Homazh për martirin Karavaxhio!

Tek shfletoja një album me pikturat e fundit të Hasan Nallbanit, u ndala për një çast në një tablo me titullin «Homazh Karavaxhios»…


Nga Luan Rama

Tek shfletoja një album me pikturat e fundit të Hasan Nallbanit, u ndala për një çast në një tablo me titullin «Homazh Karavaxhios»… Një tablo që nuk është në tonet apo mënyrën e pikturimit të piktorit të madh italian, por që në origjinalitetin e Nallbanit, n’a dëshmonte jo vetëm për admirimin e tij për këtë piktor, çka e gjen tek pothuaj gjithë piktorët tanë, por njëkohësisht n’a tregon nga larg një imazh tragjik të jetës apo vetë figurave të Karavaxhios, jetë që padyshim ka qenë një nga më tragjiket e piktorëve të botës. Dhe çuditërisht, në të njëjtën kohë, në Paris një ekspozitë është hapur me tablo të Karavaxhios (Caravaggio) gjatë periudhës së tij në Romë, kohë kur piktori i ri, që aq shumë afrohej me botën pikturale të Tizianos, ishte vendosur në krye të piktorëve më të mirë të asaj kohe dhe preferohej nga kardinalët, princët, ambasadorët dhe oborri i Vatikanit. Ishte i habitshëm ky pikëtakim me tablonë e Nallbanit, pasi në metro në një copë letër po shkruaja fundin e dhimbshëm të Karavaxhios, enigmën e zhdukjes së tij, vdekjen që ai nuk e imagjinonte se mund të ndodhte ashtu. Në jetë ka gjithnjë koinçidenca…

Vështroj tablonë e tij për Madalenën, të dashurën apo gruan e Jezusë siç thonin apokrifët dhe mendja më shkon tek gratë që ai pikturoi me aq hire e sensualitet, me aq drama dhe imazhe tragjike siç ishte Ursula, apo thjeshtë tek gratë e botës. E mrekullueshme të shohësh në realitet torsin nudo të një gruaje në gjysmë dritë e gjysmë hije, aty ku drita luan me hiret në përdëllimin e shpirtit dhe ku dehja është më shumë se dehje, humbja më shumë se humbja e reales, aq sa për një çast të duket se ke thjesht vegimin e një tabloje të Karavaxhios. Ja pse dhe në një gjendje të tillë mund të themi: «Ti je si një tablo e Karavaxhios!» Sepse tek Karavaxhio, (apo Michelangelo Merisi, siç ishte emri i tij i vërtetë), ndoshta më shumë se cilido piktor i botës pikturale, erotika në gjysmë errësirë, me elemente të dritës okër apo të bardhë, është në një perfeksion dhe origjinalitet të jashtëzakonshëm, aq sa thjesht me një vështrim, çdo kush, midis qindra tablove të piktorëve të tjerë të Rilindjes europiane do ta kuptonte se kemi të bëjmë me penelin e Karavaxhios, me gjeninë e tij. Eshtë dritë-hija, ajo që zbulon hiret e trupit, duke vënë në plan të parë erotizmin «korporal», njeriun, apo atë ç’ka shpreh dëshira e vetë trupit njerëzor. Dhe kështu, ballë një skene të tillë, nuk je vetëm «ti» dhe «ajo», por aty, në atë kërleshje, është dhe vetë piktori në gjendjen sensuale të tij. Përse nuk themi se kështu ndodh dhe me një Rembrandt, me një Rubens, Van Dyck, etj. Edhe pse afrohet me Rembrandt, kur pikturon trupin femëror, Karavaxhio është në një tjetër regjistër, në atë të dëshirës dhe ekstazës, dhe kjo jo vetëm tek Madalena por dhe tablo të tjera, ç’ka tregon se shpesh herë, në porositë për figura të ndryshme, klerikët e mëdhenj apo princat e principatave italiane ia kthenin ose i mbanin disi të fshehura që të mos tregonin në publik erotikën e trupit. Kështu, kardinali Farneze nuk e kishte pranuar tablonë «Shën Mateu dhe ëngjëlli», ndërkohë që markezi Giustiniani e mbulonte me perde tablonë e tij «Amour vainquer».

