Ikonostaset e Kishave “Shën Stefani” në Dhërmi dhe “Shën Thanasi” në Peca

”IKONOSTASET E SHQIPËRISE” (Pjesa 2): Shkëputur nga libri i bashkautorëve Andrea Llukani dhe Ylli Drishti


Më 23 dhjetor 2024, në sallën “Aleks Buda” në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në Tiranë u përurua libri i dy bashkautorëve Andrea Llukani dhe Ylli Drishti me titull: ”IKONOSTASET E SHQIPËRISE”.

IKONOSTASI I KISHËS “SHËN STEFANI”
DHËRMI, VLORË, SHEK. XIII

Ikonografë Mihali dhe Kostandini
Kisha  “Shën Stefani”, Dhërmi, Himarë
Shek.  XIII
Ikonostas prej muri i pikturuar
Përmasat: 365 cm x 200 cm

Kisha “Shën Stefani” është në juglindje të Dhërmiut. Fillimisht ka qenë një bazilikë trinefëshe, mbi rrënojat e së cilës është ndërtuar paraklisi i sotëm, i cili ka përmasat 21×10 metra. Paraklisi u ngrit duke përdorur pjesë të apsidës së vjetër. Pjesa që ruhet nga kisha e vjetër përbëhet nga muri lindor dhe apsida gjysmëcilindrike. Muratura e apsidës është me gurë lumi të lidhur me llaç gëlqereje. Nëpër fugaturat ndërmjet gurëve gjenden edhe copa tjegullash. Duke u nisur nga struktura e ndërtimit të mureve kjo kishë është ndërtuar gjatë shekujve XI-XII[1].

Mbishkrimi pa datë, që gjendet në ikonostasin prej muri të kishës, na bën me dije se afresket janë pikturuar prej Mihalit dhe Kostandinit[2]: Ιστορίθη ό θείος ούτος καί ίερος ναός είς ονώματη τού άγιου Στε / φάνου Προτομάρτυρος καί έπιστάτη συνδρομητής κύριος Πάνο χιομάρα. / Ιστορίυη διά χειρώς Μηχαήλ καί Κωνστα(ντίνου) τού αγίου Βελ(λ)άς…..”U pikturua ky tempull hyjnor dhe i hirshëm në emër të shën Stefanit, dëshmorit të parë dhe me kujdesin e kontribuesit, zotit Pano Gjomara. U pikturua me dorën e Mihalit dhe të Kostandinit nga eparkia e shenjtit të Vellasë”[3].

Ikonostasi i kishës “Shën Stefani” në Dhërmi ka dy dyer me hark sipër. Është i pikturuar me afresk rreth 3 m2. Dyert mbarojnë sipër me hark dhe kanë përmasat: dera kryesore 65 x 168 cm dhe dera veriore 67 x 168 cm. Dera kryesore sipër harkut ka të pikturuara motive floreale dhe më lart, brenda një kuadrati është një mbishkrim.

Pamja e ikonostasit nga pjesa e përparme: Ikonostasi ka dy breza: Brezi i parë poshtë ka lartësinë 100 cm dhe nuk ka pikturë, ndërsa brezi i dytë me ikonat e mëdha (në afresk) e ka lartësinë 90 cm. Djathtas derës kryesore është pikturuar “Krishti në fron” me përmasat 65 x 90 cm. Majtas derës kryesore është pikturuar “Shën Maria me Krishtin në fron” me përmasat 65 x 90 cm. Të dy fronat, ku janë ulur Maria dhe Krishti, kanë mbështetëse të lartë dhe të njëjtë. Në anën e majtë të Krishtit është pikturuar “Shën Joan Pagëzori”. Në dorën e tij të majtë mban kokën e prerë dhe një pergamenë dhe me dorën e djathtë ai bekon. Mbi shpinë ka dy flatra, të cilat zbresin poshtë deri afër belit. Anash derës veriore (pranë murit) është pikturuar “Shën Stefani” në këmbë me përmasat 65 x 90 cm. Në njerën dorë mban Ungjillin, ndërsa në dorën tjetër mban një temjanicë . Duke u nisur nga analiza e afreskeve, arrijmë në përfundimin se ata janë pikturuar në dekadat e para të shekullit XIII. Kisha “Shën Stefani” është shpallur monument kulture në vitin 1963.

[1]-Aleksandër Meksi, Arkitektura e kishave në Shqipëri, Uegen, Tiranë, 2004, faqe 155.

[2]-Mihali dhe Kostandini bëjnë pjesë te piktorët nga atelieja e Fjonjatit. Fjonjati është një fshat i vogël në komunën e Konicës. Disa prej ikonografëve fjonjatë janë: Mihali, Gjergji dhe i biri, Ziko, vëllezërit Ziko, Jani, Nikolla, Matheu dhe Kostandini, Dhimitri i Nikollës, Anastas Mihali, Mihal dhe Kostandin Zografi, Vasil Fili etj. Ata kanë pikturuar disa kisha të Shqipërisë, si: kishën “Shën Mëria” të Leusës në vitin 1812; kishën e manastirit “Shën Triadha” në Kardhikaq më 1827; kishën “Shën Ilia” në Bual më 1850; kishën e manastirit “Shën Theodhorët” në Dhërmi më 1882; kishën “Gjon Pagëzori” në Vuno, më 1883; kishën “Shën Thanasi” në Buzëmadh të Mallakastrës më 1897; kishën “Joan Pararendësi” në Drenovë etj. Ikonografët fjonjatë i kanë nënshkruar punët e tyre me mënyra të ndryshme, duke e lidhur me vendin e origjinës: απο χοριον Χιοναδες Επαρχιας / Βελλας εκ Κονιτσης “Nga katundi Fjonjati, eparkia e Vellasë nga Konica”. Andrea Llukani, Ikonografët fjonjatë, Pelegrin, Nr.31-32, Athinë, 2019, faqe 263-264.

