Rama në ekspozitën e piktorit Naxhi Bakalli: Një shfaqje e bukur linjash dhe ngjyrash

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në çeljen e ekspozitës së piktorit Naxhi Bakalli në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD).


Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në çeljen e ekspozitës së piktorit Naxhi Bakalli në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD).

Ai e cilësoi ekspozitën, si një shfaqje të bukur linjash dhe ngjyrash.

“Mirë së keni ardhur për profesor Naxhiun, jo për mua! Në këtë moment emocional për profesorin dhe për të gjithë dashamirësit e vetë, dua të ndaj me ju jo shumë fjalë për pikturat e tij, por dy momente të përjetimit tim të marrëdhënies me të.

Unë e mbaj mend Profesorin si një personazh hijerëndë, i heshtur, mbrapa kornizës së xhamit të derës së atelies së tij në Liceun Artistik, ku për shkak të gjatësisë, unë shikoja përtej xhamave të dyerve dhe gjithmonë ai ishte aty, i ulur tek ajo tavolina e mësuesit ku edhe vizatonte. Kur e shoh, gjithmonë më kujtohet ajo kohë dhe ajo korniza e xhamit, dhe gjithmonë më duket sikur kthehem në kohë dhe bëhem shumë i vogël përpara tij”, tha Rama gjatë fjalës së tij.

“E dyta, sa herë shoh filma me momente që lidhen me punën e murgjve në miniatura apo në kaligrafi, gjithmonë më kujtohet Profesori. Nëse ju e keni parë filmin “Emri i trëndafilit”, aty ka shumë imazhe të murgjve të përkulur mbi ato letrat e kohës, që shkruajnë dhe pikturojnë.

Ka dhe një moment të tretë që lidh të dyja gjërat bashkë, që lidh njeriun me dedikimin ndaj veprës, që do e gjeni diku nga fundi i korridorit, aty ku është një burrë dhe një grua në krevat. Ajo është kartolina romantike e dashurisë së paepur të Profesorit për zonjën, dhe kjo është hera e parë që unë e takoj Profesorin, pa zonjën e tij, që nuk ishte në atë afërsinë një metër të tij. Ku është dashnia, e pyeta? E dashura është tërhequr pak, për t’ia lënë skenën, dashnorit”, tha Rama.

Kryeministri duke folur për gamën e veprave të Bakallit ndër vite, e cilësoi atë si një personazh të rrallë e plot vlera.

“Thashë diçka që lidhet me përmbajtjen e brendshme të asaj që fshihet pas atij personazhit të tablove dhe ajo që i lidh të gjitha së bashku, ku një motiv shumë evident i jetës në komunizëm është marrë dhe është përdorur për të kontrabanduar një mënyrë të të parit të pikturave me antiformulën e realizmit socialist, deri te punimet më të reja që janë një moment i avancuar i udhëtimit nga fillimi i asaj tabloje”, tha ai.

“Kur bashkon pikturat me autorin dhe personazhin, e gjitha bëhet plotësisht evidente. Ka një asketizëm dhe një romantizëm në figurën e Bakallit, që e bën atë një njeri të veçantë. Pa beretën legjendare, të kam parë vetëm në dy raste, ose kur ishe në klasë te tavolina afër penxheres dhe e vije beretën te cepi i tavolinës, si atë parzmoren e Skënderbeut kur kthehej nga lufta. Dhe e dyta është ai te tabloja, në krevat, ku nuk mund të rrijë me beretë, sigurisht sepse ajo tablo është një nga deklaratat e tij të dashurisë. Qofsh i dashuruar në gjithë vitet që ke përpara! Ashtu do jesh, se ti nuk jepesh dhe paç këtë dritë të brendshme dhe pasion që të mban të përkulur përpara pikturës, asket romantik. Duke uruar dhe shpresuar që të gjithë do ta shijoni këtë shfaqje të bukur linjash dhe ngjyrash, ju uroj të gjithëve pas kësaj të ndiheni edhe më mirë, për meritën edhe të Naxhi Bakallit, por edhe atyre që e bënë të mundur këtë ekspozitë”, theksoi kryeministri.

Artisti Naxhi Bakalli falënderoi të pranishmit që morën pjesë në hapjen e kësaj ekspozite, duke e cilësuar këtë si një moment të rrallë për karrierën e tij.

“Faleminderit që jeni të pranishëm në një moment të tillë! Ju jeni njerëzit e mi, njerëzit e të njëjtës problematikë. Punova me njerëzit e kësaj sipërmarrjeje që ishin të hapur në bashkëveprim dhe dialog. Mirënjohje për këtë staf që e çoi evenimentin në këtë pikë!

Falënderim për ju që u bëtë pjesëtarë në këtë tërësi emocionuese, pasi vepra e artit me problematikat që ka bën që pjesëmarrja juaj të jetë stimul për mua. Veprat e mia janë shumë të sinqerta, e thonë fjalën e vetë, por nuk e harrojnë kujt i takojnë. I takojnë vendit që edhe ju e doni shumë, një shëmbëlltyrë e një dukurie të avancuar që është e mundur”.

Kryeqyteti i Ekspozitave!

Grupimi "Nëntori" dhe grupimi "PranverArt" hapin ekspozitat e tyre, që të dy në orën 18:00 në galeritë FAB dhe GAT.

15 vjet
“DKullolli Art – Studio”!

Në 2009 ishte një projekt ambicioz. Sot, në vitin 2024 është një dyqan prestigjioz i materialeve të artit në Shqipëri.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.