“Ikonostasët e Shqipërisë”

Dy autorët e librit, Ylli Drishti dhe Andrea Llukani, kanë gjurmuar ikonostaset kishë më kishë, në të gjitha trevat shqiptare


Nga GAZMEND LEKA

IKONOSTASËT E SHQIPËRISË
(Promovimi i librit)

Përshëndetje!

Do më pëlqente ta mendoja, se libri “IKONOSTASËT E SHQIPËRISË” është botuar posaçërisht për ata shqiptarë që e kanë në majë të gjuhës shprehjen:

-Shqipëria u bekua nga Zoti dhe u mallkua nga shqiptarët!!!

Shprehje nga më të rëndat, që mezi ta mban kurrizi! E përsërisin jo rrallë, si një refren në bisedat e përditëshme mes shqiptarësh, vend e pa vend, në rrugë, në kafene, në mbledhje pune e deri në Parlament. Herë e shpallin me trishtim e herë me kënaqësi, duke e pretenduar si një “zbulesë”. Në fakt, transmetojnë gojë më gojë një mallkim!!! Lëvdojnë Zotin që nuk e kanë njohur kurrë dhe mallkojnë shqiptarët, gjyshërit e tyre, baballarët dhe veten.

Ndoshta e thonë pa të keq! Por edhe e keqja kështu përhapet, si pa të keq. Mbillet farë sinapi e bëhet pemë, që vështirë të shkulet. Ata duan të thonë, se ne nuk kemi bërë gjë të mbarë e të bukur për vendin tonë, që ta meritojmë të nderohemi e të respektohemi ndër kombe. Me pak fjalë, duan të thonë se ne nuk e duam vendin tonë!!!

Libri “IKONOSTASËT E SHQIPËRISË”, është antidot ndaj këtij “mallkimi”, sikurse shumë libra të tjerë studimorë para tij. Janë librat që i kushtohen gjuhës sonë arketipale, e cila buron nga kohërat e errta, kur perënditë thirreshin me emrin e tyre të vërtetë, librat për historikun e flamurit tonë kombëtar, ku stampohet një shenjë e lashtë perandorake e po ashtu, librat për kodet e kanunet para ligjit, që rregullonin mardhëniet mes shqiptaresh e shumë libra të tjerë që nuk i nxënë raftet e bibliotekave tona.

Kaq do të mjaftonte për të kuptuar punët e bekuara të shqiptarit, ku e mira dhe e bukura humbasin kuptim, pasi të bekuara siç janë, shkojnë përtej së mirës e së bukurës.

Kur ky “soj” shqiptari ta shfletojnë këtë libër, do të kuptojnë se ne, kami bërë bukur po ashtu edhe ikonostasët! E them me modesti, se po ta teproj pak, për t’ju afruar më shumë të vërtetës, duhet të them, se i kanë bërë të mrekullueshëm dhe e meritojnë të hynë në fondin e vyer të kulturës botërore!!!

Kur ky “soj” shqiptari ta shfletojnë këtë libër, do të habitet se si në një vend me territor kaq të vogël, kanë mbirë kaq shumë të tillë, ashtu sikurse ndodh edhe me kostumet kombëtare, që ndryshojnë nga njeri fshat në tjetrin, që vetëm një gardh i ndan. Kaq shumë ikonostase janë mbjellë, sa mbi 60 të tillë, duket sikur janë shumë e jashtë proporcionit për territorin e vogël dhe numrin e pakët të popullsisë! Vendi ynë që pikëzon në hartë, duket sikur nuk do t’i nxërë këto mrekullira të gdhendura në dru!!!

Kur ky “soj” shqiptari ta shfletojnë këtë libër, do të njohin mjeshtrit e gdhëndjes së drurit, të cilët e bënin ikonostasin si një vepër arti të përkryer, pavarësisht vendit ku do vendosej. Këto kavaleta të mëdhej ikonash, janë kryer po aq bukur, si në kishat e qyteteve të mëdhej, ashtu edhe në kishëzat e fshatrave të humbur e të harruar. Janë bërë me një mjeshtëri të rrallë, si të jenë objekte nga më të rëndësishmit, ashtu si edhe në kishat më të njohura të qytetërimit të besimit ortodoks. Është e njëjta dashuri, përgjegjësi, pasion e profesionalizëm! Fillimisht, bërë me mur e më pas me dru. Njeri më i bukur se tjetri!

Ikonostasi i Kishës së Sopikut, kushtuar shën Marisë, sa për shembull, është i njëjti në thelb me ikonostaset e kishave greke, bullgare, ruse etj.

Kishat, me ikonostasin, ikonat dhe afresket, shëmbellejnë me një libër të ilustruar, ku besimtari e ka më të lehtë të njohë Krishtin, shën Marinë, apostujt, katër ungjillorët, Lazarin që kthehet nga vdekja, të sëmurët që shërohen, darkën e fundit, skenat e pasionit deri në kryqezim e ringjallje të Krishtit. Krahasuar me besimin e parë, të patrazuar e të paprishur nga imazhi, duket si një sakrilegj, si një faj, apo si një gabim, por ky “sakrilegj”, për fat, ne na jep mundësinë, t’i trashëgojmë këto kryevepra, që janë sot pjesë e rëndësishme e fondit të artë të kulturës shqiptare. Është pasuria e patundëshme e jona!!!