[3]-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, nr. 905, faqe 325.

4 -Shënime të mbajtura në Arkivin e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Tiranë, duke u konsultuar me dokumentacionin grafik origjinal të ikonostasit dhe fotot përkatëse të Arkivit.
5 -Theofan Popa, Miniatura dhe piktura mesjetare në Shqipëri, Tiranë 2006, faqe 150-156.
6 -Mbrojtja e monumenteve, Botim i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Tiranë, 1974, faqe 53; Trashëgimia Kulturore akte ligjore dhe nënligjore, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Tiranë, 2003, faqe 86.

***

IKONOSTASI I KISHËS “SHËN THANASI”
PECA, SARANDË

Ikonograf  Ilia Llongoviti
Kisha “Shën Thanasi”, Peca, Sarandë
Viti 1525
Ikonostas prej muri i pikturuar
Përmasat: 365 cm x 200 cm

Kisha “Shën Thanasi” është e vogël. Përmasat e brendshme janë 5.80 x3.50 metra. Kisha është bazilikë njënefëshe me tavan. Muratura e kishës është me gurë të lidhur me llaç gëlqereje, ndërsa çatia është e mbuluar me rrasa guri. Apsida e kishës është rrethore.

Kisha “Shën Thanasi” është ndërtuar dhe pikturuar në vitin 1525. Këtë fakt e vërteton një mbishkrim që gjendet mbi murin perëndimor të kishës: + Ανηγερθη κ(αί) ανηστοριθη ό θήος καί πανσεπ(τ)ος νάως του εν α / γιής π(ατ)ρ(ο)σ ημόν Αθανασιου του θαυματουργου Αλεξαντρί(ας). Δια σην / δρωμής κόπου και εξόδου τον εκτητορων της ηρημενης Πε / τσας και ενοριτον κ(αί) ή(ε)ρεως παπα διμ(ητρί)ου κ(αί) τον τεκνων ευτόν εκαστος κα(τα) τήν εαυ / (τού) διναμην. Επί ετους δ ε της ευδομης χηληαδος Λ. Γ. (7033 = 1525) ηπο χιρος εμου Ηληα λον / γοβητη. “U ndërtua dhe u pikturua ky tempull hyjnor dhe i gjithënderuar i atit tonë ndër shenjtorë Athanasit të Aleksandrisë çudibërësit, me kontributin, mundimin dhe shpenzimet e ktitorëve të Pecas së përmendur dhe të besnikëve (të famullisë) dhe të priftit Papa Dhimitrit dhe të bijve të tyre secili simbas fuqisë së tij. Në vitin shtatëmijë e tridhjetëetre (=1525). Me dorën time të Ilia Llongovitit” .

Ilia Llongoviti nga Dropulli i Sipërm në vitin 1525 ka pikturuar kishën “Shën Gjergji” në Leshnicën e Sipërme dhe kishën “Shën Thanasi” në Peca të Sarandës. Ilia Longoviti pikturonte sipas Shkollës Ikonografike të Kretës[1]. Ambienti i altarit ndahet me një ikonostas të ndërtuar me mur guri.

Ikonosasi i kishës “Shën Thanasi” në Peca ka dy dyer me hark sipër. Është i pikturuar me afresk rreth 3 m2. Dyert mbarojnë sipër me hark dhe kanë përmasat: dera kryesore 65 cm dhe dera veriore 68 cm.

Pamja e ikonostasit nga pjesa e përparme. Ikonostasi ka dy breza: Brezi i parë poshtë ka lartësinë 100 cm dhe nuk ka pikturë, ndërsa brezi i dytë me ikonat e mëdha (në afresk) e ka lartësinë 80 cm. Djathtas derës kryesore është pikturuar imazhi i Krishtit, duke bekuar me njerën dorë dhe në dorën tjetër (të majtën) mban një libër. Ai është pikturuar deri poshtë belit. Majtas derës kryesore është pikturuar imazhi “Shën Maria me Krishtin”. Anash derës veriore (pranë murit) është pikturuar imazhi i një shenjtori me librin para gjoksit.

Pamja e ikonostasit nga ana e prapme. Në pjesën prapa ndërmjet dy dyerve është pikturuar imazhi i një shenjtori me kryq dhe kurorë në kokë (ndoshta është “Shën Kostandini”). Ai është pikturuar me pamje ballore deri poshtë afër tokës .

Pamje para e Ikonostasit dhe Pamje prapa e Ikonostasit

Imazhe nga afreskat e kishës së ikonografit Ilia Llongoviti

“TRiUMPh”

Piktori Avni Delvina hap te Piramida ekspozitën "TRiUMPh", me 46 grafika kushtuar Presidentit të SHBA, Donald Trump

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.