke fituar dy çmime të para, katër të dyta dhe një të tretë.

Gjatë karrierës së tij artistike, ka realizuar mbi 200 punime, nga të cilat 140 janë të njohura dhe të regjistruara, në Sektorin e Studimeve në Galerinë Kombëtare të Arteve. Po kjo galeri në fondin e saj, ka 6 skulptura të Thanasit, ndërsa 10 të tjera, janë të vendosura në muzeume të rretheve, kurse 38 basoreliev dhe statuja, janë të vendosura në pjesë të ndryshme të vendit.

Thanasi ka marrë pjesë me punimet e tij edhe në ekspozita ndërkombëtare, si: në Moske, Bukuresht, Sofje, dhe Aleksandri, ku fitoi dhe çmimin e tretë, me monumentin “Zgjimi i Afrikës”. Për këtë çmim shtypi ndërkombëtar e ngriti në majë, për profesionalizmin e tij.


Kompozimi “Zgjimi i Afrikës”, me të cilin fitoi dhe çmimin e tretë në Bienalen e Aleksandrisë, në Egjipt

Pas vitit 1975, e dërguan në Liceun Artistik “Jordan Misja”, ku dha mësim deri në vitin 1990-të, deri sa dola në pension”.

DASHURIA DHE MARTESA ME RUSEN VALENTINA

Mediat kanë shkruar shumë për për lidhjen fatkeqe të Thanas Papës me rusen Valentina dhe ndëshkimit të tij.

Në Bashkimin Sovjetik, Thanas Papa u njoh rastësisht me një studente ruse, Valentina Ivana Cvetkova.

I ftuar në programin “Histori me zhurmues” të Pandi Laços, në TV Klan, në vitin 2010, skulptori Thanas Papa, tregoi që ngjitur me Akademinë ishte dhe universiteti ku studionte Valentina, që i ndante një park i madh. Rrugës për në universitet ata u njohën dhe u miqësuan. Mirëpo pas katër vitesh shkollë Valentina u diplomua dhe u emërua në Lindjen e Largët duke qenë që ishte specializuar për gjuhë kineze, ndërsa skulptorit të ri i duheshin edhe dy vite për t’u diplomuar sepse studimet e tij zgjasnin gjashtë vjet. Ajo shkoi ta takonte para se të nisej, po atij i erdhi shumë keq.

“Unë u preka në atë moment. Si ka mundësi?- i thashë.-Nuk duhet të ikësh”, ka kujtuar Shabani ngjarjet e vitit 1956 në studion e “Histori me zhurmues“.

Marrëdhënia e tyre e lehtë, kishte nisur të fitonte peshë në çastin që po vihej në diskutim, si ajri që nis të të duket i rëndë pikërisht në çastin kur nis të të mungojë.

“Do interesohem unë që të emërohesh në Leningrad”, kishte thënë papritur Thanasi ndoshta pa e ditur as vetë çfarë po thoshte. Më pas, kishte ndodhur diçka që nuk e kishin menduar. Duket se gjuha e romancave të mëdha kishte vendosur ta shkruante vetë këtë dashuri që studentët nuk po arrinin ta shprehnin. Sepse ndërkohë që ai kërkonte në zyrat shtetërore që “padrushka” e tij të emërohej në Leningrad, duke menduar që po interesohej për shoqen e tij, zyrtarët kishin kuptuar që po lutej për partneren dhe pranuan. I kërkuan vetëm një dokument, që nuk e kishte dëgjuar më parë dhe kur ia tha Valentinës ajo mbeti paksa e habitur. “Po ti e di çfarë do të thotë kjo?“, e pyeti Valentina.

“Kjo është martesë”. Atëherë, ai e humbi pak toruan, por përsëri nuk donte të dukej si i penduar, sepse nuk ishte. Vërtet që nuk kishte menduar të martohej me të, por nëse do martohej me një vajzë, ajo nuk kishte pse të mos ishte Valentina. “Pse ti nuk je dakord?”, i thashë pasi e mblodha veten”,-ka treguar skulptori . “Nuk kam ndonjë kundërshtim”,– ia kishte kthyer ajo duke qeshur.