Në Romën e prostitutave dhe të kardinalëve

Vajtja në Romë në vitin 1592 do të ishte vendimtare në jetën dhe krijimtarinë e këtij artisti. Sigurisht, fillimet e para ishin të vështira. Për mungesë parash atij iu desh të strehohej dhe të flinte në një azil të qytetit, që ishte një ndërtesë e vjetër ku ishin strehuar të lypësa, të sëmurë, kriminelë, prostituta e mashtrues të të gjithë llojeve, fytyrat e të cilëve do ti ndeshim më vonë në tablotë e tij. Por njohja me kardinalin Federico Barromeo, amator i arteve, në vilën e të cilit më parë kishte qenë Brueghel i Hollandës e po ashtu dhe Rubens, do ta bënte të njohur artin e tij. Dhe shumë shpejt kardinali do të bëhej gjithashtu dhe mbrojtës i Merisit. Një vit më vonë, më 1593, ai punësohet në atelierin e piktorit Gramatica duke bërë kopje veprash të ndryshme për klientët e tij, për udhëtarë dhe fisnikë të qytetit që zbukuronin vilat e tyre, kardinalë e njerëz të Vatikanit. Madje nis të pikturojë edhe “nature morte”, siç kemi dhe një nga tablotë më të bukura të tij në këtë gjini “Shportë me fruta”. Madje frutat, ai i vendos si dekoracione dhe në tablotë e njohura si Djaloshi i kafshuar nga një hardhucë, Djaloshi që qëron një dardhë apo Baku i vogël i sëmurë. Disa herë ndërron banesë në rrugë e lagje të ndryshme të Romës dhe një ditë goditet nga një kalë, për çka detyrohet të qëndrojë disa kohë në spitalin Ospedale della Consolazione. Më pas hyri në atelierin e kavalierit Arpin, një mjeshtër i vërtetë në picture kavaleti, ku gjatë tetë muajve pikturoi «nature morte», shporta me lule, etj.
Karavaxhio jetoi në shekullin kur në vitin 1519 kishte vdekur Leonardo, kur më 1520 vdiq Rafaelo, më 1564 Mikelanxhelo Buonaroti… Tiziano vdiq në vitin 1576 dhe kur Merisi ishte 24 vjeç vdiq dhe Tintoretto. Veroneze i madh ishte ende gjallë. Tashmë emri i Karavaxhios, birit të një muratori të thjeshtë (muratore, siç shkruhet në një nga dokumentet e kohës) të lindur në Caravaggio më 1571, jo larg Milanos, ishte bërë i njohur. Që në fëmijëri, me vdekjen e atit të tij, (i cili më pas do të bëhej një tregëtar verërash) shpejt do të mbetej jetim. Vitet e para i kaloi në paruazën Santa Maria alla Passarella të Milanos, por meqë ra murtaja, familja e tij u zhvendos në Caravaggio. Mësimet e para të pikturës i mori në atelierin e piktorit Simone Peterzano por më pas një ndikim të veçantë do të kishin tek ai piktorët Lorenzo Lotto, Mantegna apo Giorgione. E padyshim, shumë shpejt ky piktor gjenial do të renditej ndër pasuesit më të denjë të gjenive të shkollës italiane, kohë kur ai depërtonte gjithnjë e më shumë në ngjyrën e zezë, në intonacionet dhe botën kromatike të saj, në mpleksjet gjithnjë e më origjinale me të kuqe, të verdhën, me okrën dhe blunë, ku ngjyra mbi telajo merrte një dinamikë të çuditshme, gjithnjë në një lëvizje të brendëshme emocionale. Ja pse kritiku i kohës Francesco Algarotti do ta cilësonte më pas “Rembrandi i Italisë”.

