“Key of Wuhan”, Alfred Mirashi – Milot instalacion gjigant në Kinë

“Milot”, pas “Albanian Key“ që vendosi në Shkodër synon qytetin njëmbëdhjetë milionë banorësh kinez.


Nga Albert Vataj

Ky është çelësi që do të krijojë artisti shqiptar me famë botërore, Alfred Mirashi -Milot, për qytetin Wuhan të Kinës.

“Milot”, pas “Albanian Key“ që vendosi në hyrje të qytetit të Shkodrës, synon me “Key of Wuhan”, qytetin njëmbëdhjetë milionë banorësh, kryeqendra e nëntë më e populluar e Kinës, gjithashtu një nga nëntë qytetet qendrore kombëtare të këtij shteti të madh, kulture dhe tradite që pararend në fuqinë e progresin ekonomik, të një bote të madhe ku krijimi, gjeneza e të bukurës, hyjshmërisë së shpirtit dhe mendimit i qasen të sotmes si një vullnet i lartësuar.

Mjeshtri i skulpturës monumentale, Alfred Mirashi –Milot përmes një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar, se mbas skulpturës “Albanian Key“, veprës konceptuale, që ai vendosi në hyrje të qytetit magjik të Shkodrës, e financuar Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, fitues i konkursit “Art në Hapësirën Publike”, tani synon Kinën. Ai bëri prezent se shpejt fillon projektin tjetër, atë të “Key of Wuhan”. Është fjala për një skulpture gjigande që do të vendoset, përballë Museut të Artit Kontemporan në Wuhan, Kinë. Një vlerësim dhe besim që kapërcen kufijtë dhe kontinentet për t’u bërë ëndërr e përmbushur, për t’u bërë shans dhe shkas popullimi të Kinës së madhe me artin e shpirtit të madh.

Kjo ambicie artistike e artistit shqiptaro-italian, është një vijimësi e përfaqësimit të artit të madh, që thërret në këtë ballafaqim mjeshtrin e çelësave, piktorin dhe skulptorin, që i qaset komunikimit estetik me forcën e një mesazhi të gjithëbotshëm, atij të çlirimit të shoqërisë dhe individit nga kufizimet dhe barrierat e modernitetit, duke i ofruar të sotmes një botë mundësish të barabarta për të gjithë, pavarësisht diferencave.

Milot, me artin e tij konceptual dhe madhështinë e forcës shprehës, po tenton t’i imponojë botës shpirtin krijues shqiptar, atë shpirt sfidash dhe betejasht të ngadhënjimshme, atë të mundshme komunikimi përmes artit, përmes gjenisë së mishërimit të së hyjshmes.

Për piktorin dhe skulptorin, Alfred Mirashi Milot, për farkëtarin e çelësit që i çel botës shpirtin e artistit, fama është fakt, modestia i mbetet vlerë e lartësuar në njerëzoren e një krijuesi, vepra e të cilit është Golgota drejt “kryqëzimit”. Ai ka zgjedhur të mbetet ai, fati i fituar me “thonj e me dhëmbë”, e shkuara e ngulitur thellë në kujtesën e atyre përvojave ngjethëse të sfidës, për të guxuar më shumë se sa mundet, për të merituar gjithçka që është shpërblim dhe meritë e dinjitetshme.

Alfred Mirashi Milot është artisti që do të guxonte me ide dhe me art, t’i jepte botës çelësin e hapjes së portave, të dëshmonte me pushtet Prometheu, fuqinë e sundimit mbi errësirën, si mbi mundësinë që i nënshtrohet çdo vullneti sovran drite. Ai nxori nga zgafellat e kohës, të drejtën legjitime për të merituar një botë pa kufizime, një tashmëri që kapërcen të gjitha pengimet, për të përftuar të drejtën për të zotëruar çdo mundësi përmes lirisë.

Përballë çdo dere, porte… çdo kyçjeje, Alfred Mirashi jep një çelës dhe çdo pengimi artisti i ofron plotëpushtetin e fuqisë së idesë dhe artit, gjithësi është e tansiplotë, shpirtin që i blatohet çdo perëndie dhe vullnetit që i jepet çdo force besimi.

Milot duke u bërë pjesë e një ndër 9 qytetet më të mëdha të Kinës së madhe, me “Key of Wuhan”, do të çojë atje, jo vetëm vullnetin artistik të mesazhit të botës pa dyer e pa ndalime, por edhe shpirtin e madh krijues të një vendi të vogël, të Shqipërisë, të cilën përfaqëson dhe promovon në lartësinë e zërit që i flet njerëzve.

(Koha Jonë)

Lexo më shumë nga

Resul Jusufi fiton “Golden Award” në Korenë e Jugut

Artisti nga Kosova i cili jeton dhe krijon në Austri, është i mirënjohur ndërkombëtarisht për punimet e tij.

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.