 

Jetuan bashkë dy vitet në vazhdim. Pastaj, në Leningrad do të vinte sekretari i Ambasadës Shqiptare në BS, Zeqi Agolli që do t’i kujtonte Thanasit që duhej të kthehej. Paralelisht me Akademinë e Arteve të Bukura dhe Fakultetit të Restaurimeve të veprave në lidhje me parqet dhe arkitekturën, Thanasi ndoqi edhe një fakultet mjeksie. Atij i duheshin edhe gjashtë muaj që ta perfundonte, por qe nuk mundi të diplomohej sepse ambasada e Shqiperise në Rusi e detyroi të kthehej para kohe. I tha madje që i kishin prerë dhe biletën, gjë që më pas u kuptua që nuk ishte e vërtetë. Donin vetëm t’i bënin presion që të kthehej sa më parë, siç edhe ai bëri në nëntor të vitit 1958 kur erdhi në Tiranë me dy diploma universitare, por pa gruan e tij të re. Valentina do t’i bashkohej marsin e vitit 1959 dhe në dhjetor, ndërsa ishin duke pritur fëmijën e tyre të parë, morën edhe shtëpi në Rrugën e Durrësit. Gjithçka dukej se po shkonte mirë, por viti 1961 po afrohej. Ishte viti kur u prishën marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, një nga ato pak raste në histori kur prishja e marrëdhënieve diplomatike, më shumë sesa kudo përjetohet në zemrat e njerëzve.

 

“Vitet rrodhën shpejt dhe ndodhi ajo që ndodhi. Shqipëria prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe shumë çifte u ndanë. Ishin vite të vështira. Lot, ndarje, ankth… Askush nuk e mendonte se bashkë me prishjen e familjeve do të fillonte dhe gjuetia e shtrigave, të gjithë ata intelektualë që ishin martuar me ruse, ose do të internoheshin ose kurrë nuk do të punonin në profesionet e tyre. Kështu na ndodhi dhe ne, mua, gruas Valentina dhe vajzës Tatjana. Ishte viti 1961. U ndamë. Për mua ishte një vit i mbrapshtë. Deri në vitin 1991 nuk mora asnjë lajm për ish-gruan dhe vajzën. Prisja se mos ndodhte mrekullia”, tregon Thanas Papa gjatë një interviste për gazetarin Kujtim Boriçi në gazetën “Telegraf”.

“Ne vazhduam letërkëmbimin nga 21 dhjetori i 1961-shit deri në shtator të 1962-shit. Më pas nuk na i sollën as letrat. Kur u takuam pas 30 vitesh, ajo më tregoi që kishte vazhduar të shkruante, por letrat nuk vinin”.

Thanasin e lanë vetëm, por jo të qetë. Në vitin 1966 e thirrën në Gjykatën e Tiranës në rrugën e Durrësit ku i paraqitën një kërkesë divorci, gjoja të ardhur nga Moska. Pa një firmë që edhe ngjante me të sajën edhe nuk i dukej si e saja. “Në atë moment mendova që ose ajo është në vështirësi të mëdha politike, ose i ka dalë fati dhe s’ka pse ta pengoj. E firmosa“, ka treguar skulptori.

Në fakt, sipas tij, Sigurimi i Shtetit i serviri një  letër-kërkesë për prishje zyrtare martese të firmosur nga Valentina, e cila më vonë rezultoi e falsifikuar dhe e mohuar prej ish-gruas ruse, kur ata u ritakuan pas 30 vjetësh, në vitin 1991.

