
Dita Botërore e Artit
Kjo ditë u shpall nga UNESCO, në nder të Leonardo da Vinçit, i cili ka lindur më 15 prill 1452.

15 prilli njihet ndryshe si Dita Botërore e Artit, një festë për të promovuar zhvillimin, përhapjen dhe kënaqësinë e artit. Kjo ditë u shpall nga UNESCO, në vitin 2019, në nder të Leonardo da Vinçit, një prej artistëve më të famshëm në histori, i cili ka lindur më 15 prill 1452.
Tema e Ditës Botërore të Artit 2025 është: “Kopshti i shprehjes: Kultivimi i komunitetit përmes artit”. Tema e Ditës Botërore të Artit ndryshon nga viti në vit, duke u fokusuar në aspekte të ndryshme se si arti ndikon në shoqëri dhe në jetën tonë personale.
UNESCO thotë se, arti ushqen kreativitetin, inovacionin dhe diversitetin kulturor për të gjithë popujt anembanë globit dhe luan një rol të rëndësishëm në ndarjen e njohurive dhe inkurajimin e kuriozitetit dhe dialogut. Zhvillimi i mëtejshëm i artit çon më tej mjetet tona për të arritur një botë të lirë dhe paqësore.
Çdo vit, më 15 prill, festimet e Ditës Botërore të Artit ndihmojnë në përforcimin e lidhjeve midis krijimeve artistike dhe shoqërisë, inkurajojnë ndërgjegjësimin më të madh për diversitetin e shprehjeve artistike dhe nxjerrin në pah kontributin e artistëve për zhvillimin e qëndrueshëm.
Kjo ditë është gjithashtu një rast për të theksuar edukimin artistik në shkolla, pasi kultura mund të hapë rrugën për arsim gjithëpërfshirës dhe të barabartë.
Në Ditën Botërore të Artit, UNESCO inkurajon njerëzit nga të gjitha vendet të bashkohen përmes aktiviteteve të ndryshme si debate, konferenca, seminare, ngjarje kulturore dhe prezantime ose ekspozita.
Burimi ATSH