Skulptori i mesazheve të mëdha!

Një karakteristikë dhe kërkesë e vazhdueshme e krijimtarisë së skulptorit të mirënjohur, Maksim Bushi


Nga Agim Janina

Njerëzimi, në të gjitha fushat e dijes e të kulturës, nga lashtësia e deri në kohët e sotme, ka krijuar e ngritur shumë idhuj.

tokësorë dhe hyjnorë, të ndërthurur në mite, trillime letrare e legjenda. Si gurë kilometrikë apo fanarë në oqeanin e madh të historisë dëshmojnë e tregojnë rrugëtimin e njerëzimit në tallazet e jetës, por edhe shikon vetveten.

Ndërmjet tyre një i veçantë me peshë të rëndë, një kinse fëmijë (burattino) i quajtur Pinokio, nisur si një përrallë “na ishte një herë…”, por që mori jetë dhe nga trung druri, duke u gdhendur nga Geppetto, u kthye në një djalë të vogël. I përshkruar si “Pinocchio është në thelb i mirë, miqësor, i ndjeshëm, i sinqertë, fëmijëror, naiv, kurioz, i pafajshëm dhe zemërmirë, por shpesh bie në tundimin për t’u tërhequr në shoqëri të keqe dhe, nëse i kërkohet shpjegime, është i prirur të gënjejë. Për shkak të këtyre karakteristikave ai shpesh gjendet në telashe, nga të cilat megjithatë arrin t’ia dalë gjithmonë, ndonëse me shumë vështirësi”.

Aventurat e jetës së tij pushtuan zemrat e miliona lexuesve në të gjithë botën. I janë kushtuar monumente, piktura e skulptura, parqe e shatërvanë, filma, edhe në versionin Disney, shoqata me emrin e tij etj., ç’ka përbëjnë një histori më vete.

Lindur nga letërsia prej fantazisë së shkrimtarit italian Carlo Collodi figura e Pinokut jetësohet në çdo kohë, nga se nga veprat e mëdha përftojmë ide të reja, të cilat edhe pse e kanë burimin nga ato, i tejkalojnë, ndaj dhe shpesh u rikthehemi, duke nxjerrë vlera apo ide të reja. Shumë artistë u janë kthyer duke i rijetësuar në një formë të re e të njëmendtë.

Përpara kësaj figure ikonografike kaq shumë të trajtuar, skulptori Maksim Bushi nuk tutet, mbështetet mbi të dhe ndërton një kompozim krejt të njëmendtë me vlera artistike dhe me një mesazh të madh. Modelon në baltë dhe e kthen në terrakotë kompozimin.

Ndërmarrja kërkon guxim, nga se figura e heroit të vogël, kaq shumë e mirënjohur, duhet të dalë përtej një pasqyrimi rrëfimtar, ndaj skulptori, si mantel domethënës, i vesh mesazhin që do t’i përcjellë shikuesit, një mesazh të ri, duke e ngritur në një simbolikë përgjithësuese dhe gjithë kohore. Pinoku del përtej asaj që shfaq në dukjen e tij. Autori ka zgjedhur një ndodhi të protagonistit, kur ai është ulur pranë zjarrit dhe po i digjen këmbët prej druri. Titulli vjen domethënës “Vetmohim”, paraqitur në ekspozitën “PranverArt 2015”.

Keqardhja është përtej Pinokut. Personazhi i paraqitur nuk është thjesht një fëmi apo një jetë njerëzore, por shpreh një botë të trazuar nga konfliktet, luftrat, armiqësitë, pandemitë, që gjithnjë e më shumë po i zihet fryma nga zmogu dhe ngrohja globale, nën kërcënimin e shkatërrimit bërthamor.

Ndaj keqardhja kthehet në revoltë me thirrjen tashmë shekullore, ç’po i bëjmë ne njerëzit botës sonë, aq të bukur e madhështore, aq jetëdhënëse, aq të vetme në pafundësinë e Gjithësisë!

Si Pinoku që nuk ndjen djegien, ne po i vemë zjarrin vetes për t’u “ngrohur” në një vetmohim shkatërues e shfarosës!

Pinoku i ndërtuar në mënyrë mjeshtërore me një plastikë materializuese, ku format e volumet në silueta të bukura, në gjetjen e goditur, të befason e të bën ta kundrosh gjatë duke të futur në mendime.

E ke vështirë të besosh se është modeluar në baltë dhe jo në dru, aq real dhe të vërtetë e ndërton skulptori dhe nga ana tjetër mesazhi. që përcjell tejkalon kufijtë e vendit me vlerë universale, karakteristikë dhe kërkesë e vazhdueshme e krijimtarisë së skulptorit Maksim Bushi. Vepra mbart një sens ironiko – sarkastik, ç’ka skulptori e ka të brendshme si shprehje të formës plastike dhe në këtë rast për të shndërruar fjalën në formë, volum e siluetë gjithnjë me pikënisje mbresën që merr nga fjala e shkruar.

Modelimi skrupuloz i prushit në këmbët e djegura dhe gjetja e flakëve të zjarrin me anë të ndriçimit si element shoqërues, ideuar e krijuar me shumë mençuri japin efekte mbizotëronte në rritjen e dramacitetit të kompozimit.

Skulptori Pinokion e jep të afërt e të gjallë, një fëmijë që nuk e ndesh në rrugë por e ke përballë të afërt dhe të detyron të bashkëbisedosh në heshtje, nuk të fton të afrohesh, por të marrësh pjesë në heshtje në vetmohimin e tij, sepse ai je ti, jemi ne, është tragjedia botërore e vetmohimit si shkatërrim.

Vepra fare mirë mund të rri në ndonjë muze, shesh apo park, ashtu si vepra të tjera të tij që i ka ekspozuar në vite, por që rrinë e presin në studio që dikush të kujtohet për to…

Lexo më shumë nga

Ksenofon Dilo, “kubisti” shqiptar!

Tashmë 93 vjeç. Një karrierë e gjatë artistike, e shoqëruar me një krijimtari të bollshme.

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.