“Nëpër gjurmët e Tasos”

Piktori i famshëm pogradecar, Anastas Kostandini (Taso) hapi ekspozitën e tij personale në COD.


Nga Dash Frashëri

“Nëpër gjurmët e Tasos”

Piktori i famshëm pogradecar, Anastas Kostandini (Taso) hapi dje ekspozitën e tij personale në Hollin e Kryeministrisë, organizuar nga Qendra për Hapje dhe Dialog (COD).

Anastas Kostandini është një nga piktorët modernë shqiptarë, një lloj Vangjush Mio në peizazh.

Kompozimet e tij shërbejnë si alegori pamore, duke i ftuar shikuesit të deshifrojnë narrativat e brendshme.

“Nëpërmjet punimeve të guximshme të penelit dhe të shtresave të mbivendosura, ai (Taso) i shndërron kanavacat në sixhade të gjalla, ku drita dhe hija bashkohen në një valle harmonike kontrastesh”, shkruan kuratori i ekspozitës, Rubin Kadiu.

Ekspozita “Nëpër gjurmët e Tasos” është një vallëzim nëpër peizazhet e gjalla të universit artistik të Anastas Kostandinit, ku imagjinata ndërthuret me realitetin dhe emocionet kërcejnë nëpër telajo. Ajo do të jetë e hapur, deri më 3 tetor 2024.

***

Të pranishëm ishin artistë, miq të familjes, diplomatë të huaj, si dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Edhe unë si botues i portalit të artit, DashArt.al, isha i ftuar nga COD dhe Taso.

***

Ceremoninë e hapi Drejtorja e re Artistike e COD, gazetarja e mirënjohur, Jetona Koçibelli.

“Kam kënaqësinë dhe nderin e jashtëzakonshëm të shpall Çeljen Zyrtare të Ekspozitës Personale se titulluar “Nëpër gjurmët e Tasos”, kuruar plot dashuri nga Z. Rubin Kadiu, e cila do të jetë e hapur për publikun nga sot e  deri më 3 tetor 2024.

Taso është një artist i cili ndërthur poezinë dhe pikturën për të krijuar një univers të lidhur ngushtë me qytetin e tij të lindjes, Pogradecin. Pikturat e tij përfshijnë një gamë të gjerë peizazhesh, portretesh dhe kompozimesh që përshkruajnë jetën e përditshme dhe natyrën e qytetit, e ne kete ekspozite ato vijne te shtresezuara ne dekada krijimtarie, duke na mundesuar te ndjekim evolucionin e gjuhes piktorike te Tasos. Ai nuk ka lënë pa përshkruar asnjë cep të qytetit – nga brendia e mëhallave te vjetra e deri tek natyra e virgjër në hapësirën e paane që e rrethon Pogradecin.

I frymëzuar nga mjeshtrat e peizazhit francez, si dhe i ndikuar nga vullkaniku Vincent Van Gogh, Taso ka ndërtuar një gjuhe të veçantë, që reflekton thellësinë e meditimit ne vetmine krijuese. Ai është një kronikan i përditshmërisë, që përjetëson jetën urbane dhe natyrën, duke u integruar ato në mikrouniversin e tij artistik. Ai përshkon një rrugë të lakuar, të shtruar me emocione dhe vepra që përbëjnë një udhëtim artistik të gjate dhe te paepur.

“Jeta e këtij piktori të nje gjenerate te rritur mes shume kufizimesh te tera llojeve, nuk është vetëm një testament i talentit të tij, por edhe një trashëgimi e gjallë që vazhdon përmes dy vajzave të tij, Ledias dhe Marianës, të cilat, si artiste dhe shkrimtare tanime të afirmuara per dashamiret e per kritiket e artit e te letrave, po e zhvillojnë dhe pasurojnë këtë trashëgimi, duke hapur me kuriozitet e guxim shtigje te reja ne eksplorimin e te se panjohures.

Anastas Kostandini pikturon gjithçka. Shtëpi, trungje, varka, portrete, heronj, natyra të qeta, bunkerë, personazhe surrealë. Me këtë veçanti, piktori i madh dhe qytetari i nderit të Pogradecit ka çelur ekspozita në shumë vende të botës. E rradhes dhe e vecante per nga natyra kjo vetjake retrospektive ne COD”, tha Koçibelli.

Vetë Taso, foli me emocione të mëdha, duke theksuar se kjo ekspozitë dhe kjo ceremoni në COD para një publiku elitar ishte një kulm i lartë për piktorin pogradecar.

Piktori falënderoi në mënyrë të veçantë për praninë e tij kryeministrin Edi Rama.

“Megjithëse ndodhem larg këtij poli qendror ngjarjesh, dua të mendoj se jeta dhe krijimtaria ime nuk është e panjohur për publikun e artit në Shqipëri. … largësia ime fizike nga kryeqyteti nuk ka ndikuar aspak në këmbënguljen, pasionin, dëshirën për të eksperimentuar dhe kureshtjen për të njohur çdo ditë e më shumë.”, tha Anastas Kostandini (Taso).

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij, veçoi vlerat piktorike të Tasos, duke theksuar se është një ndër piktorët elitarë shqiptarë.

Ekspozita ishte organizuar në tre ambiente të ndryshme, me vepra të periudhave nga studimet e Kostandinit deri ato ditëve të fundit.

“Nëpër gjurmët e Tasos” është një dëshmi e fuqisë shndërruese të krijimtarisë dhe e thellësive të pakufishme të shprehjes njerëzore. Lundrimi në labirintin e imagjinatës së artistit zbulon jehonat e shpresës, të frikës dhe të aspiratave tona, të pasqyruara në vizionet kaleidoskopike që ai shpalos. Trashëgimia e Tasos do të shërbejë si një fener frymëzimi për brezat që do të vijnë, duke na udhëhequr në kërkimet tona për të vërtetën, të bukurën dhe kuptimin në kanavacën e pakufishme të qenësisë.”, shkruan Rubin Kadiu, kurator i ekspozitës.


Një ekspozitë e bukur!

________
Tiranë, 5 shtator 2024

“RINArt”, 400 punime ekspozohen te Galeria “2 Botë”

Kryebashkiaku i Belshit, Tafani: Faleminderit Universitetit të Arteve të Bukura, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Helidon Halitit

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.