Ëndrrat e ndryshkura të një shoqërie në udhëkryqet e kohës!

Piktori i mirënjohur, Artur Muharremi, është një lloj dëshmitari i epokës, i këtij peizazhi mortor


Nga Luan Rama

Sheshi « Place de la Pucelle » është nga sheshet më të njohura të qytetit të bukur Rouen, buzë Senës, pasi mban emrin e Jean d’Arc, që u dogj aty pranë katedrales.

Rigonte një shi i lehtë dhe ekspozita e Artur Muharremit ishte hapur pikërisht ballë të këtij sheshi, në ndërtesën mesjetare « Bougtherouldle » të ndërtuar në vitin 1520 nga Guillaume le Roux, fisniku i Bourgtherouldl dhe ku në oborr shquhen barelievet e famshme në kujtim të takimit midis dy figurave të mëdha të epokës: François I-rë i Francës dhe Guillaume VIII.

Nje mjedis i preferuar për një artist të ekspozojë veprat e tij, pasi këtu ekspozitat ndjekin njëra-tjetrën, por gjithnjë me një përzgjedhje nga organizatorët.

Tema e ekspozitës së tij » Ëndrra të ndryshkura » është disi e veçantë dhe i shkon për shtat kohës që jetojmë, pasi pavarësisht zhvillimeve të mëdha teknologjike dhe zbulimeve të reja shkencore dhe sulmi drejt galaktikave të tjera, shoqëria njerëzore po kalon një krizë të madhe shpirtërore, ku shpirti zvetënohet nga dita në ditë në atmosferën e luftrave të mëdha, kërcënimeve atomike dhe ku diktatorët janë gjithnjë e më kërcënues për mbarë botën. Brezat e pas luftës së Dytë Botërore shpresuan dhe menduan për një botë të re, pa luftë, në një botë të dashurisë njerëzore. Por a dodhi kështu ?

Në fletëpalosjen e ekspozitës, Muharremi shkruan : « Është një seri tablosh që lindi nga imazhi i makinave fantazmë, këto objekte tashmë të braktisura të cilat megjithatë murmurisin ende historitë e tyre. Të ngjizura në ndryshkun e karkasave të tyre ato mbartin çikatriçet e kohës, janë dëshmitarë të një kaluare ndaj të cilës ti mund të jesh indiferent ose ti dëgjosh murmurimat e saj…Një epokë ku shoqëria jonë që i ka humbur rrënjët e saj dhe rend pas iluzioneve, përfundon në një oqean artifisesh. »

Është një temë sa universale aq dhe filozofike dhe duke parë tablotë e tij e ndjen menjëherë trishtin e tij, zemërimin e tij, britmën.

Është pozicioni i artistit përballë epokës në të cilën jeton.

Cfarë mendon ky artist ? Përse këto makina të prishura nga një tablo në tjetrën ? Këto makina të ndryshkura e bërë copë-copë, të hedhura, të braktisura, të harruara ?
C’është vallë kjo varrezë e madhe që na shfaqet përpara ? Të ngjason papritur se ato tanke të shkatëruar nga drone në frontet e Ukrahinës dhe në vende të tjera të botës, të braktisura dhe të shkatërruara përngjajnë me këto makina të një varreze gjigande ku dergjen si gjurmë të një kohe dhe jete. I habitshëm dhe tronditês kjo dëshirë edhe sot e llojit njerêzor për shkatërrimin !…

Ka disa vite që në krijimtarinë e Muharremit ky mendim gëlon (e njoh pasionin e tij për makinat nëm iniaturë, sahatet, elementët mekanikë tê çuditshëm etj) pra diçkaje ku ai është rikthyer herë pas here për të ardhur deri në këtë ekspozitë. Një mendim që ka marrë formë në një lloj afresku epokal të kohës që jetojmë, të një shoqërie që po rrënohet, zvetënohet nga zgjyra, ndryshku i shpirtit, regresi e ndjenjës solidare dhe dashurisë njerëzore, të një shoqërie që kapet pas iluzioneve irreale, që bie gjithnjë e më shumë viktimë e një grushti njerëzish që kërkojnë luftë, shfrytëzim njerëzor, që kërkojnë piedestale lavdie si dikur në kohën e Kaligulës romak. Madje pretendojnë të marrin dhe çmimin Nobel, çka tregon më së miri absurditetin e tyre.

Në këtë ekspozitë, vetë figura e piktorit, (Artur Muharremi gjithnjë me kapelen e tij) është një lloj dëshmitari i epokës, i këtij peizazhi mortor. Ai na shfaqet fillmthi tej një muri ku vëzhgon tutje pirgun e makinave të vjetra, pastaj e shohim midis tyre bashkë me qenin e tij.

Ai është gjithnjë me kurriz ku më së fundi i largohet atij peizazhi drejt një dielli tê zvetënuar, si mos të dojë më ta shohë këtë varrezë simbolike, përveç në një tablo ku ai, ndodhet me një vajzë në një kohë tjetër, plot ngjyra.

Në atë varrezë gjigande, gjen plot detaje interesante : diku një kitarrë e braktisur, sikur kënga më së fundi të ketë pushuar, një varr klasik, biçikleta të shpërfytyruara, dhe në sfond kafene të zbehta, kanoçe të flakura, njê lypës, njê i dehur, njerêz qê enden nëpër rrugê pa destinacion dhe në njê atmosferë gri trishtimi. Por nuk mungon dhe një qen, qeni i piktorit dëshmitar, i cili e shoqëron ngado me ata sy të habitur e që gjithnjë shikon nga ne, spektatorët, si të dojë të na pyesë se përse gjithë kjo braktisje, dekompozim, shkatërrim, zvetënim. Tablotë kanë në kompozimet e tyre një energji të brendëshme. Ka një kërleshje të makinave që kanë hipur mbi njëra tjetrën si në një front të vrarësh; karkasa pa sedilje, makina par rrota të cilat kanë rënë diku gjetkë.

Ja pra simbolet e kësaj ekspozite tërheqëse e cila me sa duket do të ketë një vazhdim, pasi siç më thotë Arturi gjatë kësaj vizite në Rouen, ai tashmë e sheh këtë lloj « varreze » tashmë nën ujë, ku imazhet padyshim do të jenë akoma më piktoreske.
Artur Muharremi gjithnjë me kapelen e tij) është një lloj dëshmitari i epokës, i këtij peizazhi mortor

Lexo më shumë nga

Ku Arti takon Kaosin!

Artisti plëngprishës shpesh përdor kontradikta dhe paradokse që sfidojnë pritshmëritë e shikuesit dhe krijojnë një tension

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.