Grafikat e mrekullueshme të Çlirim Cekës në “90+”
Piktori i mirënjohur elbasanas çeli në Galerinë FAB, ekspozitën e tij të 15-të personale. E hapur deri më 6 shtator.
Nga Dash Frashëri
“90+”
Me këtë titull të koduar, piktori i mirënjohur Çlirim Ceka çeli ekspozitën e tij të 15-të personale, të hapur dje në Galerinë FAB, të Universitetit të Arteve, në Tiranë.
Piktori 79-vjeçar elbasanas solli punime në grafikë, të krijuara pas viteve 1990 dhe deri tani, të realizuara mjeshtërisht dhe me shumë dashuri.
Në koleksionin e kësaj periudhe artisti realizon grafika abstrakte si dhe ato me tema shqiptare (me motive folklorike).
Ai synon në këto punime grafike drejt një gjuhe artistike të thjeshtëzuar, të stilizuar drejt dekorativitetit abstrakt.
Midis tyre, ishte edhe një prej punëve më të bukura të Cekës, “Në uzinën e petëzimit”, e cila hapte edhe ekspozitën.
Një punë e krijuar edhe si pullë nga Posta Shqiptare, me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të Atdheut.
***
Çlirim Ceka (1945) Lindi në Elbasan, ndërsa studimet e mesme i kreu në liceun e Tiranës në vitet 1958-1962. Studimet e larta do t’i kryente në ILA në vitet 1962-1967.
Fillimisht do të punonte në redaksinë e ilustrimit në Shtëpinë Botuese, e më pas si pedagog i grafikës në ILA në vitet 1970-75. Më pas do të dënohej politikisht (për riedukim) në Ndërmarrjen Artistike Migjeni. Do të rikthehej në vendin e punës vetëm pas vitit 1985.
Çlirim Ceka, njihet si piktor i tablove kompozicionale, ndryshe njohur si “kompozimet e mëdha”.
Ai bashkë me shumë autorë të asaj periudhe, i dhanë formë këtij formati të metarrëfimit të metodës së Realizmit socialist mes viteve ’65-’75, duke trajtuar temat kresore të saj, prej Ndërtimit të socializmit, Njeriut të ri, dhe tablove me Temë historike.
Mes veprave më të rëndësishme mund të përmendim tablo “Punojmë dhe mësojmë”, 1969, (GKA), “Në kufi”, 1969, (GKA), “Në metalurgjik”, 1983 (GKA), “Dropullitja”, 1984 (GKA), “Metalurgu”, 1984 (GKA).
Gjithshtu, ai u evidentua dhe muralen e realizuar në Muzeu Historik në Lushnje, si dhe veprat në gjininë e grafikës, si ilustrime, kopertina librash dhe cikle grafike në teknikën e linoleumit. Pjesëmarrës i rregullt i aktiviteteve të kohës, ai prej vitit 1998, jeton dhe punon në Selanik, ndërsa vepra e tij përcjell shijen grafike mbi subjekte shqiptare drejt një stilizimi të abstraguar dhe motive folkloristike.
Përveç veprave të shumta ruajtur në Galerinë Kombëtare të Arteve, veprat e tij janë ekspozuar në në Pekin (1967), Bienalen e Aleksandrisë (1968), Shangai (1968), Prishtinë (1972), Grac Austri, (1975), Paris (1984), Romë (1987), Athinë (1993), Kroaci (1997), Itali, Rumani, Selanik, etj.
Ai është autor i 14 ekspozitave personale, realizuar në Itali, Kroaci, Rumani, Danimarkë, Greqi, Shqipëri, etj., si dhe fitues i çmimit kombëtar në Grafikë në vitin 1969, dhe Onufri për Grafikë në vitin 1994.
***
Ceremoninë e hapi, pedagogu dhe historiani i artit, Dr. Ermir Hoxha, njëherësh edhe drejtuesi i Galerisë FAB, i cili vlerësoi punimet e Cekës, profilin e tij artistik.
Vetë autori, Çlirim Ceka, i cili ka njëzetedy vepra në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, tha se ndihej shumë i lumtur që hapi këtë ekspozitë dhe theksoi se solli në vetëm punime në grafikë, të realizura pas viteve 1990 dhe deri më sot.
Të pranishëm në ceremoninë e hapjes ishin artistë të njohur, pedagogë të Fakultetit të Arteve të Bukura, dashamirës të artit.
***
DISA NGA PUNËT NË EKSPOZITË
***
Përgëzimet janë të shumta nga artistët dhe të pranishmit në ceremoninë e hapjes.
Një ekspozitë më të vërtetë e bukur. E gjitha për ta shijuar!
Tiranë, më 3 shtator 2024