Në fakt, që 17-18 vjeç ai kishte nisur të spikaste me gjeninë e tij. Por djaloshi nga fshati Caravaggio, që u ndikua shumë nga shkolla e famshme e pikturës veneciane, ishte një njeri impulsiv dhe me temperament të fortë, tepër i ndjeshëm si ndaj dashurisë ashtu dhe ndaj shoqërisë, pasi atëherë ishte koha e betejave kalorsiake, koha e kondotierëve dhe stradiotëve dhe kur të rinjtë mbanin me vete armë. Ai vazhdon të pikturojë me një ritëm të jashtëzakonshëm dhe të gjithë duan të blejnë tablotë e tij të përmasave të mëdha. Në Romë pikturoi dy tablo për jetën e Shën Meteut për shapelën Contarelle të kishës Saint-Louis-des-Français, të komunitetit francez të Romës. Baglione, biografi i Merisit, shkruante në ato kohë dhe për një tablo tjetër të mjeshtrit, “Djaloshi me mandolinë” si një “tablo tepër të gjallë e tepër të vërtetë, me një kanë me ujë, në të cilën reflektohen dritarja dhe detaje të dhomës, ku mbi lule spikasin pika vese, përçka piktori vetë thoshte se “është një nga tablotë që nuk është pikturuar ndonjëherë.” Kur priftërinjtë panë një nga tablotë e sapo përfunduar për Shën Mateun, ata nuk e pëlqyen shenjtin e tyre të ulur në një karrige, me këmbë të kryqëzuara dhe shputat e ekspozuara përpara, disi të deformuara. Ata e hoqën shpejt nga muri sepse “figura e shenjtit nuk kishte pamjen e një shenjti” dhe se tabloja “ishte një figurë jo e denjë”. Por dy tablo të Karavaxhios si “Shën Mateu dhe ëngjëlli” versioni parë, dhe portreti i kurtizanes Phylis, që ishin në muzeun Kaiser Friedrich Museum” u zhdukën gjatë bombardimit të focave aleate në vitin 1945.

Gjate kohës së qëndrimit në Romë pikturat e tij sollën për mjedisin artistik diçka të re, tepër origjinale, madje turbulluese, shqetësuese dhe disi të vrazhdë, ndryshe nga tablotë e piktorëve bashkëkohës. Një morfologji e re e trupit, e formave trupore, larg performancës së atëhershme të trupit të vizatuar në mënyrë realiste e perfekte, duke na u shfaqur si trupa që klithin. Kontrastet e të zezës dhe dritës në tablotë e tij ishin tronditëse dhe të fuqishme, ç’ka tregonin për një energji krijuese jo të zakontë dhe një përzgjedhje tepër personale si në mizanskenë (kompozime dramatike) ashtu dhe në trajtimet e figurave, ku personazhet vihen në pozicione jo të zakonshme, apo të veshur keq, siç ishte rasti i tablosë së Shën Anës, ku Virgjerësha është veshur me rrobën e një gruaje si ato të lavanderive të Romës. Figurat e shenjta Karavaxhio kishte tendencën ti kthente në figura njerëzore, ti humanizonte ashtu siç kishin qenë në jetën e tyre të mëparshme dhe jo të shkëputur nga jeta e popullit. Por kjo shpesh binte ndesh e kanonet dhe dogmat e Kishës, çka artistit do ti sillnin shumë probleme. E megjithatë arti i tij arrinte të triumfonte. Kur ishin të tilla, tablotë e tij mbaheshin disi fshehur dhe jo në sy të publikut. Tek Vdekja e Virgjëreshës (që ndodhet në muzeun e Luvrit), Virgjëresha është me një trup disi të fryrë (vallë shtatzënë?) dhe me këmbë të hapura… Madje dikush e akuzoi se në një nga figurat kishte dalluar fytyrën e një kurtizaneje. Atëherë ishte e vërtetë që ai i frekuentonte shumë prostitutat dhe kurtizanet e fisme. Madje ndodhi që disa kurtizane ta akuzonin se ai i kërcënonte. Sigurisht, Karavaxhios i duhej të luftonte si kundër çenzurës kishtare ashtu dhe për tu mbrojtur nga akuzat e shumta, meqë në Romë ai bënte një jetë aventurieri dhe të zhurmëshme. Grindjet e tij janë të njohura tashmë nga kronikat e kohës, siç ishin ato në «Osteria del Moro» kur i hodhi dikujt pjatën e gjellës në fytyrë; kur me një grup shokësh, kishte shkuar poshtë shtëpisë së një robaqepësi duke i bërë serenatë me mandolinë gruas së tij; kur qytetari Gerolamo Spampa e akuzonte në gjykatë se e kishte qëlluar me shpatë apo kur kishte qëlluar me gurë patrullën e rojeve të qytetit në shkallët e Trinita dei Monti. Më 28 maj të vitit 1606, bashkë me miqtë e tij, ata u përleshën me qytetarë të tjerë për hir të kurtizanes Fillide. Madje një tjetêr dêshmon se i kishte mjekuar plagêt kur ai ishte zënê me armë me njerêz ê tjerë.

