Artur Muharremi dhe “figurat e lëvizshme”
Filmat e Artur Muharremit kanë gjetur një vlerësim të veçantë në festivalet ndërkombëtare përmes çmimeve të shumta.
Nga Luan Rama
Shkrimtari Luan Rama dhe piktori Artur Muharremi
***
Animacionin kinematografik mund ta konsiderojmë si perceptimin e hershëm të kësaj gjinie filmi : figura të lëvizshme. Në studion e Artur Muharremit ku u gjenda para disa ditësh, në ekranin ku figurat kanë disa vite që lëvizin, është një nga fotografitë e para të tij kur erdhi në Kinostudio pas studimeve në Institutin e Arteve. Piktori i talentuar shumë shpejt do të bëhej dhe regjisor duke i realizuar vetë filmat që kanë mbetur në historinë e animacionit shqiptar. Pas ndryshimeve politike, si shumë artistë, ai bashkë me Helidon Halitin etj, shkuan si emigrantë në Greqi. Mjerimi dhe kaosi shqiptar i detyroi të largoheshin. Një aventurë dhjetvjeçare me pikturën, afresket, restaurimet, vizatimet, portretet e kompozionet pikturale. Pastaj erdhi kthimi në Tiranë me një krijimtari të mrekullueshme që sot gjendet veçanërisht në muzeun “Mezuraj” siç gjenden dhe shumë tabllo të piktorëve me emër si Gazmend Leka, Helidon Haliti, etj. Por këto tablo prej vitesh qëndrojnë në heshtje, pa mundur të organizohen ekspozita dhe një dialog artistik me publikun e gjerë. Më pas erdhi periudha e Francës, ekspozitat me tablo të dimensioneve të mëdha në Paris, Honfleur e qytete të tjera dhe jo vetëm, pasi në ato vite tablotë e tij u ekspozuan dhe në vende të tjera europiane, e po kështu dhe së fundi. Por gjithnjë, “figurat e lëvizshme” i mungonin, i shfaqeshin në gjumë, si ta kërkonin të rikthehej tek ato. Dhe një ditë, me një gjetje të bukur, ai realizoi një film të shkurtër me vizatimet bardh e zi, “Dado dhe bulloni”. Isha ndoshta i pari që e shikoja në Paris. Një film elegant e plot sharm çka e realizoi me ordinatorin e tij të zakonshëm. Por lapsi i tij është gjenial! I vetëm ai krijon jo vetëm personazhet por dhe dekoret, punon me muzikën, zhurmat, elemente të domosdoshëm në një film vizatirmor. Një punë titanike, pasi në Perëndim, filma të tillë regjisorët i realizojnë me ekipe piktorësh, muzikantësh, inxhinjerë zëri, etj. I kujtoj filmin “Metropolis” tê Fritz Lang, një nga kryeveprat e mëdha tê kinematografisë gjermane por dhe botërore tê fillimit të shekullit XX, ku shihet njeriu i transformuar dhe i shpërfytyruar nga pesha e punës dhe shfrytêzimit çka e shohim dhe në filmin e Caplin “Kohët modern”. Ai më buzëqesh dhe më thotë të ulem që tê shohim një nga filmat e fundit “Exit II” (“The Game”) ku në qendër ështê liria e individit dhe përpjekja e shoqërive shfrytêzuese për ti kthyer njerëzit në robotê, të ngjashëm dhe uniformë. Por fitimi i lirisë ka një çmim tê madh!
Filmat e Artur Muharremit të cilat sot rrahin tema thelbësore tê shoqërisë së sotme njerêzore kanê gjetur një vlerësim të veçantë në festivalet ndërkombëtare përmes çmimeve të shumta. Lista është e gjatë: “Tokyo Film Awards”, “Film Animation Cannes, “ Contries International Film Festival”, “Global Shorts”, “Gully International GIFF” e shumë të tjerë.
Duke kthyer sytë pas në mesin e viteve ’80, tek zbrisja shkallët mbremjeve të vona nga Kinostudio, shikoja gjithnjê dritat e ndezura të dhomave ku punonin regjisorët dhe piktorët e animacionit miqtë e mi. Shpesh ndaloja dhe përshendetesha me Arturin, Gazmend Lekën, Vlash Drobonikun, Boris Ikonimin e tê tjerê dhe pastaj vazhdoja duke i lënê mbi vizatimet e tyre. Pikturimi i mijra vizatimeve, ngjyrosja, përvijimi i tyre teknik drejt lëvizjes, kishte diçka tepër tê mundimshme qê tê kujtonte nga larg Sizifin por me njê ndryshim: gjithçka shpërblehej me veprën që ata më së fundi realizonin.
Në Shqipëri kjo vlerë e madhe artistike nuk njihet dhe është e trishtueshme që Tirana nuk interesohet ta ftojë në një veprimtari të posaçme ku të shfaqen disa nga filmat e tij tashmë me çmime ndërkombëtare dhe të njihet me një artist shqiptar me impakt ndërkombëtar. Shoh filmin e tij të fundit dhe bisedoj me të rreth projekteve të ardhme por që s’janë thjesht në letër por të gatshëm me personazhet, vizatimet, dekoret etj. Janë projekte për filma vizatimorë me metrazh të gjatë që kërkojnë produktorë të fuqishëm dhe mjete teknike edhe më moderne.
Artur Muharremi flet pak për punën e tij. Principi i tij: « është vetë vepra që flet!” Por gjithë kjo krijimtari e alternuar: – pikturë dhe animacion gjithashtu – ka kërkuar gjatë gjithë këtyre viteve një energji të jashtëzakonshme aq sa artistë të tillë i gjen rrallë. Një jetë në art. Një jetë fisniku!