“Pas asaj ndarjeje, unë shihesha me sy tjetër nga regjimi komunist dhe isha nën survejim të plotë. Më kujtohet mirë, marsi i vitit 1962, pak kohë pasi ish-bashkëshortja ime, Valentina, bashkë me vajzën e vogël 2 vjeçe, ishte larguar për në Bashkimin Sovjetik, kur në studion time erdhi Guri Madhi. Ai kishte sjellë dhe një shishe verë dhe pasi e hapi me këmishën time të vjetër, më detyronte mua të pija, kurse vetë nuk pinte fare. Kur unë e pyeta se përse nuk pinte ai, mu përgjigj: “Edhe unë do të pi, por ta dhashë ty në fillim që të të çliroj. Këto që po t’i them, mbaji vath në vesh. Që nga ky moment, ti nuk dëgjon, nuk sheh dhe nuk flet. Pra je shurdh, i verbër dhe memec. Ti ke ikur nga kjo botë, më dëgjove”? Guri, më tha që t’i kapja buzët e mia me dorë dhe ti shtrëngoja fort. Kur unë i thashë se po më dhëmbin, ai mu përgjigj: “Më mirë të të dhëmbin buzët, sesa koka”.


Busti i piktorit Guri Madhi, i realizuar nga Thanas Papa

Pas 23 vjetësh, gjatë të cilave skulptori kishte refuzuar disa raste për martesë, në vitin 1984, ai martohet për herë të dytë. Bashkëshortja e tij ishte arkitektja e njohur, Shpresa Leka, një nga intelektualet me në zë të Tiranës dhe një urbaniste e shkëlqyer.

E diplomuar në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Degën e Arkitekturës në vitin 1971. Shpresa është autore dhe bashkautore në shumë projekte e studime të Planeve rregulluese të qyteteve dhe fshatrave në vendin tonë. Kryespecialiste në Drejtorinë Teknike të Ministrisë së Ndërtimit. Me specializime profesionale në vende si Itali, Izrael, SHBA dhe Francë.

Ishte pikërisht Shpresa nismëtarja e takimit të Thanasit me ish-gruan ruse dhe vajzën  që jetonin në Moskë.

“Ajo ka bërë një gjest human që pak gra mund ta bëjnë. Ka qenë gruaja ajo që në ’91-shin më thotë: “Shko të gjesh vajzën tënde, ku të jetë. Të shkosh ta takosh. Kanë kaluar 30 vjet”. Bëra dokumentet, mora biletën, u nisa për Moskë. Atje takova vajzën që ishte bërë 32 vjeçe dhe Valentinën që nuk ishte martuar. I ra si bombë kur i thashë që ajo më kishte kërkuar divorc me një shkresë. “Nuk është e vërtetë”, tha. As ato nuk e kishin pasur të lehtë. Valentina nuk kishte gjetur punë. Në përgjithësi me fëmijët me origjinë shqiptare ishin hakmarrë në kohën e Brezhnjevit, shumë ishin arratisur, por vajza shpëtoi nga një koincidencë, emri im që kthehet në mbiemër në Rusi, nuk binte shumë në sy dhe ajo kishte mbaruar studimet për elektronikë dhe e gjeta në një institut studimor ku punonte si konstruktore elektronike”, tregon Thanasi.

Tatjana kishte ikur nga Shqipëria dy vjeçe, dhe Thanasi e takoi vajzën kur ajo ishte 32 vjeçe. Tashmë një inxhiniere.

Thanasi dhe Shpresa – që të dy tashmë kanë ndërruar jetë – lanë pas dy fëmijë të mrekullueshëm: Besartin (i cili vazhdon me sukses rrugën e të atit, si skulptor) dhe Irisin (që vazhdoi rrugën e të emës, si arkitekte).


Besarti me të atin e tij, Thanas Papa.

Thanas Papa u nda nga jeta, më 3 gusht 2022, në moshhën 91-vjeçare.

MUZEU I ARTIT “THANAS PAPA”

E gjithë historia skulpturore e Thanas Papës tashmë ndodhet në një muze arti të krijuar nga “Papa Group”, nën kujdesin e të birit, Besartit.

Resul Jusufi fiton “Golden Award” në Korenë e Jugut

Artisti nga Kosova i cili jeton dhe krijon në Austri, është i mirënjohur ndërkombëtarisht për punimet e tij.

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.