Në këtë kohë ai pikturoi rreth 20 portrete të ndryshme por veç 2-3 njihen me saktësi. Më 1602 Karavaxhio përfundoi tablonë “Arrestimi i Krishtit”, një nga tablotë më të fuqishme të tij, e konceptuar nga piktori me një vështrim nga lart, ku Juda i është afruar Juzesëta përqafojë rrethuar nga ushtarët me helmeta dhe veshje të zeza, ku në qendër spikasin ekspresionet e forta të fytyrave dhe ku për nga dinamizmi i figurave të ngjan se je në një skenë filmi. Kjo tablo gjatë shekullit XVIII u zhduk, por një kopje e saj u gjet më së fundi në vitin 1943 dhe kjo rastësisht. Tabloja mbahej se vepër e një piktori hollandez, por një restaurator italian i pikturave e zbuloi rastësisht në Irlandë dhe më në fund bota njohu emrin e autorit të vërtetë: Michelangelo Merisi. Eshtë një tablo ku ai ka vendosur dhe fytyrën e tij tek personazhi në të djathtë të tablosë me fener në dorë ndriçon skenën me dritën e dobët të një kandili. Një skenë dramatike, e përjetuar fort nga piktori, një skenë e trazuar, ku Krishti hyn me sytë e ulur dhe duart e xhveshura… Po në Romë ai pikturoi tablonë tjetër të famshme të tij «Vendosja e Jezusë në varr», një tablo e madhe në dimensionet 300cmx203cm për shapelën e familjes Vittrice në kishën Chiesa Nuova, ku ajo qëndroi gjatë dy shekujve e më pas do të përfundonte në muzeun e Vatikanit. Buonaparti e mori në vitin 1797 gjatë «Fushatës së Italisë», por Franca do ta kthente atë pas humbjes së Napoleonit, më 1815. Përsëri një skenë dramatike me Jezunë e shtrirë në qendër të tablosë, duke u mbajtur nga Gjoni e Nikodem rrethuar nga tre gratë, secila në gjendjen e vet dramatike, mes të cilave Virgjëresha dhe Madalena. Ky ishte piktori idealist siç e cilêsonte kritiku i kohês, veneciani Algarotti nê «Saggio della pittura», «piktori i ngjashêm me poetin që përmes talentit n’a i paraqet objektet në atê perfeksion duke i qendruar besnik universales dhe arketipit…»

Më 29 maj të vitit 1606, kur sapo kishte mbaruar tablonë «Vdekja e Virgjëreshës» për kapelën «Cherubini» të kishës Santa Maria della Scala, gjatë një zenke, një fisnik i qytetit, Ranuccio Tomasoni e plagosi dhe në përleshje e sipër Karavaxhio e vrau. Dënimi me vdekje u dha në 16 korrik, por Karavaxhio ishte zhdukur. Që nga ky çast do të fillojë kalvari i Karavaxhios, kohë kur ditën punonte fshehurazi në atelier dhe natën dilte me shpatën në brez gati për tu ndeshur me familjarët e Tomasonit që e kishin akuzuar për vrasje. Kështu ai u fsheh në shtëpinë e dukës Muza Sforza Colona, në Paliano, 60 kilometra larg Romës. Kur ndodhi zënka e madhe, kardinali Scipione Borghese, një njeri cinik, siç përshkruhet nga kronikanët e kohës, meqë donte ti merrte tablotë që kishte Karavaxhio në atelierin e tij, fshehurazi i vendosi armë në dhomën e tij, të cilat u përdorën si fakte për dënimin e artistit. Kardinali mendonte që kështu, meqë ai do ti kërkonte ndihmë që ta shpëtonte nga policia, atëherë Karavaxhio do ti falte disa nga tablotë. Dhe ndodhi që katër tablo, sipas një akti noterial të nënshkruar më 30 korrik 1607, do të përfundonin në shtëpinë e kardinalit. E megjithatë, kur Karavaxhio gjykohej për vrasjen e Tomassonit, kardinali ndërhyri fshehurazi tek gjyqtarët ata që ta dënonin pa mëshirë, pasi kështu, meqë ai do të ndërhynte tek Papa që ta falte, do të arrinte të fuste në dorë dhe tablo të tjera të artistit, deri tek tabloja e famshme “Davidi me kokën e Goliatit”.