Kur ta shfletojnë këtë libër, ai “soj” shqiptari do të gjejë të gdhendur në drurin e ikonostasit, një nga anarkitë e Nolit, që thoshte se:

– Në vendin tonë ka disa fe, por asnjëra prej tyre, nuk ka zënë vend në zemrën e një populli pagan.
Ikonostasi, i tillë është ndërtuar, si një anarki në rregull. Është mbushur me imazhe pagane e imazhe monoteiste, që jetojnë në harmoni sëbashku, pa i bërë karshillëk njera-tjetrës. Është gdhendur si një kopësht parajse, me një bimësi të dendur e të harlisur. Motivet floreale mbushur me gjethe, janë populluar me plot zogj, me pëllumba, me dragoj e qenie mitologjike. Këto gdhendje të mrekullueshme bëjnë sfond, si një mërmërimë kori “a-cappella”, ku mbi të shquhen zërat e bukur të ikonave, figurat e besimit kristian, të praruar me të arta! Të dy këto imazhe, rrinë jo në konflikt me njera tjetrën, ashtu sikurse është larg fanatizmit dhe vetë e vërteta e jetës.

Zoti që na paska bekuar dhe shqiptari që na paska mallkuar, tek ky objekt takohen. Fjalosen me njeri-tjetrin. Takohen aty ku është kufiri, ku ndahet dhoma e “shenjtë e të shenjtave” me dhomën e besimtarëve e profanëve kuriozë, prandaj dhe mjeshtëria aty është derdhur me tepëri!

Kur ta shfletojë këtë liber, ai “soj” shqiptari do të njihet me portat e bukura të bëra bukur!!! Do rrijë përpara tyre, nese shkon në kishë, qoftë edhe si kureshtar dhe do tundohet t’i shtyjë që të hyjë brenda. Pa dyshim që duke i soditur ato, do të pendohet për fjalet që ka thënë mendjelehtësisht. Do ta tërheqin mallkimin e do e kthejnë në mallëngjim!

Por libri nuk është botuar vetëm për ata që nuk njohin të bukurat e të mirat e shqiptarit, por për të gjithë ne!!!

Dy autorët e librit, z.Ylli Drishti dhe z.Andrea Llukani, janë të kujdesëshem, për të evituar kohën kur Shqipëria ra në kaos, kur disa nga këto kryevepra u vodhën, u sharruan, u coptuan e u shitën ku të mundnin. Humbën pa nam e nishan!!! Më e rënda është, se janë shitur jashtë kufijve, për të mos u kthyer më kurrë. Ishte një kohë e mbrapshtë, vit zero, kur këto perde druri u çanë, po njëlloj si në kohën kur u ça perdja prej cohe, në hyrjen e “Sanctum Sanctorum” të tempullit të Jerusalemit, në çastin kur Krishti dha shpirt.

Autoret kanë punuar një kohë shumë të gjatë, për ta ngjizur këtë vepër të vyer. Këtë material të madh e kanë gjurmuar kishë më kishë, në të gjitha trevat shqiptare. E kanë fotografuar, seleksionuar, renditur, përshkruar, analizuar për të na e sevirur ne. E kanë latuar me shumë kujdes, siç latohet një diamant, për ta bërë me dritë gurin e egër!!!

Dikur këta lloj studiuesish, mbledhës nektari, quheshin At Shtjefen Gjeçovi, Thimi Mitko, Rrok Xoisi apo Qemal Haxhihasani. Është i njejti stil pune, si tek shumë e shumë të tjerë, që mblodhën e bënë bashkë punët e mira a të bukura të shqiptarit në shekuj.

Ky libër do na japë mundësinë, që të ulur në dhomën e ngrohtë të shtëpisë, të shohim e të njohim fletë pas flete, dhomat e kishave, zbukuruar me këto perde të magjishme. Çdokush nga ne, do ta kishte të vështirë të bridhte e t’i gjurmonte anë e mbanë vendit këto objekte. Fare lehtë, ne i shijojmë, kënaqemi, ngazëllehemi dhe bëhemi dëshmitarë të ngjarjes, në sajë të këtij libri. Ardhja në jetë e një ikonostasi ishte ngjarja më e madhe për besimtarët e kishave dhe kishëzave dhe ky libër, me dëshminë e tij na bën të gjendemi në mes të asaj ngjarje, duke u mahnitur me magjinë e lindjes së një kryevepre!!!
Libri na jep mundësinë t’i afrohemi e të shohim detajet deri në detaj. Kjo do të ishte e pamundur në jetën reale.

I formuluar siç është, ka formatin e një enciklopedie. Materiali është sistemuar, renditur, pasuruar me planimetri dhe imazhe, me vendodhje, me kohëndodhje e shumë shpjegime të domosdoshme. Përvçse është një libër i çmuar në vetvete, është edhe një libër stafetë, sikurse janë të gjithë librat studimorë.
Vetë autorët, për të realizuar këtë vepër-kryevepër, janë mbështetur në shumë analiza dhe studime pararendëse nga hulumtues e studiues të tjerë, por ky që kemi në dorë sot ka një veçanti. Është një studim gati shterrues dhe i vetmi kaq i plotë në Shqipëri deri më sot!!!

Autoret janë treguar të kujdesëshëm që ta pajisin studimin me një bibliografi të pasur, si alibi për të rrëfyer se ku janë mbështetur dhe mëkuar për t’i dhënë jetë veprës së tyre. Bibliografija u jep mundesi dhe studiuesve të tjerë të njohin parardhesit e tyre që kanë hulumtuar në analizën e këtij objekti të çmuar. Gjithashtu, ata e kanë plotësuar edhe me një fjalorth shpjegues për dashamirësit që nuk njohin termat specifike.

Nuk më ngelet gjë tjetër, veçse të falenderoj z.Ylli Drishti dhe z.Andrea Llukani, për këtë vlerë të rrallë që po sjellin në bibliotekat tona!!!

Faleminderit!

Tirane 17 shtator 2024.

Homazh për martirin Karavaxhio!

Tek shfletoja një album me pikturat e fundit të Hasan Nallbanit, u ndala për një çast në një tablo me…

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.