
“Prestanome”
“Mjeshtri i Madh” Helidon Haliti sjell një ekspozitë unike në Galerinë FAB (12-25 Mars). Kurator: Nodileh Itilah

Nga Gladiola Bilbili
“PRESTANOME” është një ekspozitë e portreteve të “kohës së pakohë”, që vjen në Galerinë FAB si dëshmi e një rrugëtimi të jashtëzakonshëm artistik, një takim mes ngjyrës, mendimit dhe kujtesës, të personaliteteve që kanë shenjuar artin, kulturën dhe jetën publike shqiptare.
Në qendër të saj qëndron një emër që nuk ka reshtur kurrë së dialoguari me botën përmes ngjyrave dhe fjalës – piktori,” Mjeshtri i Madh” Helidon Haliti. Një artist që ka ditur gjithmonë të shohë përtej së dukshmes, të prekë të pathënën dhe ta bëjë të pavdekshme në telajo.
Përmes emisionit të tij në RTSH “Mes dy botëve”, Helidoni ka krijuar një urë mes brezave, mes historisë dhe së tashmes, mes fjalës dhe artit. E veçanta e këtij rrugëtimi ka qenë momenti kur, ndërsa të ftuarit rrëfenin jetën e tyre, ai i portretizonte – duke e kthyer çdo bisedë në një akt të pastër krijimi, ku mendimi dhe dora e piktorit bashkëudhëtonin në heshtje për të gdhendur portrete dhe shpirtra. Këtu nisi dhe ideja e kësaj ekspozite.
Sot, këto portrete janë para nesh, duke na vështruar dhe duke na ftuar në një dialog të ri – jo më përmes fjalës, por përmes dritës së syve, rrudhave të mençurisë dhe ngjyrave që flasin. Këto nuk janë thjesht portrete njerëzish, por gjurmë të pashlyera të një epoke, të një angazhimi, të një ëndrre që vijon të frymojë.
Dhe, siç thotë vetë artisti:
“Ishte shkruar në yje që unë të bekohesha si i zgjedhur për ta përshkruar botën me formën time të të parit. Sepse atë që ndoshta nuk e artikulojmë dot me fjalë, e bëjmë me veprat tona. Dhe sot, teksa kthej kokën pas dhe shoh rrugëtimin tim, shoh edhe njerëzit që më kanë shoqëruar, ata që me pasion, guxim dhe përkushtim kanë lënë gjurmën e tyre në këtë vend që ne e quajmë Shqipëri.”
Kjo ekspozitë është një falënderim për të gjithë ata që kanë dhënë dritë në këtë rrugëtim, por mbi të gjitha, është një testament i një vëmendjeje të pareshtur ndaj botës përreth.Të dashur miq, ju ftoj të ndaleni, të sodisni, të ndjeni udhëtimin tonë të përbashkët “Mes dy botëve” dhe përtej… në “Prestanome”, ekspozitën ku arti dhe jeta ndërthuren në një përqafim të përjetshëm!
PRESTANOME – HELIDON HALITI
12- 25 Mars 2025
Kurator: Nodileh Itiliah
GALERIA FAB/ UART