Një rrugëtim i jashtëzakonshëm dhe thjeshtësia në madhështi!
Piktori Petrit Gurabardhi ka një jetë plot me të papritura, pothuajse të pabesuesshme dhe plot aventura të jashtëzakonshme
Nga Agim Janina, studiues arti
Një rrugëtim i jashtëzakonshëm dhe thjeshtësia në madhështi
(Fragment)
Salla e ekspozitave, në një nga galeritë më me emër në të Athinës ishte mbushur plot me vizitorë dhe artistë. Galeristi Asimokolulos i kënaqur, rrethuar nga disa artistë, shihej tek bisedonte me gjalleri mbi punët e paraqitura.
Më tutje një piktor me trup mesatar, por të mbushur, me pak mjekër dhe flokët e mbledhura nga pas, ku binte në sy një bisht i vogël, sillej i shqetësuar. Hera e parë që ekspozonte dhe ishte në ankth se si di priteshin punimet e tij.
Dy tablotë e paraqitura ishin të veçanta nga të tjerat, njëra brendi me libra, brenda në bibliotekë dhe pranë tyre një ikonë, gërshetim i artit klasik me atë bizantin. Gjetje të tillë asnjë piktor grek nuk kishte guxuar dhe nuk e kishte bërë.
Arti ikonografik me frymë të thellë fetare dhe me rrënjë të thella në mjedisin grek ishte tërësisht i ndarë me atë laik me rregulla shumë të rrepta në formë dhe në frymë.
Ankthi u rrit më shumë kur vuri re se dy tablotë ishin vendosur, në një hapësirë të ngushtë ndërmjet një korridori, ku ishin tre dyer, e banjos, e hyrjes dhe e zyrës së drejtorit dhe pranë banjos shfaqeshin tablotë.
U ndje shumë i fyer. I vunë aty se jam shqiptar apo vallë nuk i kishin pëlqyer?
U veçua nga të tjerët, shkoi pranë tryezës dhe si mori një gotë me verë zuri të mendohej.
Ndërkohë në sallë u ndje një mërmëritje e lëvizje. Në galeri hyri Dimitris Mytaras, një nga piktorët e mëdhenj grek, i njohur në Europë, me shitje të mëdha, që shkojnë deri në 45 mijë euro.
Piktori nga banaku e ndoqi me sy. Mytaras, të shoqëruar nga galeristi dhe një grup artistët që zuri të kalonte me rradhë punimet e ekspozuara. Kur shkoi pranë punës së tij, qendroi një kohë të gjatë duke e kundruar. Patasj iu drejtua galeristit:
– Kush e ka bërë?
– Ai atje!
– Ai me bisht?
– Po, ai me bisht.
– Ma thërrisni pak.
Piktori afrohet i mërzitur, por me emocion. Po takonte një piktor me emër.
– Petro, Petraq? – e pyet Mytaras pasi e takon dje kishte lexuar emrin e piktorit në telajo.
– Emrin e kam Petrit.
– Përgëzimet e mia për punët. Më pëlqejnë, janë të bukura. Kam njëzetë minuta që i shikoj. Heshti dhe duke iu drejtuar galeristit, – Këto dy punë ç’mi ke vënë këtu?
– Këtu qëlluan… – u mundua të shfajësohej galeristi.
– Jo, jo nuk kanë qëlluar! I ke vënë te dera e banjos se piktori është shqiptar. E pe ku e piu gotën e verës? Por një gjë të dish, nuk i ke bërë dëm atij, por mua. A ke ndonjë punë më të bukur se sa këto?
Të nesërmen tablotë iu vunë në një vend të mirë dhe u shitën menjëherë. Njerën e bleu një grekoamerikan dhe aty ishte dita fatlume e piktorit.
Kush ishte fatlumi? Një emigrant shqiptar, piktori Petrit Gurabardhi, që në vitet ’90 ishte larguar nga vendi për në shtetin fqinj, ku do të ngrinte një jetë të re plot me të papritura, pothuajse të pabesuesshme e ku do të endej në një aventurë të jashtëzakonshme, që më pas do kapërcente oqeanin, një botë krejt tjetër sa për fatin e njeriut, krijimtarinë e vyer, shndrrimin e madh të jetës në një jetësim që kalon kohën, vendin dhe vetë artistin.
Petrit Gurabardhi ka realizuar në Greqi, Athinë Ikonën e Stavrosit dhe Kryqëzimin i Krishtit – Manastiri i Krisohstomos, Ano-Glifadh, Ikonografia në Kishën Agjo Joani, Ferizaj – Anaviso, Kishën e Shën Kozmait, Anaviso, si dhe një tjetër punim të rëndësishëm në Kishën e Shën Joanit, Ikonografi në Kishën e Akadamis Ushtarake, Kishën Zodhopigjis, Alepohori, ka punuar gjithashtu në shumë kisha të tjera të Greqisë, ku ka realizuar ikona të veçanta të shenjtorëve. Një nga aspektet më të rëndësishme të veprës së Petrit Gurabardhit në Greqi është krijimi i afreskëve të mëdha të pikturuara drejtpërdrejt në muret e kishave.
Ai ja marrë pjesë në ekspozitat e Ikonografisë Greke, ku punimet e tij janë vlerësuar për aftësinë e tij për të kombinuar artin klasik me atë bizantin.
Punimet e tij janë botuar në fletëpalosje dhe në albume, ku renditet me ikonografët më të mirë grekë.
Ka krijuar qindra ikona të punuara në dru, beze dhe kanavac, të cilat janë shitur në dyqane dhe galeri arti.
Në 18 vite punoi në Amerikë, si i përzgjedhur ndërmjet piktorëve grekë, ku edhe doli në pension, ka dekoruar me ikona, që së bashku me ato në Greqi shkojnë në mbi 45 kisha ortodoks, si në Florida, Miçigan, Milvok, Pensilvania dhe Nju Jork, Çikago, Illinois, Milgwoki, të kishës Shën Maria, Harrisburg, Pensilvani, ku realizoi një tjetër projekt të rëndësishëm, duke pikturuar shenjtorë të ndryshëm për Kishën e Shën Mërisë, e cila është një ndër kishat më të vjetra dhe më të njohura në këtë rajon, si dhe punimet në Manastiri i Murgeshave, kisha e Shën Anës, Majami, të Miçiganit, Indiana, afreskët Monumentale të kishës së Shën Gjergjit në Çikago (18 x 7 metra) etj., etj.
Në Shqipëri janë ngritur e restauruar shumë kisha ortodokse, por askush nuk u kujtua për të.
Piktori vjen shpesh në vendin e tij, takohet me miq e shokë, kujton me mall e dashuri kohën kur studionte në Lice e në Institutin e Arteve, pjesëmarrjen në ekspozita lokale dhe kombëtare, vlerëson pedagogët që i mësuan artin e bukur të pikturës, nuk ankohet, nuk kërkon asgjë edhe pse emrin e ka çuar përtej oqeanit dhe i ka bërë nder vendit ku lindi dhe u formua si artist…
Ndërsa krijimtaria artistike kalon shtigje, gjetje dhe kalëmendje nga më të çuditshmet në vendin e tij është pothuajse i panjohur dhe i pavlerësuar!
Sot kur po flitet shumë për fatin e artistit dhe ka shpërthyer një artistomani kombëtare, ai është një ikonë e gjallë e madhështore, që hijeshinë e shtatit ia rrit më shumë thjeshtësia e shpirtit dhe hija e rëndë e Lavdisë e ndjek nga pas…