Dhe kështu do të ndodhte: shpejt atë do ta burgosin, por do ishte ndërhyrja e ambasadorit francez në Romë që do ta shpëtonte, duke gjetur strehë në familjen princore të Sforza Colona, familje e cila ishte me influencë në Romë dhe veçanërisht në Vatikan, një familjee që do ta ndihmonte gjer në fund të jetës së tij. Më pas njihet kalvari i tij në Gjenova, Mesina, Maltë, ku u bë «Kalorës i urdhërit» (dhe më pas ky titull iu hoq nga Mjeshtri i Madh i Urdhërit), apo në Napoli, vite ku piktori jetoi me makthin e vdekjes, makth që shfaqet dhe në veprat e kësaj kohe. Kur ishte në Gjenova ai u fsheh dhe u strehua për disa kohë në Republikën ligure, ku punoi një afresk të mrekullueshëm që e kishte shumë për zemër: «Martiri i Shën Ursulës», të cilën ia kërkoi princi Doria në kujtim të mbesës së tij që ishte futur në një kuvend. Dhe ai e pikturoi atë legjendë, fytyrën e asaj gruaje të re, Ursulës, që nuk kishte pranuar të martohej me shefin e Hunëve dhe që për tu hakmarrë ata e kishte qëlluar me shigjeta bashkë me 11 virgjëresha të tjera që e shoqëronin atë…

Karavaxhio pikturonte dhe në gjendjet e situatat më të vështira, atëherë kur ndonjë tjetër piktor nuk do të mund të krijonte. Peneli dhe kavaleti ishin prehja e shpirtit të tij, ishin lutja e tij e shpëtimit. Kur Davidi priste kokën e Goliatit, padyshim ai shikonte kokën e tij të përgjakur… Kështu kishte ndodhur dhe me tablonë e tij “Prerja e kokës e Gjon Pagëzorit» të pikturuar në Napoli, sipas tregimit të Shën Markut në ungjillin e tij: “Një ditë, për ditëlindjen e tij, Herodi shtroi një darkë duke ftuar miqtë e tij të shquar dhe fisnikët e Galileut. Vajza e Herodiadës po kërcente dhe Herodi si dhe miqtë e pëlqyen shumë kërcimin e saj. Atëherë mbreti Herod i tha: «Kërkomë ç’të duash dhe unë do ta jap, madje dhe gjysmën e mbretërisë po të ma kërkosh!». Ajo doli dhe pyeti të ëmën: «Çfarë ti kërkoj? Dhe ajo i tha:«Kokën e prerë të Gjon Pagëzorit!» Dhe vajza menjëherë shkoi dhe i tha mbretit: «Dua që tani të më sjellin në pjatë kokën e Gjon Pagëzorit!» Kur e dëgjoi mbreti u trishtua por meqë kishte dhënë fjalën nuk mund të mos e zbatonte. Ai dërgoi rojen e tij ti sillnin kokën e Pagëzorit. Dhe roja shkoi, i preu kokën duke e sjellë në një pjatë, të cilën ia dha vajzës dhe vajza nënës së saj!…»
E vështron gjatë këtë tablo dhe veç mrekullimit ndaj kompozimit dhe pikturimit të figurave, ndjen se si brenda figurës pulson gjithashtu dhimbja e vetë piktorit nën kërcënimin e linçimit të vazhdueshëm të dënimit me vdekje. Ishte vetë trazimi dhe ankthi i madh i artistit për ekzistencën e tij, ishte zhgjëndra e tij. Vallë ka pikturuar veten e tij, edhe pse në një temë biblike? A nuk shkruante një nga biografët e tij, Gérard-Julien Salvy se “shpesh ai pikturonte portretin e tij apo trupin e tij në të gjitha vuajtjet që ai mbarte”?

Edhe në Valetta, në Maltë, ku punoi disa tablo të mrekullueshme, mes të cilave dhe një portret të Mjeshtrit të Madh të Urdhërit të Maltës, meqë u zu me ushtarët e kështjellët atë e arrestuan dhe e burgosën në një nga torrat e kështjellës. Tashmë dihej që ishte një i dënuar me vdekje. Por dhe andej, ishte prokurori i burgjeve, një mik i familjes Colona, ai që do ta ndihmonte të ikte me një barkë gjatë natës drejt Siqelisë dhe Mesinës. Ishte gushti i vitit 1608. Por pas disa muajsh më së fundi një lajm i mirë i erdhi nga djali i princit të Mantovës; s Papa kishte pranuar ta falte dhe ai mendonte se tashmë edhe pse mund të përballej ndoshta me armiqtë e tij që e ndiqnin, me vetë vdekjen, duhej nxituar të shkonte në Romë.

Si mund të vdesësh tani?

Hipur në një anije të thjeshtë, ku kishte ngarkuar dhe disa nga tablotë më të shtrenjta të tij, mbështjellë në «rulo», ai ishte nisur. Por fati i keq do ta ndiqte pas. Kësaj rradhe nuk ishin armiqtë e familjes të Tomassonit që kishte vrarë, as mercenarët e “Urdhërit të Maltës” që e kishin ndjekur ngado. Rastësisht e kishin kapur në Palo, një port jo larg Romës dhe e kishin futur në burgun e një garnizoni ushtarak. Meqë komandanti i garnizonit nuk e dinte urdhëresën e mëparshme të Papës ku duheshin lidhur të gjithë ata që kishin bërë krime ishin dënuar, ata e liruan përmes një shume parash që Karavaxhio nuk hezitoi t’ua jepte. Por kur shkoi buzë detit, në port, anija e vogël kishte ikur bashkë me pikturat e tij. Ku vallë kishte shkuar? Vallë tek Constanza e familjes Colona në Napoli, apo kishin humbur tashmë në thellësinë e atij deti të tërbuar dhe që s’do ti shihte më? Atëherë, me një barkë të vogël, në kulmin e dëshpërimit ai u nis drejt Porto Ercole rreth njëqind kilometra larg. Det me dallgë dhe një shpirt plot dhimbje. Gjithë bota i vinte rrotull. Imazhe të çuditëshme, makthe, faltore, sikur do të nisej për në perandorinë e Hades, atë të vdekjes. Ndjente sytë ti mbylleshin: qepalla të rëndë, buzë të thara, etje dhe një përhumbje forcash që kurrë nuk e kishte ndjerë dhe në përndjekjet më të mëdha. Ku shkonte kështu, në ç’udhë? Hera-herës veten e shikonte duke hedhur hapat në kalldrëmin e sheshit të Shën Pjetrit. Çudi, një heshtje e jashtëzakonshme mbizotëronte aty. Tashmë as stuhia e detit që po afrohej nuk dëgjohej më, as gjëmimet e largëta të qiellit, as ehot e erës që po fillonte. Ishte bota që donte të pushonte, të prehej, të flinte, duke pritur të nesërmen. Dhe drita e kësaj bote përhumbej kështu në terrin e madh të syve. Duhej patjetër të kishte marrë “Madalenën”, tablonë më të dashur të tij, ekstazën e dashurisë së mëkatares për Jezunë. Do t’ia dhuronte Papës për faljen e tij. Po Papa vallë, a do ta pranonte, a do ta shihte vallë atë përgjërim, etje, sensualitet e dëshirë si një sakrilegj? Megjithatë ishte i bindur se vetëm atje mund të qëndronte tabloja e tij…
Ishte mesi i muajit korrik dhe një diell i nxehtë e kishte lodhur gjatë gjithë atij udhëtimi herë me barka e herë me këmbë gjatë bregdetit. Shumë herë trupi i tij shembej dhe në atë jerm të vazhdueshëm, ai shikonte ndoshta frutat e tablove të tij, atëherë kur në Romë punoi si «piktor i frutave»… Ende e ndjente aromën e tyre, atë të atelierit të tij, ngjizjen e atyre ngjyrave që i rikrijonte në kuadrin e një telajo… shporta me fruta, adoleshentë dhe fruta, hire mashkullore, ç’mrekulli e botës brenda një pikture. Por ah, shpesh humbte në dhimbjen e madhe të përpjekjes për të mbijetuar, gjersa më së fundi çdo zhurmë përreth pushoi… dhe flladi, ai fllad që çuditërisht sapo kishte filluar buzë detit.
Askush deri para disa dhjetra vitesh nuk e dinte se si kishte vdekur piktori i madh, i cili siç thonë dokumentat, ishte shtruar në spitalin e Porto Ercole dhe më 18 korrik 1610 kishte vdekur si një njeri i rrugëve, pa mundur tu thoshte se ai ishte një piktor i madh dhe se duhej të shkonte tek Papa. Trupi i atij burri të panjohur 39 vjeçar (sa afër ky fund tragjik me atë të një Mozart) u hodh në një gropë të njerëzve të varfër dhe të braktisur. Asnjë meshë për të, asnjë elozh funebër, as dhe një gur varri me emrin e tij. Që nga ajo kohë historianët e artit u interesuan për talotë e tij që hynë në historinë e madhe të artit botëror, për ato tablo e skena tragjike të shumta, me vështrime nga poshtë lart apo lart-poshtë, si të ishte një regjisor teatri, ku brenda atmosferës të së zezës, ai vendoste personazhe në një mënyrë të re, ndryshe nga pararendësit e tij. Gjithçka ishte e dhunshme: drita, forca e personazheve, kokat e prera, apo ajo meduzë e tmerrshme si një referencë e vetvetes dhe e mitologjisë. Sensualitet, kompozicione skenike, frikë, dhunë dhe shumë gëzim njëkohësisht.

Pas supozimesh të ndryshme enigma e vdekjes së tij u zgjidh vetëm pas vitit 2009 kur «Komiteti Caravaggio» bëri kërkime në varrezat e vjetra të Porto Ercole dhe përmes analizave karbon të ADN-së, një vit më vonë njoftoi se në grupin 5 të kockave të mbledhura, disa eshtra në masën 85% korrespondonin me ato të Karavaxhios të vdekur katër shekuj më parë. Dhe shkaku i vdekjes së tij kishte qenë thjeshtë sifilisi dhe lodhja e madhe nga dielli i fortë. Kështu u mbyll historia e një piktori që u përndoq aq tepër nga armiqtë e shumtë të tij dhe që krijoi një nga afresket me të fuqishme të pikturës botërore përmes tablove «Madalena në ekstazë», «Davidi dhe koka e Goliatit», «Madona e Loretos», «Shtatë veprat e mëshirës», «Triumfi i dashurisë», “Judita pret kokën e Holofernës”, “Zbritja e Jezusë në varr”, «Shën Zherom», «Shën Gjon Pagëzorit», etj. Por siç ka ndodhur me disa nga gjenitë e artit, jo rrallë veprat e tyre janë kopjuar për tu shitur në emër të veprave të tyre dhe kjo ka ndodhur dhe me «Madalenën në ekstazë» të cilën e pikturoi më 1606, pas vrasjes së Tomasonit, kur gjeti strehë brenda mureve të shtëpisë Colona dhe ku historianët e artit kanë identifikuar 18 tablo të tilla, të cilat nëpër kohra janë mbajtur si variante të Karavaxhios. Por më 2014, Mina Gregori, një eksperte italiane dhe njohëse e Karavaxhios, në një koleksion privat gjeti një «Madalenë në ekstazë» (106cm x 91cm) dhe pas studimeve të hollësishme të mënyrës së pikturimit, përbërjes së ngjyrës, rrudhave në këmishën e saj që janë bërë gjatë kalimit të furçës, toneve të ndryshme të trupit, intensitetit të fytyrës, duart në tone të zbehta, hija gjysmë e errët e gishtërinjve dhe valëzimi i ngjyrave të dritës, ekspertët kanë dalluar tiparet spikatëse të veprës së Karavaxhios, duke arritur në konkluzionin se pikërisht kjo tablo ishte origjinalja e piktorit të madh.

Lexo më shumë nga

“Këshillat e BliArt” – 3 Strategji të shpejta për shitjen e veprave

3 Strategji: Shitje direkt te klienti - Bashkëpunim me Galeritë - Ekspozitë personale ose kolektive

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.